Një grua që pretendon se është droguar dhe përdhunuar nga Jeffrey Epstein ka folur për herë të parë publikisht, në një intervistë për BBC Newsnight, duke rrëfyer përvojën e saj traumatike.
Gruaja, e cila foli në kushte anonimiteti dhe të cilën BBC e ka quajtur Nicky, tha se e takoi financierin kur ishte 19 vjeç, duke punuar si modele.
Fillimisht, kontaktet mes tyre nisën me masazhe në rezidencën e tij në Palm Beach, por situata mori një tjetër kthesë një takimi të mëvonshëm. Ajo tha se pasi i bëri një masazh në rezidencën e tij buzë ujit në Palm Beach, ai i dha asaj një gotë ujë dhe ajo humbi ndjenjat për 12 orë, kur ajo beson se u përdhunua nga Epstein.
“Sinqerisht mendova, në rregull, ndoshta është thjesht një djalë i pasur i vjetër që ka një fetish dhe le të jetë kështu,” tha ajo. “Çfarëdo qoftë. Dua të them, më pagoi qiranë.”
Por disa javë më vonë, kur Nicky u kthye për të parë Epsteinin, takimi i saj ishte ndryshe.
“Kështu që e hoqa bluzën njësoj si herën e fundit, fillova nga këmbët e tij, u ngrita lart dhe kur arrita te pjesa e sipërme e kofshës së tij dhe vazhdova te gjoksi i tij, ai më tërhoqi xhinset, gati për t’i zbërthyer”, tha Nicky.
Ajo i tha Epsteinit se kishte ciklin menstrual, gjë që nuk ishte e vërtetë. Ai e inkurajoi atë të bënte seks me të, kujtoi Nicky.
Ajo u vesh shpejt dhe i tha vetes se duhej “të largohej që këtej”. Shkoi në banjë për të larë vajin e masazhit nga duart dhe kur u kthye, Epstein i ofroi një gllënjkë ujë.
“Piva pak ujë dhe nuk mbaj mend asgjë për të paktën 12 orë pas kësaj,” tha Nicky.
Ajo tha se u zgjua duke u ndjerë e sëmurë, e plogësht dhe e rënduar. Nicky tha se kur shkoi në banjë, kishte shenja se kishte kryer marrëdhënie seksuale, megjithëse nuk mund të kujtonte ndonjë marrëdhënie seksuale.
Ajo beson se Epstein e drogoi dhe e sulmoi seksualisht. Nicky tregoi se më vonë dyshimet e saj u përforcuan nga sjellja e Epstein, i cili, sipas saj, la të kuptohej se dinte detaje intime që ajo nuk i kishte treguar.
Pas ngjarjes, ajo përjetoi trauma të thella psikologjike, përfshirë mendime të errëta dhe nevojën për terapi.
“Kam bërë psikoterapi të ndryshme për të kujtuar, për të provuar të shoh diçka, dhe është e zezë, nuk kam asnjë ide”, tha ajo për ndërveprimin. “Por logjikisht mund të bëj një sërë supozimesh që mendoj se do të ishin shumë të sakta”.
Ndërsa përshkroi në detaje abuzimet e Epstein, sot, ajo i bën thirrje autoriteteve amerikane të publikojnë plotësisht dosjet e mbetura mbi Epstein, duke kërkuar transparencë dhe drejtësi për viktimat.










