Gazetari Bledi Mane ka rrëfyer në “Shqipëria Live” incidentin e ndodhur gjatë një proteste, ku pretendon se u godit fillimisht me vezë dhe më pas me një gur apo send të fortë.
Mane tha se në momentin e parë nuk e kishte kuptuar se ndodhej pranë një proteste. Sipas tij, ndërsa ishte duke folur në telefon në një rrugë të qetë, ndjeu një goditje në kokë dhe më pas kuptoi se mbi të ishte hedhur një vezë.
Më pas, sipas Manes, situata u përshkallëzua. Ai pretendon se u godit me gur ose një objekt të fortë, duke u plagosur në kokë. Kur u kthye, tha se pa dy persona që po bërtisnin dhe më pas një turmë protestuesish.
“Isha në rrugë duke folur në telefon, rruga ishte e qetë, një moment ndjej një goditje në kokë, nuk ishte e fortë. Ndjeva që po më rrëshqiste diçka nga koka, dhe e dallova që ishte vezë. Për momentin kuptova që isha në mes të një protestë, dhe më pas një goditje gurë ose diçka e fortë, u gjakosa. Kthej kokën dhe ishin dy çun a që po ulërinin dhe bërtisnin. Më pas nuk e di nga doli turma e protestuesve, mu duk shumë e organizuar me telefona gati. Ishin besoj 30 veta, ishin një numër i konsiderueshëm minorenësh, bërtisnin dhe ofendonin. Ruajta gjakftohtësinë.
Unë jam kundër asaj protestë, për arsye të miat. E njëjta e drejtë që kanë ata për të protestuar. Është vepër e rëndë penale. Unë si gazetar kam shkuar shpesh në gjykatë nga personazhë të ndryshëm, madje tani kam seancën e radhës me Adriatik Lapajn dhe vjehrrin e tij. Kushdo që ka kundërshti ndaj artikujve, është i lirë të shkojë në gjykatën më të afërt.
Mu duk një orkestrim shumë i mirë. Pyeta, dhe pas fshihen Arlind Qorri dhe deputeti i Vlorës, Agron Shehaj, ata financojnë. Unë vazhdoj të jem kritik, unë e kam quajtur Arlindin një pedofil politik, që mban peng studentët e vet, i organizon në organizatat e partisë së vet. Vazhdoj të kem të njëjtin qëndrim pavarësisht vezës, kërcënimeve apo sharjeve të djeshme”, tha ai.











