• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, March 13, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Intervista/ Gazetari shqiptar: Ju rrëfej jetën në Molenbeek

by A R
24/03/2016 09:20
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Atentatet më të fundit në Bruksel kanë tronditur mbarë botën e civilizuar, duke ngritur pyetje e dilema nga më të ndryshmet: Përse? Përse Belgjika ka krijuar në zemër të saj këtë habitat ndjenjash kaq të këqia, kaq shkatërruese? Përse nga lagja Molenbeek, vetëm 16 minuta larg qendrës së Brukselit, kanë dalë terroristët më të egër të viteve të fundit? Përse këta breza marokenësh, të lindur e rritur në aromën e të drejtave dhe privilegjeve evropiane, po kthehen në vrasës e shkatërrues? Përse?

Prej 2 vitesh, që kur u detyrua të lërë Shqipërinë pas plagosjes në krye të detyrës me 21 janar 2011, jeton në zemër të Molenbeekut kolegu ynë, gazetari Fatos Mahmutaj. Akoma më shumë: Fatosi jeton vetëm 50 metra nga shtëpia e terroristit të teatrit Bataclan, Salah Abdeslam, i cili u arrestua vetëm një javë më parë.

Edhe një tjetër gjë: Kam punuar me Fatos Mahmutajn dikur në Gazetën Shqiptare e News24; ishte ndër të paktët kolegë gazetarë praktikant mysliman. Fatosi, për mua, (edhe pse asnjëherë nuk kemi pasur mundësinë të këmbejmë mendime rreth kësaj), në distancë, më dukej njeriu që sheh në fe korrektësinë dhe drejtësinë, mirësinë dhe mirësjelljen. Fatosi dallonte nga kolegët e tjerë për mirësjelljen, edukatën, që ta pranojmë, nuk është shumë e përhapur mes nesh. Pastaj, më vonë, ndërsa i duhej të zgjidhte: të manipulonte të vërtetën e të rrinte rehat, apo ta thonte atë me zë të lartë, ai zgjodhi të dytën, duke rrezikuar veten dhe familjen.

Ja pse, unë sot, për të shpjeguar, për të kuptuar se pse lindin terroristë në Molenbeek dhe në Bruksel, dëshiroj të pyes pikërisht Fatos Mahmutajn.

Fatos, kush më mirë se ju mund të na qartësojë për atë që po ndodh në Molenbeek. Përse kjo urrejtje shkatërruese në këtë lagje të Brukselit?
E parë në kolmpleksitetin e Brukselit, një qytet në të cilin jetojnë 102 komunitete nacionale të ndryshme Molenbeeku identifikohet shpeshherë si një geto marokenësh. Kjo për vetë faktin që më tepër se gjysma e popullsisë së kësaj lagjeje i përket origjinës marokene, edhe pse janë shumë pak të lindurit në Marok.

Pjesa dërmuese e banorëve të Molenbeekut i përkasin gjeneratës së dytë dhe të tretë. Gjithashtu Molenbeeku është komuna që ndodhet më pranë asaj të qëndrës së Brukselit, ose më saktë e rrethon qëndrën thuajse nga tre anë dhe si e tillë shihet si një zonë e lakmuar për të punësuarit në Bruksel, ose banorët që nuk pëlqejnë makinat personale. Në Molenbeek kalojnë dhe kryqëzohen të gjitha linjat e metrosë së Brukselit. Duke e parë pak më larg, se dekadat e fundit do desha të shtoja se, Molenbeku është gjithashtu kartieri që përshkrohet më gjatë nga kanali i artificial dhe që në territorin e komunës ndodhet edhe një pjesë e konsiderueshme e portit të Brukselit.

Kështu, vite më parë, në të dy anët e kanalit ndodheshin mjaft pika të industrisë së lehtë, fabrika që punonin me lëndën e parë të gatshme dhe mjaft magazina të ndryshme. Por zhvillimet e shkencës dhe nevoja për t’i zgjeruar këto biznese bëri që të zhvendoseshin në zona të tjera jashtë Brukselit, duke i lënë godinat si ngrehina të braktisura. Kjo ishte një nga arsyet që Molenbeeku, në vitet ’80 të kthehej në një zonë të lirë përsa i përket tregut të banesave. Ose më saktë të vendosej një lloj kufiri, i cili është prezent edhe sot, duke e ndarë këtë lagje në dy pjesë, në Molenbeekun e Ri, dhe atë të Vjetër, ose më saktë në Molenbekun e banesave tipike 3-4 katëshe, të ngjitura me njëra-tjetrën dhe në atë të pallateve të larta, 30-40 katëshe dhe vilave me hapsira midis dhe kopshte. Ky ishte momenti kur gjenerata e parë e marokenëve blenë banesat, të cilat shiteshin lirë nga vendasit, që zgjidhnin periferinë.

Rreth 10-15 vjet më parë një pjesë e mirë e ngrehinave të braktisura u transformuan në magazina dhe biznese të vogla, ose dhe hotele luksoze, por asgjë nuk i joshi sërish vendasit të riktheheshin në Molenbeek. Pranimi në BE i vendeve të Ballkanit Lindor, solli në Belgjikë një numër të konsiderueshëm rumunësh, të cilët gjetën ‘bazë’ në komunën ngjitur Anderlecht dhe duke krijuar një konflikt psikologjik dhe shpeshherë fizik me marokenët, çka i zhvendosi këta të fundit drejt Molenbeekut.

Kjo ishte ‘prurja’ e fundit e marokenëve në Molenbeek dhe njëkohësisht më e madhja. Mjafton të përmëndim një shifër rekord: Vetëm në 2014 popullsia e Molenbeekut u rrit 130% dhe nga të rinjtë 95% ishin marokenë! Një nga arsyet ishte edhe fakti se në këtë komunë më tepër se 80% e personelit i përkasin këtij komuniteti, çka u lehtësonte procedurat. Kjo dyndje marokenësh, bëri që çmimet në Molenbeek të pësonin edhe një herë ulje dhe me zhvillimet e muajve të fundit, mendohet se kanë pësuar akoma rënie.

Fakti që Molenbeeku (veç, i vjetri) shihet si një ‘geto’ marokenësh ka përpunuar në vite dhe dekada opinionin e një kufiri imagjinar që rrethon këtë lagje. Edhe pse ekziston një komisariat policie, në këtë kartier shpesh policët janë mjaftuar veç me angazhimin me ngjarje të mëdha duke anashkaluar krimet e vogla ordinere, të cilat në më të shumtën e kohës dhe rasteve janë zgjidhur nga vetë komuniteti. Kjo është një tjetër arsye që kufiri ndarës mes dy kulturave të shihet fizikisht edhe nga banorët e Molenbeekut dhe jo vetëm nga të tjerët.

Të gjendur në këtë situatë, e cila shpesh shkonte edhe në përbuzje ndaj marokenëve, i detyroi këta të fundit që fëmijët t’i dërgonin në shkolla marokenësh, në lagje të mbizotëronin marokenët nëpër të gjitha llojet e bizneseve, (veç bar-kafeve që janë shqiptare në mbarë Brukselin). Po kështu marokenët krijuan zona tregtare sipas stilit të tyre në rrugët e Molenbeekut, apo pazaret e rëndomta siç quhen nga të tjerët, ku me shaka ose ironi, sipas rastit, e quajnë Molenbeekun Casablanca e Vogël. Tani, duke iu rikthyer pyetjes suaj, mendoj se këto ishin arsyet nga të cilat ka rrjedhur urrejtja.

Ju jetoni në zemër të Molenbeek prej vitesh, vetëm 50 metra larg shtëpisë ku u arrestua terroristi i Bataklanit, Salah Abdeslam. Asnjë nga atentatorët nuk mësohet se të ketë qenë i varfër, çfarë i rebelon në këtë masë e i bën të urrejnë e të luftojnë Europën pritëse? Sipas statistikave Belgjika zë vendin e parë mes vendeve europiane për furnizimin në proporcion të luftëtarëve xhihadistë. Përse?
Në një vend si Belgjika, ku standartet e jetesës janë të kënaqshme nuk mund të flitet për varfëri në ekstremin e saj, siç njihet rëndom. Politikat sociale janë të tilla që u krijojnë banorëve kushte normale jetese. Veç kësaj të punësuarit krijojnë edhe disa privilegje të tjera, ku ndër më të lehtët dhe fitimprurësit është blerja e banesave dhe dhënia e tyre me qira, pasi kërkesa është tepër e lartë. Sigurisht marokenët nuk bëjnë përjashtime.

Por ndyshe nga kjo, gjenerata e dytë dhe e tretë, të cilët nuk e njohin Marokun, (ose nuk e kanë vizituar kurrë, ose kanë bërë pushimet e verës në resortet turistike të këtij vendi), mendojnë se urrejtja ndaj tyre është vetëm për shkak të ngjyrës së lëkurës dhe jo kulturëve të ndryshme. Është fakt se vullnetarët belgj në Siri dhe Irak i përkasin tërësisht gjeneratave të lindur këtu dhe jo atyre të ardhurve nga Maroku.

Gjithashtu është fakt se luftëtarët kanë qenë përdorues të narkotikëve, alkoolit dhe jo rrallë frekuentues të klubeve të homoseksualëve, (Abdelslam Salah, psh) çka bie ndesh edhe me vetë fenë islame. Për këto shkaqe, ky kontigjent, nuk arrinte ta gjente veten as mes bashkëpatriotëve të tjerë, të cilët i përzinin shpesh nga xhamitë, por as edhe mes të tjerëve, të cilët i shihin si ‘marokenë’. Pak nga pak urrejtja e kultivuar mbërriti deri në ekstremizëmat e kohëve të fundit.

Si është një ditë e zakonshme në Molenbeek. Eshtë e vërtetë që ka 22 xhami aty?
Po është e vërtetë në Molenbeek ka 22 xhami, dhe krahasuar me ato të Shqipërisë këtu janë disaherë më të mëdha. I vetmi ndyshim është se nuk kanë minare. Nëse do më lejonit, do thoja që dita në Molenbeek nis dy herë. Të parët janë të punësuarit, ose pjesa dërmuese e banorëve të cilët e nisin ditën që në orët e para të saj. Kurse të dytën pas orës 10 të mëngjesit.

Kjo është kategoria e atyre që jetojnë me asistencën sociale ose atë të punës, ose shkurt ‘parazitët’. Po në këtë orë e nisin ditën edhe femrat, të cilat në pjesën e tyre dërmuese janë të angazhuara veç si shtëpiake. Ndryshe nga pjesa tjetër e Belgjikës bizneset në Molenbeek hapen pas orës 10:00 dhe mbyllen njëlloj si të tjerët rreth orës 18-19:00. Orët e mesditës janë momentet kur nëpër rrugët e Molenbeekut mbushen me femra dhe meshkuj të veshur sipas mënyrës marokene, aq sa shpesh të krijojnë përshtypjen se nëpër trotuare nuk ka vend për të kaluar.

Kemi punuar disa vite bashkë dhe kujtoj se ishit ndër të paktët gazetarë shqiptarë, njëkohësisht edhe praktikant i fesë myslimane. Shumë zëra në Europë e lidhin fenë muslimane me terroristët, të tjerë sjellin shembujt e profecisë së Oriana Fallaçit. Si e gjykoni ju?
Mendoj se religjonet në përgjithësi janë shumë larg terrorizmit. Këtë të fundit nëse do e shihnim nën optikën e feve do na dukej sa musliman, aq edhe i krishterë, budist etj. Kujtojmë rastin e Breivik në Norvegji apo krimet e budistëve në Kashmir e Burma. Ajo që është e rëndësishme, në Molenbeek, policia i mori përgëzimet e para për arrestimit të Abdelslam Salah, prej përfaqësuesëve të fesë muslimane. Ishin pikërisht këta që u distancuan të parët dhe dënuan shpërthimet e të martës. Në Bruksel jetojnë 102 komunitete të ndyshme nacionale.

Turqit psh që nga vitet ’70 drejtojnë një komunë dhe kanë disa deputetë në parlament. Këta shihen me respekt nga nga belgjit. Për disa vite Belgjika u qeveris nga Elio di Rupo, italian i ardhur si emigrant në Belgjikë. Kongolezët gjithashtu kanë përfaqësuesit e tyre në politikë. Thuajse të gjithë komunitetet e mëdha janë të përfaqësuar. Belgjika u ka dhënë të gjithëve shanse të ndihen të barabartë dhe nuk mendoj se ka vend për probleme, aq më tepër terrorizmi. Pjesëmarrja në homazhet e djeshme tregoi se Belgjika është e gjitha e bashkuar kundër terrorizmit.

Si gazetar, besimtar mysliman, azilant i larguar nga Shqipëria pas plagosjes së 21 janarit dhe kërcënimeve nga pushteti i atëhershëm, me gjithë këtë eksperiencë, mendon se mund të ketë një rrugë dalje nga kjo urrejtje me vrasje në zemër të Europës?
Që pas atenateve të nëntorit në Paris, qeveria belge ka nisur zbatimin e masave për ndryshimin e relaitetit në Molenbeek. Imediate është zbatimi i urdhëresës në komunë për të mos regjistruar kategorikisht asnjë banor me origjinë marokene. Po ështu ministri i Brendshëm do të jetojë familjarisht në këtë komunë. Problem më i madh mbetet veç arsimimi.

Jo vetëm mungesa e të shkolluarve nëpër universitete, por edhe arsimimi sipas metodikave në vendin e origjinës. Prania e policisë nëpër rrugët e Molenbeekut ka kthyer sigurinë në to duke e shndërruar momentalisht në kartierin më të qetë në të gjithë Europën. Dhe me thënë të drejtën nuk duket e largët dita e marrjes së fruteve të para nga zbatimi i këtyre masave. Nëse deri pak muaj më parë, shqiptarët ishin të vetmit që jetonin të qetë në Molenbeek, pasi ekzistonte mentaliteti se, çdo problem me shqiptarët është i humbur, tani kanë nisur të popullojnë edhe kombësi të tjera. Marokenët pak nga pak po e braktisin ‘geton’ e tyre duke u shkrirë mes komuniteteve të tjera./Shqiptarja.com

Next Post

Tregu i përbashkët energjetik ul çmimin e rrymës për 10 për qind

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Sulmet mbi Irak: Rrezikohet jeta e ushtarëve italianë, tërhiqet një pjesë e kontigjentit

Sulmet mbi Irak: Rrezikohet jeta e ushtarëve italianë, tërhiqet një pjesë e kontigjentit

March 13, 2026
I riu hyri i armatosur në resortin e Trump, ja ku ndodhej Presidenti në momentin e ngjarjes

Çfarë “loje” po luan Trump? Pse qëndrimet e presidentit amerikan janë kontradiktore

March 13, 2026
CNN: Administrata Trump nënvlerësoi rrezikun e mbylljes së Ngushticës së Hormuzit nga Irani

CNN: Administrata Trump nënvlerësoi rrezikun e mbylljes së Ngushticës së Hormuzit nga Irani

March 13, 2026
Muaji i Shenjtë i Ramazanit, kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij shtrojnë Iftar për besimtarët

Kryeministri Rama ndan videokartolinë nga mbrëmja e iftarit

March 13, 2026
Përshkallëzohet tensioni në Lindjen e Mesme, shpërthime të fuqishme në Teheran

Përshkallëzohet tensioni në Lindjen e Mesme, shpërthime të fuqishme në Teheran

March 13, 2026
Avokati: Nëse sot bëhen zgjedhjet, socialistët marrin 95 mandate

Avokati: Nëse sot bëhen zgjedhjet, socialistët marrin 95 mandate

March 13, 2026
Votoi kundër arrestit të Ballukut, Ardit Bido: Mentaliteti i prokurorëve si në komunizëm, kap fut njerëz në burg

Votoi kundër arrestit të Ballukut, Ardit Bido: Mentaliteti i prokurorëve si në komunizëm, kap fut njerëz në burg

March 13, 2026
Historia e Ditës së Verës, që zë fill nga ‘Zana e Çermenikës’

Dita e Verës në Tiranë, devijohet trafiku për 2 ditë! Ja rrugët që do të bllokohen

March 13, 2026
Të shtëna me armë zjarri në Sarandë, policia gjen 3 gëzhoja në vendngjarje

Qarkullonte me armë zjarri në automjet, arrestohet 41-vjeçari në Tiranë

March 13, 2026
U aksidentua në aksin Rrile-Shënkoll, ndërron jetë 20-vjeçari në spitalin e Traumës

U aksidentua në aksin Rrile-Shënkoll, ndërron jetë 20-vjeçari në spitalin e Traumës

March 13, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In