Partia Socialiste ka shënuar 35-vjetorin e themelimit të saj me një aktivitet madhështor në Tiranë, ku kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të martë, 2 qershor, një takim me mbështetës dhe anëtarë të strukturave. Në fokus të këtij përvjetori jubilar ishin arritjet e shënuara ndër vite, si dhe mesazhet e rëndësishme politike për të ardhmen e kësaj force.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se një nga arsyet kryesore të fitoreve të njëpasnjëshme të PS-së është aftësia e saj e hershme për t’u hapur, një tipar ky i shkruar që në fillimet e veta në AND-në e partisë. Ai nënvizoi se kjo forcë politike nuk lindi si produkt i krenarisë për atë që linte pas, por si rezultat i një reflektimi të thellë për të ardhmen që po vinte.
“Një nga arsyet e fitoreve të PS është aftësia për t’u hapur dhe kjo aftësi buron në kohë. Është një nga ato shënimet në AND-në e PS, që në fillimet e saj. PS nuk doli si produkt i një krenarie për atë që linte pas. PS doli si produkt i një reflektimi për atë që vinte përpara.
Për këtë arsye asnjë parti tjetër e krijuar në Shqipëri, as partitë më të reja nuk e kanë dot atë që ka PS në AND-në e vet, sensin e të parti të vetvetes gjithmonë me një ndjenjë përgjegjësi dhe ndjenjë respekti ndaj të tjerëve. PS vendosi një raport me të shkuarën, i cili është raporti më i ekuilibruar që mund të gjesh me veten.“
Sipas kryeministrit, asnjë parti tjetër në vend nuk e zotëron dot sensin e të qenit kritik ndaj vetvetes, i cili shoqërohet gjithmonë me ndjenjë përgjegjësie dhe respekti ndaj të tjerëve. Më tej, kreu i qeverisë sqaroi se PS-ja e ndau që në fillesat e saj diktaturën nga lufta nacionale, duke u pozicionuar si e vetmja forcë e palëkundur në antifashizëm dhe si partia më antikomuniste në Shqipëri nga ana ideologjike.
Ai rikujtoi se po të mos kishte ardhur PS-ja në qeverisje, të burgosurit e gjallë të komunizmit nuk do ta kishin marrë kurrë shpërblimin e tyre financiar.
“Siç thashë PS nuk lindi si një moment refuzimi për të pranuar, se kishte diçka shumë të madhe që nuk shkonte me të. PS e ndau që në fillim diktaturën dhe me të shkuarën dhe luftën nacionale. PS është e vetmja që nuk është lëkundur në antifashizëm, madje është parti më antikomuniste në Shqipëri nga ana ideologjike. Është një parti antifashiste dhe antikomuniste.
Nëse nuk do të kishte ardhur PS në qeveri të burgosurit e komunizmit të gjallë, nuk do e kishin marrë shpërblimin. PS është partia që nuk e ka problem që të ballafaqohet me të shkuarën. PS është një forcë, që ka fuqinë të shohë të sy historinë, veten, këdo tjetër dhe të shohë të ardhmen. Asnjë tjetër nuk e ka këtë forcë.“
Duke u ndalur tek e sotmja, Rama u shpreh se Shqipëria ndodhet në një udhëkryq të madh mes të shkuarës dhe të ardhmes që synohet t’u lihet fëmijëve. Ai shtoi se politikanët që kanë misione dhe ambicie të mëdha janë të detyruar të bëjnë ndryshime të çdo natyre, ku drejtësia mbetet e vetmja sakrificë reale që ata bëjnë.
“Ne jemi këtu për të bërë histori dhe për t’u lënë fëmijëve tanë një Shqipëri tjetër. Ne jemi sot në një udhëkryq, Shqipëria, mes të shkuarës dhe të ardhmes. Shqipërisë që kemi pasur prej kaq shumë vitesh dhe Shqipëria që synojmë t’u lëmë fëmijëve tani. Drejtësia është e vetmja sakrificë reale që politikanët bëjnë. Kush ka ëndrra të mëdha dhe kush ka ambicie të madhe, kush ka një mision të madh është i detyruar të bëjë ndryshime të të gjitha natyrave.“
Kryeministri iu përgjigj edhe akuzave për tradhti ndaj kauzës kombëtare, (çështjen e Zvërnecit), duke thënë se socialistët kanë arsye të lartë krenarie për kontributin e tyre të dokumentuar në arkivin e çështjes kombëtare.
Në këtë kuadër, ai ironizoi kundërshtarët, duke kujtuar se ata që akuzonin PS-në, ditën qanin për Kosovën dhe natën i dërgonin naftë makinerisë së Millosheviçit. Në mbyllje të fjalës së tij, lideri socialist iu drejtua qytetarëve me një apel të fortë patriotik për të mos e hequr vëmendjen nga fiksimi i madh për ta anëtarësuar Shqipërinë në Bashkimin Evropian.
Kreu i qeverisë kërkoi nga mbështetësit që të shtrëngojnë dhëmbët edhe atëherë kur partia u vjen në majë të hundës, duke bërë gjithmonë atë që duhet për vendin. Së fundmi, Rama paralajmëroi se jo të gjithë e duan Shqipërinë në BE, duke pohuar se brenda vendit ekzistojnë forca politike që punojnë hapur kundër këtij procesi integrues.
“PS dhe qeveritë e PS janë akuzuar shpesh për tradhti dhe kulmi i akuzës për tradhti ka qenë ndaj kauzës kombëtare. Nëse Shqipëria ka një arkiv për të gjithë kontributorët e çështjes kombëtare, nëse rilindësit kombëtar janë në krye, kush është socialist ka një mijë arsye për të thënë të dhjefsha partinë, por ka një arsye të madhe për të qenë krenar, në atë listë PS është si kontributore. Kush e akuzonte PS për tradhti, ata që ditën qanin për Kosovën dhe natën çoni naftën për Millosheviçin.
Mos dëgjoni ata që s’dinë se çfarë thonë deh ata që duan, por besojeni këtë gjë, që sa herë PS u vjen në majë të hundës, shtrëngoni dhëmbët, bëni atë që duhet të bëni, por mos hiqni mendjen nga një fiksim që duhet ta ketë çdo shqiptar i ndershëm dhe patriot, që ta çojmë Shqipërinë në BE. Mos kujtoni se të gjithë e duan Shqipërinë në BE, këtu ka forca që punojnë për Shqipërinë kundër BE,” tha Rama.











