Izraeli lëshoi një urdhër të ri evakuimi për një zonë më shumë se 40 kilometra brenda Libanit, duke thënë se lufta ndaj atij vendi është duke vazhduar. Sulmet erdhën pavarësisht se grupi i armatosur Hezbollah që mbështetet nga Irani dhe përfshiu Libanin në luftën e Lindjes së Mesme, ndërpreu operacionet ndaj Izraelit pas njoftimit të presidentit amerikan Trump për një armëpushim dyjavor me Iranin.
Kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif, i cili ka vepruar si ndërmjetës në konflikt, tha se armëpushimi dyjavor midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara duhet të zbatohej kudo, përfshirë Libanin, por kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu deklaroi se ai vend ishte i përjashtuar nga marrëveshja.
Edhe një zyrtar libanez i tha Agjencisë Franceze të Lajmeve AFP se autoritetet nuk ishin informuar për përfshirjen e Libanit në armëpushim. Ushtria e Libanit paralajmëroi banorët e zhvendosur që të mos ktheheshin në zonat jugore, pasi mund të përballeshin me sulme izraelite.
Pak para njoftimit të armëpushimit, një sulm izraelit në qytetin jugor të Sidonit vrau tetë persona, ndërsa në Tiri u godit një godinë banimi.
Sulmet e Izraelit në javët e fundit kanë vrarë më shumë se 1500 persona dhe kanë zhvendosur mbi një milion të tjerë, sipas autoriteteve libaneze, veçanërisht në jug, lindje të vendit dhe në periferitë jugore të Bejrutit, zona ku grupi i armatosur Hezbollahu ka ndikim të gjerë.











