Nga Pëllumb Kulla
Sado e çmëndur, por fushatë elektorale zgjedhjesh shqiptare ishte!…
I dhanë jetë të gjitha partitë politike, ndarë në dy palë kundërshtare. Dhe, bile ishte Partia Demokratike. ajo që garën e bëri më të ndezur se kurrë.
U lodh më shumë, shpenzoi më shumë dhe në fund të kësaj jave pret rezultatet e angazhimit të saj. Ajo dhe aleatët e vet e ndanë mendjen që për këto zgjedhje vendore të mos sillnin kandidatë në garë dhe i qëndruan besnikë stilit të tyre sulmues.
Opozitës vazhdon t’i duket se mjafton shpalosja e tipareve të shëmtuara të qeverisjes, të cilat, të fryra, apo të minimizuara, në fakt gjithmonë gjenden, sepse janë. Vjedhjet, abuzimet, mëkatet e qeverisë asaj i mjaftojnë t’i sigurojnë fitoren që ajo kërkonte në këto votime.
Në tërë këto muaj, në pamë angazhimin, ndoshta më të egrin e më kritikun të Opozitës në hapësirat kohore të tranzicionit.
U panë mobilizime turmash të gjëra në protesta, numërim dështimesh në qeverisje, akuza për veprime korruptive, përballje fizike me radhët e policëve, me zjarre dhe krisma. Ishin dëshmira të dokumentuara trafikimi votash, diskreditime të ca figurave të maxhoracës, socialistësh me këmborë, të zënë në ca biseda të turpshme, të regjistruara dhe të përkthyera në tëra gjuhët e planetit.
U tha dhe çfarë nuk u tha, për zgjedhjet që vidhen, që blihen dhe që shtrembërohen nga elementë që e venë në dritë të keqe qeverinë e Edi Ramës.
U trajtuan si të ishte prishur virgjëria e shenjtë e zgjedhjeve shqiptare! Dhe për gjatë pesë muajve iu bë thirrje tërë zgjedhësve shqiptarë të mos shkelin në votimet e kësaj të djele, që pritet të japin më shumë një shije dekorative se sa atë të një procesi të dëshiruar.
E tani kjo fushatë është në drithërimat e fundit dhe në 30 qershor ne do të shohim rezultatet dhe efikasitetin e këtij angazhimi me përpjestime kaq të mëdha të të gjitha partive politike të ndarë në palë dhe interpretime.
Zgjatem po ta shpjegoj, por kam një siguri të patundur se dita e votimeve do të jetë e qetë, me ndonjë përjashtim të vogël. Nuk do të jetë nevoja të ngrihen barriera penguese.
(Ja, e shumta ndonjërit mund t’i presë udhën drejt kutive Bujar Kapexhiu, që ka ndërmend të sigurojë dënimin që ëndërron. Por Bujari nuk mban dot të lidhur më shumë se një, pra nuk përbën problem dhe kot të pengohet të dalë jashtë shtetit!).
Nuk do të ketë njerëz pa dy pare mend, sa të mos e parashikojnë se do të kenë telashe tek filmohen, apo se në ndonjë përplasje nuk do të hasin probleme me njerëzit e rendit.
Në mbyllje të qendrave të votimit sejcila palë do të ketë dhe bilancin e punës së këtyre pesë muajve të trazuar.
Partia Socialiste dhe minipartitë e tjera pjesëmarrëse presin që, pa ankthe dhe ububura, të arrijnë fitoret e planifikuara që do të dalin nga kutitë në ditën e fundit të muajit.
Kurse Opozita parashikon që të fitojë atë ditë tërë frutet e aksioneve të zhurmshme politike dhe të fushatës së saj: ajo i pret qendrat e votimit të mbeten të zbrazëta, komisjonerët të kalojnë një ditë të mërzitshme gjumëndjellëse dhe në fund, e shumta, ja, ca dhjetra fletë votimi në favor të Erion Velisë dhe shokëve të tij.
Shpresojnë të mos hidhet asnjë vote, për bé, në qendrat e votimit nëpër ato bashki, ku katër vjetët që shkuan dëgjohej fyelli opozitar. Dhe kjo për Bashën me shokë do të ishte një rezultat i shkëlqyer i djersës së derdhur, i fishekzareve dhe molotovëve të djegur dhe i tërë atyre fjalimeve që jehuan në bulevardin qëndror.
Është e natyrshme që Basha e Kryemadhi të kenë shpresën se do të ndodhë kështu.
Dhe po nuk ndodhi…
Po nuk ndodhi, nëqoftëse në të kundërt, do të vërehet se do të ketë vargje votuesish me shumicë; nëse do të ketë konfirmim kryetarësh të vjetër e fitore kryetarësh të rinj nga radhët e socialistëve dhe të ndonjë partie tjetër, kjo do të dëshmojë se Bashës dhe rrethit të tij nuk ua kanë vënë kush veshin gjatë fushatës së tyre të zhurmshme në kryeqytet dhe nëpër rrugëkryqet e vendit. Dhe se ai nuk ka ngjallur besimin që shpresonte të përçojë në elektoratin e gjerë.
Por në fund të fundit, edhe po të gjykohet hollë-hollë, kjo nuk do të jetë gjëmë!
Gjithsesi unë mendoj se të gjitha ato që ndodhën, edhe duke marrë parasysh gabimet e shumta që u bënë, vendi do ta shohë shumë shpejt fundin e së keqes që na errësoi djellin e këtyre muajve.
Kam shpresë, bile jam i sigurtë, që palët kundërshtare do ta gjejnë gjuhën që i afron. Jam i bindur se rezultatet e 30 qershorit do të kenë një validitet të përkohshëm dhe aktorët politikë do të përfshihen në reformimet e shumta që mund të përfshijnë dhe përsëritjen e këtyre zgjedhjeve plot skandale. Në mejdanin e analizave do të ketë pa diskutim nxjerrje mësimesh të çmuara, që u arritën me kosto të larta.
Por me një urtësi që duhet ta presim me duar nga qielli, mënçuria duhet t’i ulë palët për zgjedhje parlamentare të parakohëshme, të cilat duket se vëndi ka nevojë t’i shohë në një dritë të re.
Për këtë, tashmë duket se nga të katër anët ka një apel emergjent për fshirjen e marrëveshjes malinje të prillit 2008, e cila solli të tërë të zezat që u numëruan qëkurse hyri 2019. Zotërinjtë e marrëveshjes famëkeqe, praktikisht asgjësuan pluralizmin e ëndërruar të shqiptarëve! Praktikisht dhe paturpësisht, edhe ai pluralizëm çalaman i udhëhequr nga Ramiz Alia sot rezulton i asgjësuar. Është arritur deri aty sa votohet vetëm i pari i partisë, që kur arrin të fitojë mban në gatitu ministra dhe deputetë tok.
Në këtë praktikë të shëmtuar nxitet servilizmi, futet në lojë korruptimi dhe qëndrimi gatitu bëhet virtuti më i dobishëm.
Një kod i ri zgjedhor duhet të jetë oksigjeni për demokracinë shqiptare, ku paradokset janë bërë pak si shumë.
Presidenti, që formalisht është i pari i një vendi, nuk zgjidhet nga populli, por caktohet nga kryeministri! Kryeministri emëron Presidentin! I dyti i vendit vendos cili do të jetë i pari i këtij vendi! Një asgjësim i llahtarshëm i mundësisë për të patur një Gjyqtar madhor, një personalitet mendjendritur, në një kulltuku të lartë august!
Bashkëkryetarja, apo le të themi kryetarja e Opozitës, fle në një shtrat me Presidentin e Republikës! Me shumë gjasa, ky bashkëshort i përgatit asaj një fjalim sharaman dhe kërcënues kundër qeverisë, dhe në mbrëmje del publikisht, e qorton ashpër të shoqen, dhe fton për qetësi dhe dashuri!
E shumë dukuri të tjera qesharake…
Shpresojmë për një klimë tjetër pas 1 korrikut.
Ndeshja e egër dhe e stërzgjatur do të sjellë pas me siguri një reflektim të thellë. Duhet t’i njihet Opozitës merita për këtë reflektim të dobishëm.
Nuk do të le pa thënë se edhe Kryeministrit duhet t’i njihet një meritë e madhe, që në vite do të gjykohen më ftohtë dhe do të vlerësohen më mirë përmasat e çmuara të saj. Ishte tepër-tepër e vështirë qëndresa ndaj sulmeve dhe protestave të ashpra, gjithaqë dhe këmbëngulja e tij për të mos dalë nga shinat jo të përsosura të ecurisë së një shteti.
Uroj megjithë shpirt një fund të mbarë të kësaj jave qershori!