Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, inspektoi punimet në qendrën e re shëndetësore të Divjakës, i shoqëruar edhe nga deputeti i zonës, Erion Braçe si dhe kryetari i Bashkisë Divjakë, Fredi Kokoneshi.
Qendra shëndetësore e Divjakës, e cila po ndërtohet me fondet e Qeverise shqiptare, do të shërbejë për 55 mijë banorët e Bashkisë Divjakë.
Sipas ministrit Beqaj, kjo qendër e re do të mundësojë shërbim mjekësor për Bashkinë e Divjakës, duke shkurtuar distancat për qytetarët. Qeveria shqiptare -sipas ministrit të Shëndetësisë, do të përmirësojë ndjeshëm shërbimin Parësor si edhe do të kthejë fokusin te mjeku i familjes.
Edhe deputeti i zonës, Erion Braçe u shpreh se ky investim do të sjellë shërbimin shëndetësor më afër banorëve të Divjakës.









