Turin e takimeve “Punët e Shqipërisë” të kryeministrit, Sali Berisha e cilëson vepra të zeza të qeverisë, duke listuar disa prej atyre që i konsideron si aferat më të rënda korruptive të kryeministrit.
“Punët e Shqipërisë në fakt janë veprat e zeza të Edi Ramës, janë inceneratorët ku janë hedhur miliona euro dhe nuk ka projekt. Porti i Durrësit është Dubai i Ramës. Ky port do jetë çeshtje me përparësi kombëtare e PD-së”, tha Berisha.
Pasi la pas akuzat e qeverisë, gjatë u mor me punët e shtëpisë së tij politike, duke kërkuar nga strukturat e partisë gatishmëri maksimale për protestën e 17 prillit.
“Opozita duhet të jetë në këmbë. Vendi ndodhet në udhëkryq, për shkak të regjimit të Ramës. Jemi në kilometrin e fundit dhe kemi një problem, të qëndrojmë me të gjithë forcën. Protesta është arma jonë kryesore. Kështu duhet të jetë në çdo akt kryengritjeje paqësore ndaj këtij regjimi”, deklaroi lideri demokrat.
Të vetët i paralajmëroi se do të monitorohen për angazhimin që kanë, jo vetëm me qytetarët dhe strukturat e partisë, por edhe në betejën virtale me kundërshtarët politike. Prej tyre kërkoi të ndjekin modelin e opozitës në Hungari, e cila solli përmbysjen e pushtetit pas 16 vite qeverisjeje të Viktor Orbanit.
“Opozita aty kishte patur mbështetjen e TV-ve më të shikuara, avantazh madhor. Kryesorja është se opozita kishte dominuar në mediat sociale. Demokratët duhet që të bëjnë sa më shumë shpërndarje të mesazheve tona në Facebook, Instagram e kudo nëpër çdo rrjet social. Mos e injoroni se detyra jonë kryesore është të vrasim frikën. Rrjetet tona s’mund të jenë rrjete të fjetura, është absolutisht e pafalshme. Përdorimi i rrjeteve sociale do kontrollohet, është detyrim”, deklaroi kreu demokrat.
Strukturat drejtuese të partisë i ftoi të shkunden nga apatia, që kanë rënë dhe të nisin urgjent takimet intensive me qytetarët.
“Duhet dialog intensiv me çdo qytetar, është i domosdoshëm takimi me strukturat dhe qytetarët”, tha Berisha.
Shtoi se motoja e PD-së është organizimi dhe vetëm organizimi.
Qëndrimet e Berishës vijnë në një kohë kur Partia Demokratike ka nisur procesin e brendshëm të zgjedhjes së strukturave të saj të reja, që do të kulmojnë me atë të kryetarit të kësaj force politike ne 23 maj dhe në 6 qershor mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.











