Këtë intervistë me kryeministrin Edi Rama, që dritare.net e sjell sot të plotë dhe të paprekur, ai e ka dhënë më 20 shtator 1998. Asokohe Rama ishte ministër i Kulturës.
Rama flet për burgun e Berishës, për përmbysjen me dhunë të qeverisë ku ai është ministër, për marrëveshjen e turpshme të 9 marsit, për dorëheqjen e Nanos.
Kanë kaluar pothuajse 20 vjet qysh nga ajo kohë dhe ngjan sikur është sot.
Nga Rudina Xhunga
Parlamenti shqiptar i hoqi imunitetin deputetit Sali Berisha, i cili megjithatë, përflitet se nuk do të arrestohet.
Heqja e imunitetit është një akt i parlamentit shqiptar dhe është e drejtë e këtij parlamenti si institucion legjitim i shtetit shqiptar ta ndërmarrë këtë veprim. Kurse çështja e arrestimit është një çështje e Prokurorisë dhe nuk më përket mua, ta gjykoj, apo paragjykoj.
Nëse ministri i Kulturës, duhet të jetë i kursyer në shprehje, po qytetari Edi Rama a pranon se do t’i pëlqente ta shihte në burg Berishën?
I takon vetëm Prokurorisë të flasë dhe jo qytetarit Edi Rama, apo ministrit të Kulturës. Në bazë të provave që më duket se nuk mungojnë, si dhe në bazë të një procesi sa më të rregullt dhe të detajuar hetimor, Prokuroria do të marrë vendimin e saj. Por unë jam shumë i çuditur nga fakti që këtu gjithçka ndodh dhe gjithçka bëhet, mbetet për t’u gjykuar nga një subjekt i një grupi shumë të vogël njerëzish në raport me popullin shqiptar, sikundër janë politikanët, gazetarët, dhe të ashtuquajturit analistë, të cilët bëjnë çdo gjë, veç detyrës së tyre që e bëjnë jashtëzakonisht shumë keq. Kështu krijohet amullia dhe turbullira, prej nga është vështirë të dilet, andaj më është krijuar përshtypja se gjëja më e mirë është që secili të bëjë mirë punën e tij, pa ndërhyrë në punën e të tjerëve. Edhe çështjen e kryetarit të inkriminuar të PD-së, i takon Prokurorisë ta procedojë. Në bazë të një procesi të rregullt, nëse kjo Prokurori vendos masën e arrestimit, do të jenë gjykatësit ata që do japin vendimin përfundimtar.
Jeni shprehur në TVSH, pak orë pas çlirimit, se pakt me terroristin nuk bëhet dhe 9 marsi nuk duhet të përsëritet. Nuk po krijoni përshtypjen se 9 marsi ka për t’u përsëritur sërish, ndonëse në një tjetër formë?
Kur bëra këtë deklaratë, kisha parasysh dialogun. Ajo ç’ka të bëjë me penalizmin e një individi, kushdo qoftë ai, është problem i organeve kompetente, ndërsa unë reagova mbi mundësinë e dialogut me këtë person dhe grupimin që ai kryeson. Isha dhe mbetem prerazi, kundër çfarëdo dialogu me të, sepse ky njeri kryeson një grup të armatosur, prej të cilit, jo vetëm nuk është distancuar, por është munduar edhe ta paraqesë si bartës të revoltës së madhe popullore. Se ç’revoltë popullore ishte ajo, e panë të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Ishte një revoltë që degradoi në shkatërrimin e institucioneve dhe grabitjen e pasurisë së përbashkët dhe private.
A ka ngjashmëri mes ngjarjeve që trazuan Shqipërinë në marsin e shkuar dhe këtë shtator?
Të bësh një krahasim midis kësaj që ndodhi para pak ditësh dhe asaj ç’ndodhi vitin e kaluar, është krejtësisht spekulim. Ka elementë të përbashkët në momentet e degradimit të këtyre lëvizjeve, kur masa të caktuara njerëzish shkëputen për të vjedhur e për të grabitur, por pikënisja dhe qëllimi i tyre, janë krejtësisht të ndryshme. Ajo që ndodhi vitin e kaluar ishte shprehje e një populli në revoltë kundër një qeverie dhe kundër një presidenti që kishte shkelur krejtësisht të gjitha principet e demokracisë. Pavarësisht pse mori për shkak, rënien e piramidave financiare, që prekën drejtpërdrejt ekonominë e secilit, ishte shumë e qartë se revolta qe akumuluar prej gjithë atyre veprimeve krejtësisht anti-demokratike të regjimit. Ndërsa revolta e para pak ditëve është revoltë e një grupi të armatosur për të marrë pushtetin me dhunë. Kështu që nuk shoh asgjë të përbashkët mes marsit dhe shtatorit.
Ju duket se shteti shqiptar është peng i pushtetit?
Qëndrimi në një post, sidomos në Shqipëri, është natyrisht i lidhur ngushtë me gjithë veprimtarinë politike të gjithsecilit. Ajo që unë kam vënë re gjatë eksperiencës sime të shkurtër në qeverisje, është kaosi i madh brenda vetëpolitikës shqiptare. Më duket se ky kaos nuk krijohet vetëm nga përplasja e dy forcave kryesore në opozitë, që nuk di kur do ta gjejnë ndonjëherë gjuhën e përbashkët. Ajo që më tepër më shqetëson është kaosi brenda vetë koalicionit, ku ka shumë papërgjegjshmëri, mangësira, mungesë kohezioni, spontanitet deklaratash dhe kundërdeklaratash, nuk ka koherencë veprimi politik, mungon strategjia etj. Madje unë mund të them me plot gojën, se qeveria shqiptare po paguan në një pjesë të madhe haraçet e papërgjegjshmërisë së lartë të partive të koalicionit. Në këtë papërgjegjshmëri i përfshij të gjithë, ndonëse nuk mungojnë individët që e kanë përgjegjësinë dhe mundohen të bëjnë atë çfarë mund dhe duhet bërë në këtë situatë.
A mendoni se kryeministri Nano nuk e ka këtë përgjegjshmëri dhe duhet të japë dorëheqjen?
Do të isha hipokrit, nëse do thosha se nuk di të jetë kërkuar së fundi në deklarata politikanësh dorëheqja e kryeministrit, ndonëse pak preferoj të lexoj shtypin. Por nuk më takon mua të jap mendim për këtë çështje, për sa kohë jam anëtar qeverie. Është e drejta ekskluzive e kryeministrit, për të vendosur, nëse duhet, ose jo të japë dorëheqjen.
Dorëheqja e Nanos dhe arrestimi i Berishës, përfliten aq shumë këto kohë, sa është krijuar përshtypja se, sapo ato të ndodhin, Shqipëria do jetë ndryshe. Në të vërtetë?
Të kërkosh në mënyrë imperative plotësimin e këtyre kushteve, do të thotë të qëndrosh larg, shumë larg zgjidhjes së problemeve tona të vërteta. Ne i shikojmë gjithmonë gjërat në mënyrë periferike dhe duke menduar se i zgjidhim, në fakt i shtojmë problemet. Për më tepër, në këtë rast, kur vënia në një plan si dy anë të të njëjtit problem, të kryeministrit dhe personit tjetër, është e gjitha e gabuar dhe e pafrytshme. Unë nuk shoh as zgjuarsi, as ndonjë zgjidhje racionale në argumentin e atyre që mendojnë se largimi i këtyre dy njerëzve nga politika do të zgjidhte gjithçka.
Shqiptarët, pasi kaluan ditë nga më tragjiket e vitit, duket se shumë shpejt harruan dhe janë gati të besojnë se e gjitha ishte “një lojë”. Në të vërtetë ç’ishte sipas jush?
Kjo që ndodhi, kishte për rezultat atë ç’u mboll më 9 mars. Për mua 9 marsi ishte një dështim i madh i politikës shqiptare. Ishte një farsë e madhe, e cila praktikisht nuk arriti ta zgjidhë problemin. Ditët tragjike që kaluam të gjithë, ishin edhe fryt i drejtpërdrejtë i kulturës së dobët demokratike që kemi, i shkallës shumë të ulët intelektuale të klasës politike shqiptare, pse jo edhe i zbatimit të gabuar të idesë së pajtimit kombëtar.
Jeni penduar që u kthyet në Shqipëri, për të hyrë në një barkë e cila edhe mund të mbytet? Apo besoni edhe se do ta arrini bregun, shpejt?
Absolutisht nuk jam penduar që hipa në këtë varkë sepse në një demokraci të vërtetë koncepti i mbytjes nuk ekziston, përveçse në rastet kur ekuipazhi i shkel të gjitha rregullat e lundrimit. Pra kemi të bëjmë me një lëvizje ku gjithsekush bën atë që mundet dhe pastaj ia kalon stafetën dikujt tjetër.
Po ata që nuk duket ta mendojnë kështu dhe veçse kritikojnë?
Nga kritikat e vazhdueshme që dalin nga tribuna të ndryshme partish, lexohet fare qartë mentaliteti komunist që e sundon politikën tonë, sipas të cilit kritikat i drejtohen njerëzve dhe jo argumenteve të tyre.