Nga Ylli Pata
Opozita këndoi fitore pas firmosjes së paktit që u prodhua nga ambasadorja Yuri Kim, kurse mazhoranca mori frymë duke shpresuar pak qetësi nga sulmet e përditshme artilerike nga kundërshtarët.
Por realisht e ashtuquajtura “Reformë Zgjedhore” e sigluar në kuartetin e Këshillit Politik nuk kishte asgjë për të reformuar, pasi u vendos thuajse gjithҫka siҫ ka qenë deri më sot: as ndryshim sistemi dhe as reformim radikal të administratës zgjedhore.
Në fakt, ajo që ndodhi në mbrëmjen e së premtes nuk është asgjë tjetër por vijim i marrëveshjeve që kanë arritur për 30 vjet elita politike shqiptare, që kanë prodhuar produkte të paplota dhe që nuk kanë sjellë asnjëherë stabilitet në sistemin elektoral.
Prej vitit 1992, Shqipëria ka ndryshuar aq herë sistemin e saj elektoral sa ka bërë zgjedhje dhe janë firmosur disa marrëveshje zgjedhore, por sa herë janë bërë, paktet janë përmbysur, zgjedhjet janë kontestuar dhe më pas e kanë pësuar sistemet zgjedhore dhe ato të administrimit të votës, duke mos zgjidhur në fakt asgjë.
Shqipëria ka qenë një kavie laboratorike ku janë eksperimentuar thuajse të gjitha modelet zgjedhore në botë; që nga mazhoritari i pastër dhe deri tek proporcionali puro.
Viti 1991
Zgjedhjet e para parlamentare shumëpartiake në Shqipëri u zhvilluan më 31 mars 1991. Parlamenti kishte 250 deputetë të zgjedhur direkt nga zonat në mënyrë mazhoritare.
Zonat elektorale nga ana demografike ishin lagjet apo këshillat e bashkuara të fshatrave. Për tu zgjedhur deputet duhej që kandidati të fitonte 50 plus 1 përqind të votave. Nëse nuk ndodhte dilnin në raundin e dytë 2 kandidatët që kishin marrë më shumë vota.
Në balotazh fitonte ai kandidat që merrte qoftë edhe një votë më shumë.
Viti 1992
Para zgjedhjeve parlamentare të 22 marsit 1992 ku për herë të parë fitoi një parti jo komuniste në Shqipëri, u krye reforma e parë elektorale në vend, e përgatitur nga një grup juristësh deputetë, të asistuar edhe nga ndërkombëtarët.
Kjo reformë konsistonte në uljen e numrit të deputetëve: parlamenti u bë me 140 deputetë, ku 100 zgjidheshin në zonat elektorale direkte, pra me sistemin mazhoritar, sipas një ndarje të re gjeografike në bazë të numrit të popullsisë, ndërsa 40 zgjidheshin me sistem proporcional.
Këto 40 vende shpërndaheshin sipas përqindjeve që partitë kishin fituar në nivel kombëtar dhe listave që ishin depozituar në KQZ.
Korrektimi kryhej duke i dhënë përparësi partive që kishin përfituar më pak nga pjesa e mazhoritarit. Përqindja e partive llogaritej në bazë të votave të fituara në raundin e parë, ku kandidonin të gjitha forcat politike, ndërsa të dytin vetëm ata të dyja që kishin fituar më shumë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ishte balancuar me përfaqësues të të gjithë partive që merrnin pjesë në zgjedhje dhe njësoj ishin edhe komisionet e qendrave të votimit.
Numërimi bëhej në qendrën e votimit, e cila nxirrte edhe procesverbalin zyrtar të votave, e më pas materialet dërgoheshin në magazinën qendrore të KQZ.
Viti 1996
Partia Demokratike që për katër vjet kishte marrë të gjitha pushtetet në vend nga Presidenti, Parlamenti, qeveria, pjesën më të madhe të pushtetit lokal dhe gjyqësorin, tregoi se nuk ishte ngopur me gjithë këtë pushtet.
Përpara zgjedhjeve të vitit 1996, ajo bëri një ndryshim në sistemin zgjedhor në vend, pasi kishte vënë re se Partia Socialiste kishte përfituar kuota proporcionale më shumë, edhe pse në zgjedhjet e 1992 mori vetëm 6 deputetë direkt.
Në mënyrë të njëanshme PD-ja, ndryshoi sistemin, duke vendosur zgjedhjen e 115 deputetëve direkt me sistem mazhoritar dhe vetëm 25 zgjidheshin me sistemin proporcional kombëtar. Edhe në këto zgjedhje vijoi sistemi mazhoritar alla francez me dy turne.
Viti 1997
“Kafshata e madhe” i zuri frymën PD-së që kishte gllabëruar të gjitha pushtetet dhe manipuloi hapur votimet e 26 majit 1996.
Pas një viti vendi shkoi në zgjedhje pas një revolte popullore dhe rënies dramatike të shtetit që i la vendin kaosit.
Në vitin 1997 u kryen zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u administruan nga një qeveri koalicioni me kryeministër socialistin Bashkim Fino dhe me një KQZ të balancuar.
Edhe pse sistemi electoral nuk ndryshoi, me kërkesën e PS-së, u bë ndryshimi i shpërndatrjes së vendeve në Parlament.
Sipas kësaj skeme, Parlamenti, nga 140 bëhej me 155 deputetë, ku 115 zgjidheshin direkt sipas sistemit mazhoritar me dy turne dhe 40 zgjidheshin sipas sistemit proporcional kombëtar.
Në vitin 1998, kur u miratua Kushtetuta e Republikës, Parlamenti u vendos në mënyrë taksative që do të përbëhej vetëm nga 140 deputetë, ku 100 zgjidheshin direkt e 40 sipas sistemit proporcional kombëtar. Ndërkaq, u vendos që Gjykata që do të shqyrtonte ankesat në zgjehdje do të ishte Gjykata Kushtetuese dhe jo një kolegj i posaҫëm.
Viti 2001
Në zgjedhjet e vitit 2011 nuk u bë ndonjë ndryshim thelbësor i sistemit zgjedhor, megjithëse pati një riformatim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me kërkesën e Partisë Demokratike. Por këto zgjedhje shënuan një zhvillim të paprecedentë, ku vetëm një zonë elektorale si Dushku i Lushnjës prodhoi 11 deputetë. Kjo ndodhi si pjesë e një skeme dinake të mazhorancës socialiste. Deri në atë kohë, ndarja proporcionale e 40 vendeve bëhej në bazë të rezultateve të partive në raundin e parë.
Por në qershorin e vitit 2001 u zhvilluan 3 raunde votash; dy në rang kombëtar dhe i treti vetëm në Dushk, ku si pasojë e trazirave të përgatitura u anuluan zgjedhjet e raundit të parë.
Si pasojë e përqëndrimit të pushtetit në Dushk, zgjedhje që opozita e PD-së i kontestoi, në këtë zonë pati një “përmbytje” e votave për partitë aleate të PS-së si PSD, PAD dhe PR etj, të cilët morën 11 deputetë vetëm nga rritja e votave në Dushk.
SHBA e BE e cilësuan këtë manovër si një lojë jo e ndershme që mazhoranca të merrte 2/3-at e Parlamentit që të zgjidhte Fatos Nanon President. Ndaj ndërkombëtarët kërkuan që Presidentin të mos e zgjidhte PS-ja, por ai të dilte si pjesë e një marrëveshjeje me opozitën.
Së bashku me marrëveshjen për Presidentin, u ra dakord edhe një ndryshim i formulës së KQZ-së, ku nëpërmjet anëtarëve që i zgjidhte Presidenti të emërohej një përfaqësues i opozitës.
Në zgjedhjet e 2001, në lojë hyri edhe Gjykata Kushtetuese, e cila shqyrtoi disa ankime të partive dhe në fund me vendim të formës së prerë ja dha mandatin disa deputetëve. Berisha e akuzoi kreun e Gjykatës Kushtetuese Fehmi Abdiun, si “Markabdia”, duke përdorur emrin e kreut të komisionit të garancive statutore në PS.
Viti 2003
Me ndërmjetësimin e OSBE-së, pas marrëveshjes së Presidentit Alfred Moisiu, si produkt i marrëveshjes Nano-Berisha, u ndryshua thelbësisht sistemi zgjedhor në Shqipëri.
U vendos të abrogohej sistemi mazhoritar me një raund, duke bërë të mundur që në 100 zonat e proporcionalit të zgjidhet ai kandidat që merr numrin më të madh të votave, duke eleminuar kështu balotazhin.
Si gjykatë zgjedhjesh u vendos krijimi i Kolegjit Zgjedhor, gjyqtarët e të cilit zgjidheshin me short nga gjykatat e apelit.
40 deputetët e proporcionalit u vendos të ndahen në një mënyrë të ngjashme me atë që quhet sot sistemi i “listave të hapura”. Por kjo nuk u bë me ligj, por duke jua lënë partive zgjedhjet. Kështu kandidatët e partive të ndryshme që nuk zgjidheshin në 100 zonat mazhoritare, përfitonin bonus në renditjen e listave proporcionale, nëse arrinin një numër të madh votash për partinë në votime.
Lindi kështu i ashtuquajturi “Megadushku”, që solli një ҫorientim dhe deformim të votës popullore së vitit 2005.
Nëse shikohen rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2005 vihet re se Partia Republikane ka fituar më shumë vota sesa Partia Demokratike dhe Partia Socialdemokrate ka marrë më shumë vota se Partia Socialiste.
Kjo ndodhi pasi u përdor një hile zgjedhore.
Partitë e mëdha, vendosën në 100 zonat një numër të madh “ kandidatësh të pavarur” pa sigël partie, duke u kërkuar elektoratit që të votonin për partitë aleate, të cilat në listat e tyre të proporcionalit vunë kandidatë “rezervë” të partive të mëdha.
Nga ky sistem përfitoi më shumë opozita e PD-së, e cila erdhi në qeveri në vitin 2005.
Ndërkaq, ndryshoi thelbësisht edhe modeli i administrimit të votave. Numërimi nuk bëhej në qendrat e votimit, por u krijuan Grupet e Numërimit të Votave që krijoheshin për ҫdo Zonë Zgjedhore. Krijohet kështu “profesioni” i numëruesve, të cilët ishin njerëz të fortë e besnikë të kryetarëve të partive. Në grupet e numërimit mernin pjesë vetëm partitë kryesore në Parlament, të tjerët kishin vëzhgues.
Viti 2007
Sipas kalendarit zgjedhor në Shqipëri duhej të zhvilloheshin zgjedhjet vendore në janarin e 2007-s.
Por Partia Socialiste, në opozitë që tashmë drejtohej nga Edi Rama, kërcënoi me bojkotim të zgjedhjeve lokale, duke kërkuar garanci për identifikimin e zgjedhësve.
Në atë kohë nuk ekzistonin letërnjoftimet biometrike apo pasaportat biometrike. Njerëzit votonin ose me letërnjoftim të kohës së Enver Hoxhës, ose me pasaportë udhëtimi, ose me certefikatë të posaҫme zgjedhore, e cila jepej nga gjendja civile.
PS-ja akuzoi të ndjerin Ferdinand Pone, zv.ministër i Brendshëm me delegim për pushtetin vendor, se po shpërndante certefikata false zgjedhore që do të përdoren nga njerëz militantë, të cilët do të votonin në emër të të tjerëve, kryesisht të emigrantëve që nuk ndodheshin në Shqipëri.
Me nismën e ministrit të jashtëm spanjoll, Miguel Angel Moratinos, kryetar i radhës së OSBE-së nisi një negociatë mazhorancë-opozitë ku si palë garantuese doli vullnetar Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu. Kreu i shtetit bëri bujë në atë kohë kur mbylli në Presidencë krerët e të gjitha grupeve parlamentare deri në arritjen e një pakti final, që u arrit dhe si bazë kishte vendosjen e një klauzole garancie për ҫështjen e certefikatave dhe shtyrjen e zgjedhjeve lokale në 18 shkurt të 2007-s.
Viti 2008
Edhe pse Shqipëria kishte ndryshuar thuajse në ҫdo zgjedhje sistemet elektorale dhe ato të administrimit, sërish rezultatet kontestoheshin nga pala humbëse dhe ҫdo raport i misioneve të OSBE/ODIHR-it i cilësonte proceset si jo sipas standardeve duke kërkuar përmirësime në mënyrën e administrimit të votës.
Në pranverën e vitit 2008, kur si pasojë e një shpërthimi në një fabrikë demontimi municionesh në Gërdec të Vorës vdiqën 26 persona, ndër ta edhe fëmijë dhe u plagosën 300 persona, e si pasojë situata politike u agravua shumë.
New York Times publikoi një shkrim ku akuzonte djalin e Kryeministrit Sali Berisha si pjesëmarrës në aferën e demontimit të municioneve në Gërdec.
SHBA, vendosi që t’i japë Shqipërisë ftesën e anëtarësimit në NATO me kusht që të riaktivizohet dialogu politik në vend. PD-ja e Sali Berishës, e shkatërruar nga imazhi vendosi të bëjë arrijë një marrëveshje dyfishe me PS-në, duke ndryshuar Kushtetutën, ku ju dha kompetenca shumë të mëdha Kryeministrit dhe u dobësua pushteti i Presidentit të Republikës, ndërkohë që u ndryshua komplet modeli zgjedhor në Shqipëri.
Si pasojë e këtij ndryshimi braktiset sistemi mazhoritar, duke importuar modelin spanjoll të sistemit proporcional rajonal. Shqipëria u nda në 12 zona zgjedhore sipas qarqeve, ku deputetë zgjidheshin sipas listave të depozituara në ҫdo qark dhe votat llogariteshin jo në nivel kombëtar por sipas ҫdo qarku.
Zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 u bënë sipas këtij sistemi, ku u krijuan kështu “Qarqet rozë” e “qarqet blu”, apo “qarqet kyҫe”, që vendosnin ekuilibrin e pushtetit.
Kështu në 2009-n, Lezha u kthye në “qark kyҫ”, pasi i dha mundësinë PD-së të rimerrte mazhorancën. Ndaj edhe 3 vjet më pas Lezha u kthye në qarkun e Luftës, që ҫoi edhe në vrasjen e një komisioneri.
Por as ky ndryshim nuk solli asgjë të re në besueshmërinë e një institucioni thelbësor siҫ është vota e lirë. Zgjedhjet e 2009-s u kontestuan, edhe ato të 2013-s ku PS me LSI morën 84 vota patën kundërshtime nga PD që akuzoi kundërshtarët për përdorimin e bandave.
E njëjta gjë ndodhi edhe në zgjedhjet e 2015-s, 2017-s, e 2019-ës, ku ndodhën histori që tashmë dihen dhe sistemi politik shqiptar u hodh në erë duke prishur traditën e mëparshme të zgjedhjeve me problem por gjithsesi “normale” në Shqipëri…/shqip











