Ka tre skenarë për të kuptuar se si mund të përfundojë lufta në Iran: “Fusha e betejës, manovrat e diplomacisë, hapësirat për një marrëveshje jo të paqartë”. Kështu analizon Charles Kupchan, 68 vjeç, ish-këshilltar i Barack Obamës dhe profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Georgetown.
Në një intervistë për gazetën italiane Corriere della Sera, Charles Kupchan, ka analizuar konfliktin në Iran ndërsa ka komentuar gjithashtu rolin e Donald Trump, tensionet me aleatët europianë dhe ka theksuar se, pavarësisht retorikës së ashpër, Shtetet e Bashkuara nuk do të largohen nga NATO.
Pas fjalimit të Donald Trump, çfarë zhvillimesh duhet të presim në luftën në Iran?
“Ndërhyrja e Trump-it ishte shumë e pritur, por në fund nuk iu përgjigj pyetjeve themelore, duke filluar nga kohëzgjatja e mundshme e luftës. Ishte ajo që në anglisht e quajmë një ‘no burger’ (një idiomë në anglisht që përdoret për të treguar se diçka është bosh, pa përmbajtje, zhgënjyese ose nuk ka vlerë reale)”.
Vetëm bukë?
“Vetëm bukë. Konsensusi i opinionit publik mbi sulmin ndaj Iranit ishte i ulët që në fillim dhe tani vazhdon të bjerë, edhe sepse çmimi i një galloni benzine (i barabartë me 3 mijë e 785 litra) ka kaluar katër dollarë. Mendoj se lufta do të zhvillohet në tre nivele. I pari, sigurisht, varet nga ajo që do të ndodhë në fushën e betejës. SHBA-të dhe Izraeli kanë goditur mbi një mijë objektiva, megjithatë aftësia e Iranit për kundërsulm nuk është eliminuar. Është e vërtetë që numri i raketave dhe dronëve të lëshuar nga Teherani është ulur, por nuk ka rënë mundësia për të goditur objektiva me vlerë të lartë. Madje duket se iranianët kanë përmirësuar përzgjedhjen e shënjestrave, prandaj mendoj se do të vazhdohet kështu, me sulme nga të dyja palët”.
Trump kërcënon të godasë infrastrukturat energjetike…
“Është një mundësi që duhet marrë në konsideratë. Në atë pikë do të kishte një përshkallëzim të rrezikshëm, sepse Irani do të synonte impiantet e desalinizimit në Gjirin Persik dhe impiante të tjera”.
Disa vende janë ofruar të ndërmjetësojnë. A mund të jetë një rrugë e mundshme?
“Ky është niveli i dytë: diplomacia. Ka shkëmbime mesazhesh mes Teheranit dhe Uashingtonit, edhe pse nuk e dimë nëse janë të drejtpërdrejta apo indirekte. Logjika thotë se të dyja palët kanë interes të kërkojnë një rrugëdalje diplomatike”.
Shumë do të varet nga fundi i luftës: do të ketë një marrëveshje apo thjesht Trump do të shpallë fitoren dhe do të ndalë bombardimet?
“Sigurisht, dhe kjo është analiza e tretë. Nuk do të ketë vetëm problemin e heqjes së rrënojave dhe rindërtimit të infrastrukturave. Mund të arrihet një armëpushim ose një paqe me hapësira të mëdha paqartësie. Irani mund të jetë ende në gjendje të kërcënojë lundrimin në Ngushticën e Hormuzit, ose fluksi i cisternave mund të ecë ngadalë. Është një problem që komuniteti ndërkombëtar e ka ngritur tashmë”.
Po koalicioni i promovuar nga Mbretëria e Bashkuar?
“Vetëm nëse do të nisë pas një zgjidhjeje diplomatike të luftës. Ai segment detar është shumë i vështirë për t’u kontrolluar. Iranianët mund të godasin lehtësisht anijet nga bregu, të lëshojnë dronë ose të shpërndajnë mina në ujëra. Nga ana tjetër, mendoj se përpjekja për të rihapur Ngushticën me armë është një mision shumë i ndërlikuar, ndoshta jashtë mundësive edhe të një flote të madhe ushtarake”.
Në sfond janë tensionet gjithnjë e më të ashpra mes Trump-it dhe aleatëve europianë. A do të largohet presidenti amerikan nga NATO?
“Më duket se europianët po humbasin durimin ndaj Trump-it. Pika e kthesës ndoshta u arrit me kërcënimin e tij për të pushtuar Groenlandën. Pastaj erdhi lufta në Iran, me ndikimin në ekonominë globale. Mesazhi i presidentit amerikan është në thelb ky: unë shkatërroj gjithçka dhe ju pastroni.
Megjithatë, europianët bëjnë mirë ta marrin seriozisht. Por në fund nuk besoj se SHBA-të do të largohen nga NATO. Qëndrimi në Aleancë është edhe në interesin e tyre. Dhe këtë e tregojnë pikërisht sulmet kundër Iranit: bombarduesit amerikanë kanë përdorur gjerësisht bazat europiane”.











