Pesë milionë euro është vlera e investimit të qeverisë italiane në reformimin e sistemit arsimor profesional në vendin tonë. Memorandumi i bashkëpunimit u nënshkrua sot nga ministri i Rinisë dhe Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi dhe ambasadori italian në Tiranë, Alberto Cutillo.
Kjo vlerë do të investohet për ndërtimin e një qendre ekselence në sektorin bujqësor dhe atë agroindustrial pranë shkollave profesionale. Shkollat e Fierit dhe Lushnjes do të jenë përfitueset e para të kësaj mbështetje të qeverisë italiane, vijimësinë e së cilës edhe në projekte të tjera e konfirmoi vet ambasadori pas nënshkrimit të memorandumit.
Duke folur për mediat pas nënshkrimit të memorandumit, ministri Klosi deklaroi se reformimi i arsimit profesional është prioritet i qeverisë shqiptare dhe si i tillë ka filluar të konkretizohet me një sërë projektesh që kanë filluar të japin produkte të suksesshme.
Klosi u bëri thirrje bizneseve të tregohen bashkëpunues me institucionet e arsimit profesional, duke kontraktuar për nevojat e tyre të punës nxënës të përgatitur pranë tyre. Madje, ai sugjeroi që koha e mësimdhënies në shkollat profesionale të ndahet me 50% teori dhe 50% praktikë. Sipas tij, reforma në këtë sistem arsimor do të vijojë me shkollat e Vlorës dhe Beratit e më tej në mbarë Shqipërinë.
ATSH