• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Thursday, February 5, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Intervista / Adrian Gurma, një mjek për Sarandën e sëmurë nga zhvillimi…

by A R
24/06/2019 18:33
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

“ Fuqia e këtij qyteti për ti pranuar të gjithë është vlera e tij kryesore. Por do ta fitojë dhe identitetin urbanistik. Nuk është e pashpresë…”

Adrian Gurma flet për idetë e tij se si qeveria duhet të ndihmojë garantimin e tregut të punës për investitorët në Sarandë, ndihmën që duhet tju japë qytetarëve dhe operatorëve turistikë të konkurojnë me tregun fqinj dhe si Saranda të mbetet një ofertë në tregun ndërkombëtar të turizimit.

Ai gjithashtu flet se si duhet të integrohet jeta kulturore, sportive, fuqia e rinisë dhe pasuritë kulturore të Sarandës në këtë treg.

Ndiqeni një bashkëbisedim të gjatë të tij me botuesin e gazetës Tema, Mero Baze

Në fushatën e vitit 2017, një miku im më ftoi të shkoja për një kafe në Nivicë të Sarandës. Për shkak të një beteje time të gjatë në TV dhe gazeta për të mbrojtur të drejtën e tyre mbi tokat në Kakome, të cilat fillimisht Nano, e më pas me brutalitet Berisha, ua bëri dhe më të pashpresë të drejtën e tyre, isha ende shumë popullor tek banorët që në fakt nuk i njihja nga afër.

Të rreptë, shpesh herë të egër, por të drejtë, ata janë ndoshta një komunitet unik, një lloj sekti etnokulturor që duan gjithnjë të dëgjohen.

Tek Rrapi i Madh i fshatit takova Adrian Gurmën, një fytyrëqeshur i palëkundur, në kontrast me portretet historikisht nervoze të pleqve të Nivicës, nën degët e Rrapit.

Ai ishte kandidati për deputet i Partisë Socialiste në zonën e Nivicës dhe Bregdetit. Kafja me pleqtë e fshatit shkoi shumë mirë. Folëm për kohën kur u përplasën me Nanon, pastaj me Berishën në vitin 2009, kur ai u çoi forcat speciale, dhe më pas u kujtova jo pa humor, se çfarë më kishte ndodhur më 2013, kur socialistët po riktheheshin në pushtet bashkë me LSI.

-E dime, e dimë që na gënjejnë të gjithë,- tha një prej pleqve, por kemi dhe ne qejf ta mbajmë mend ato që na thonë. Aq më tepër që këtë e kemi gjakun tonë.

Gurmajt janë një fis i njohur i Nivicës, të vendosur kryesisht në Sarandë në vitet 30-të.

Anastas Gurma, babai i Adrianit, është një ish ushtarak karriere, që në fund e mbylli karrierën si komandant i Divizionit “Labëria” në Gjirokastër, të cilin e ringriti pas trazirave të vitit 1997.

Një ushtarak i apasionuar, që ka shkruar artikuj pa fund mbi historinë e luftës dytë botërore në atë zonë, sidomos zbarkimin e misionit anglez në Kakome, italianët e pushkatuar nga gjermanët në Sarandë, por dhe zbarkimin dhe humbjet e ushtrisë austriake më 1914 që zbarkoi nga Korfuzi.

Adriani e kaloi adoleshenën dhe gjimanzin në Delvinë e Sarandë, pastaj u shkollua për mjekësi në Tiranë dhe bëri specializime për radiolog në Tiranë dhe Korfuz.

Prej vitit 1998 ai punoi si mjek, fillimisht në Sarandë dhe prej vitit 2002 në Tiranë.

Për vite të tëra zbriste nga Tirana në Sarandë çdo fundjavë, jo vetëm për prindërit e tij,  por dhe për një program echografie dhe mamografie në bashkëpunim me një nga klinikat e qytetit.

Ndoshta ky ishte ai filli që nuk e shkëputi kurrë nga qyteti I tij.

Në vitin 2017, ai kandidoi në listën e Partisë Socialiste për deputet në zonën e origjinës së tij në Nivicë, dhe gjithë bregdetin.

Kjo ishte tërheqja e tij e parë për politikë. Ai përmirësoi ndjeshëm rezultatin e Partisë Socialsite në Nivicë, një fshat i zemëruar me politikën, për shkak të historisë së pazgjidhur kurrë të pronave të tyre dhe investimeve në turizëm në atë zonë.

Duket se pas zgjedhjeve të 2017 politika filloi ta tërheq pak nga pak në habitatin e saj. Pas një piriudhe të shkurtër si drejtor në Fondin Shendetësor në Tiranë, ai u emërua si Nënprefekt për Sarandën në Prefekturën e Vlorës dhe sot është kandidati për kryetar bashkie të Sarandës, në një qytet ku Adriani mendon se tani ka problemin që emri i tij, të justifikoj mbiemrin.

Doja të shmangja këto intervistat klasike me bashkiakët, sidomos në këtë zgjedhje, ku gara është viktima e sigurtë e zgjedhjeve. Dhe fola gjatë me të për të kuptuar çka ndërmend të bëj me Sarandën.

Gjëja e parë shokuese për Sarandën, për ne që e kemi njohur atë nga vitet ‘80, një qytet i bardhë, tre katësh, me ballkone nga deti, me bougonvile dhe shkallare që bien mbi det, janë natyrisht ndërtimet e reja, që duket se kanë zhdukur Sarandën që kemi në mendje.

-Çdo bësh me këtë qytet?

-Nuk e kthej dot kohën pas . Nuk mund ta rikthej dot ty dhe brezave më të vjetër, nostalgjinë për Sarandën e parajsës së vogël buzë Jonit.

Por ajo që më bën përshtypje është se të huajt që vijnë nuk janë kaq të shokuar sa ne. U duket një qytet tipik mesdhetar, i zhvilluar rrëmujshëm, por që ka të ardhme. Ata duan dhoma, duan shërbime, duan lehtësi komunikimi, ujë drita dhe qetësi.

Tani Saranda nuk është më vetëm e jona, nuk është ajo e kujtimeve tona, as e nostalgjisë sonë. Nuk duhet të bëhemi egoistë.

Tani Saranda është një ofertë në tregun ndërkombëtar të turizimit dhe ne duhet të nxitojmë ta bëjmë atë pjesë të qëndrueshme të këtij tregu.

Kemi fatin që jemi përballë ishullit të Korfuzit, një prej destinacioneve turistike më të njohura në botë. Kur dikush do ti shesë një apartament një suedezi, apo danezi, apo gjermani, mjafton ti thuash që shtëpia shikon nga Korfuzi dhe i ke ndryshuar perceptimin e tij për investimin që do të bëjë.

Natyrisht, do të kishte qënë një mrekulli sikur të ishim treguar shoqëri e përgjegjshme duke e zhvilluar Sarandën ashtu siç duhej, por do të jetë akoma më e papërgjegjshme sikur të rrijmë e të vajtojmë tani duke humbur shansin ta bëjmë pjesë të tregut ndërkombëtar të turizmit.

-Sikur për një moment këto pallatet të ishin kartona dhe të mos i përfillje, çfarë do të filloje të bëje?

-Nuk dua ti quaj kartona. Janë miliona të derdhura nga djersa e shqiptarëve, pavarësisht se qeveritë e mëparshme nuk kanë mundur ti orientojnë dejt investimet e tyre.

Saranda, nëse do të flas pak si mjek, është si një pacient që ka stenozë në vena. Ka një bllokim rreth 90 për qind të enëve të qarkullimit të gjakut. Qyteti vjetër, nëse do quajmë kështu Sarandën e para viteve 90, ka pesë rrugë, të cilat mblidhen si salçiçe në një rrugë që të çon në zonën më të zhvilluar turistike, Hotel “Butrinti” –  Kanali I Çukës.

Urgjente për mua është vazhdimi i rrugës 3, 4, 5 dhe në pjesën tjetër të qytetit, duke I kombinuar dy rrugë hyrëse dhe dy rrugë dalëse. Vetëm kjo e shëpton qytetin nga vdekja. Do të jetë një verë e vështirë që qindra mijëra turistë të kalojnë në një rrugë 7 metra të gjerë drejt plazheve. Do të jetë kolaps. Është urgjente hapja e rrugëve në gjithë pjesën nga Hotel Butrinti tek Kanali i Cukës. Kjo është gjëja e parë që do të bëja.

Një tjetër prioritet kyç është ndërtimi i një terminali autobuzash për linjat interubrane që të mos hyjnë në qytet, duke aplikuar këtu edhe disa nga metodat bashkëkohore Park&Ride. Metoqi është vend ideal për këtë, duke shtuar shërbimin urban nga terminali I autobuzëve drejt qytetit pa ndërperje. Projekti i ujësjellësit po ashtu duhet të mbetet ndër prioritet e qytetit. Saranda është një qytet i rrethuar nga uji, që ende vuan për ujin e pijshëm.

Pallatet nuk më pengojnë. Hapësirat janë midis tyre dhe ato prona mund të rivlerësohen shumë më tepër se tani.

-Saranda natën është një mrekulli, një Montecarlo, por ditën është një trishtim. Herë herë më duket si ato nuset e fshatit që tentojnë të bëjnë tualet, e shëmtohen më shumë…

-Nuk është aq tragjike sa e bëni. E kuptoj nostalgjinë për “qytetin e regullt” të kohës vjetër, por duhet të mësohemi me zhvillimin. Ndoshta ngjyrat duhen parë dhe një lloj identiteti si qytet mesdhetar mund t’ia japim. Mund të fuqizojmë ngjyrën e bardhë në fasada, të humbasim konturet e mëkateve të urbanistikës, mund të forcojmë detaje në rrugicat mesdhetare me boungovile apo ngjyrën e detit, por kjo do dhe pak dashuri nga vetë banorët dhe investitorët. Por nuk mendoj se kjo është një problem I pakorrigjueshëm.

-Kemi një probem kur flasim bashkë, se unë të flas për Sarandën që unë dua si turist, kurse ti votat do ti marrësh nga ata që janë banorë. Lere “hallin” tim, por a e ke kuptuar çfarë duan ata?

-Mos i nda. Dhe ata duan atë që doni ju si turist, pasi ata duan ta bëjnë Sarandën të mirë për ju. Në shumicën e kërkesave, dominojnë natyrisht shërbimet, pastërtia,  transporti publik, transporti ndërkombëtar me Korfuzin, tregjet e qytetit, politikat fiskale, etj. Thjesht duan të gjejnë mënyra si ta përdorin tregun e turizmit për një jetë më të mire. Saranda nuk ka shans tjetër përveç tregut ndërkombëtar të turizmit.

Qyteti duket se po mendon më shumë se politika për këtë. Shikoni agjensitë e ndërmjetësimit të shitjeve të banesave, shkoni sa shpejt e kanë aplikuar sarandjotët AirBnB dhe Booking.com. Shikoni si kanë avancuar shërbimet në hotele apo shtëpi. Shikoni çfarë sigurie ka në qytet gjatë sezonit, ku vet qytetarët janë gardianët kryesorë të saj. Është  forcimi i një identiteti që Saranda e ka pasur tek qytetaria dhe mikpritja. Tani po merr dimension ndërkombëtar.

-Meqë jemi tek identiteti I Sarandës. Cili është ai. Një qytet I urbanizuar shekullin e kaluar, me komunitetet nga bregdeti, me pakicë greke, me komunitet cam dhe lab, …Si ja bëni si Ballkan i vogël?

– Saranda e ka fituar betejën e identitetit të saj qytetar. Si një qytet që mban të integruar disa komunitete me identitete të forta, ajo ka magjinë ti fus në spiralen e vet dhe ti mbaj rrotul identitetit të saj. Vetëm këtu ti e kupton se si pilurjotët, çamët, lebërit, nivicjotët apo minoritarët sillen një herë si sarandjotë, pastaj sipas riteve të komunitetit të tyre. Nuk ka kurrë konflikte mes tyre, ka martesa dhe bashkejejesë mes tyre. Mbi të gjitha është një pasuri që nuk e kanë qytetet e tjera. Dhe jo vetëm aranda. Ksamili është një klonim I këtij identiteti. Aty bashkejtojnë verorë, jugorë, minoritarë e çam, po njësoj si në Sarandë. Identieti I Sarandës është pikërisht tolerenca si një shoqëri e hapur dhe aftësia e qytetit për të prodhuar fuqi  dhe mundësi zhvillimi duke i përdorur të gjithë.

–Socialsitët kanë 6 vite në pushtet. Çfarë kanë bërë mire dhe keq për Sarandën?

-Ajo që kanë bërë mire për Shqipërinë, është e mirë dhe për Sarandën. Kanë ringjallur qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë, kanë investuar në qendra urbane dhe kanë politika të mira të nxitjes së investimeve në turizëm. TVSh 6 për qind është një lehtësi e madhe për qytete si Saranda që turizimin e ka biznes të vetëm. Hartimi i planit urbansitik të bregdetit po ashtu. Investimet në infrastrukturë janë të prekshme, mjafton të kujtosh si ishte katandisur rruga hyrëse e qytetit ose problemet permanente me ujin dhe dritat. Shumë qytete rrotull Sarandës që ishin duke u shkretuar si Delvina, Konispoli, tashmë janë rilindur.

Ajo që do thoshja për Sarandën si kritikë, është një farë mungese kordinimi në prioritetet që ka Saranda. Të gjitha investimet janë të nevojshme kur bëhen, por disa janë shumë të nevojshme, madje urgjente. Fjala vjen hapja e tre rrugëve në pjesën juglindore të qytetit, është prioritet i prioriteve, ndoshta më shumë se disa projekte të tjera të realizuara në Sarandë.

Kjo ka ardhur se Saranda pati një lloj shpërqëndrimi politik, pas ikjes Kokdhimës dhe disa projekte janë spontane , për inerci dhe jashtë një vemendje reale për qytetin.

-Të kalojmë tek interesat e një qytetari të thjeshtë sarandjot që merret me turizëm. Çfarë do ti thoni atij?

-Nuk kam shumë gjëra për tu thënë se janë më të zgjuar se unë për të bërë biznes. Ato që ata më kërkojnë janë të qarta.

Duhet një përcaktim i kohëzgjatjes së sezonit turistik me vendim të këshillit bashkiak nga Prilli në Tetor, me qëllim që të ridimensionohet aktiviteti i tyre në këtë periudhë.

Duhet të jemi gati si bashki që inspektoriatet tona të garantojnë ofertën e turizmit, përsa i përket cilësisë , sigurisë dhe shërbimeve të tjera.

Duhet të krijojmë mundësi që të thithim turistët e kroçierave, duke krijuar infrastrukturë për zbritjen e tyre në qytet, dhe një ofertë unike të Sarandës për ta. Një gjë identitare që ata të jenë të qartë, çfarë mund të hanë apo konsumojnë nga një zbritje e shkurtër.

Duhet të forcojmë turizmin e artizantit, që  të fitojnë sarandjotët që punojnë si artizanë, dhe të fitoj identitet ky lloj turizmi. Këtu do ndërhyjmë.

Duhet të fitojmë betejën e informimit digital dhe në rrjet. Duhet të fuqizojmë portalin “Visit Saranda”, si pronë të Bashkisë dhe aty të kemi link në çdo hotel të qytetit, në çdo ofertë turistike të qytetit, në çdo shtëpi që jepet me qira, në çdo pasuri turistike në zone, duke I orientuar turistët ku të shkojnë. Kjo do jetë sfida ime e madhe. Ata që vijnë në Sarandë duhet të dinë ku vijnë Dhe në epokën digitale, bota bëhet shumë e vogël, kur ti di ta informosh turistin.

Ne do ta fitojmë këtë betejë.

Nga ana tjetër mendoj se operatorët turistikë të Sarandës, kanë nevojë për fuqi punëtore, për kamarierë dhe guzhinierë, për pastrues dhe punëtorë shërbimesh. Në këtë aspekt do të shikojmë mundësinë që përveç shkollave profesionale , është dhe ndihma që mund tu japim opertorëve turistikë për fuqi puntore. Duhet të luftojmë me qeverinë qëndrore që të nxis puntorët sezonal drejt bregdetit, duke lehtësuar politikat fiskale, për të ardhurat e tyre. Tregu I punës është I shkatërruar nga fakti, që askush nuk të vjen për 3 muaj punë në Sarandë pa një pagë të madhe. Nëse qeveria aplikon politika që të stimuloj përdorimin e periudhës së dimrit si periudhë trajnimi me një asistencë sociale për këta punonjës, që duhet të çertifikohen si punonjës për shërbime turistike, mund të na krijohet një armatë punjësish për shërbime turistike. Ndryshe do dështojmë dhe do kërkojmë emigrant të na vijnë në punë.

Tregu fqinj është shumë konkurrues dhe me ofertë më të mirë dhe në kushtet e lëvizjes së lirë, ai mund të na rrënoj nëse nuk kemi politikat tona.

-Saranda ka pasur një traditë kulturore lokale. Një estradë të mirë, këngëtarë, por dhe disa piktorë dhe shkrimtarë të njohur. Mos të flasim për gazetarë se është konflikt interesi. Çfarë bëhet me ta. Si mund ti shërbejnë sot Sarandës.

-Është një debat interesant ky që ndodh sot me kulturën. Shumë njerëz ankohen se kultura lihet mënjanë, në fakt Saranda ka uri për kulturë. Është qyteti që sipas studimeve të USAID, ka nxënësit më të kualifikuar në Shqipëri, ka ende gjimnazin më të mirë në vend, ka ende një armatë mësuesish të vjetër pedant dhe të kualifikuar, ka piktorë dhe shkrimtarë që nëse publikohen nuk janë vlera lokale por kombëtare. Andrea Zarballa dhe Niko Kacalidha, për shembull janë shkrimtarë me vlera universale. Poetja Irena Gjoni ka disa libra dhe cmime kombëtare dhe ndërkomëbtare për poezi dhe eshte aktive në qytet. Qyteti ka nxjerr poetë si Zaho Vasili, Hekuran Çaushi, Kostandin Vogli, Spiro Thomarai, etj.

Qyteti ka botues të tij. “Milosao” me botues Agim Mato ka filluar punë që nga fillimi I demokracisë.

Nuk dua të zë emër për emër, çdo shkrimtar dhe poet të qytetit, çdo piktor apo muzikant, por dua të them se Saranda sot ka dhe treg kulturor.

Pyetja normale për mua është se duhet ta vëmë kulturën e qytetit si produkt në funksion të tregut turizmit, që të mbijetojë jo me lëmosh, por nga tregu i saj.

Ne do të stimulojmë dhe mbështesim botimet dhe ribotimet e poetëve e shkrimtarëve sarandjotë, jo vetëm në shqip, por dhe anglisht dhe greqisht  për të qenë pjesë e ofertës kulturore  në Sarandë. Do të sitmulojmë ekspozta picture. Do të financojmë koncerte dhe do të ngrejmë infrastukturën që shetirja e Sarandës të ketë një dimension kulturor të financuar nga Bashkia, për grupe muzikantësh rruge, piktore rruge, dhe bukinistë.

Saranda ka pasuri të tjera të fshehura kulturore. Unë jam mahnitur nga dy këngëtarë lebër, të jashtzakonshëm Lushi Keraj dhe Sefer Muho. I kam parë që kanë një grup të improvizuar lab dhe këndojnë tavolinave të Sarandës.

Qyteti ka dy grupe polifonike, “Kaonia” dhe “Zëri i Bilbilit”. Ata janë pasuri e madhe nëse i vë në dispozicon të turizmit. Janë një treg i mirë për ta, dhe një krenari për Sarandën. Janë nga ato pasuri që Sarandës ja sjellë multikulturalizmi i komuniteteve të saj. Ata janë prurje e  komunitetit lab.

Por Saranda ka dhe pasuri të rralla botërore. Përveç Butrintit,  ka sinagogën e saj që është një nga 11 sinagogat e rralla në Evropë. Ka manastirin e 40 shenjtorëve, që mund të kthehet në një destinacion të jashtëzakonshëm turistik.

Ne thjesht duhet ti kapitalizojmë vlerat tona kulturore dhe tu krijojmë treg. Tregu pastaj i mban gjallë vetë.

-Çfarë bëhet me Sportin në Sarandë. Je ndopak tifozë?

Dhe po të mos jem, jam I dënuar nga mbiemri Gurma dhe gjysma e njërëzve që më prezantohen më pyesn çfarë e ke Milto Gurmën. (Qesh.) Besoj se si cdo gjë dhe sporti duhet futur në treg, duhet mbështetur me politika që ta bëjnë të suksesëshëm dhe të mbijetoj si i tillë. Duhet të ringjallim ekipin e Notit, duhet ta marrim seriosisht ringjalljen e Butrintit në futboll, dhe investimet në sport. Por gjithnjë jo me demagogji por me skema reale mbështetje që ti bëjmë eficent.

Mund të jemi tifozë të sportit, por s’mund ta shpëtojmë me tifozëri sportin, por me mençuri.

-Si i ka Saranda raportet me të rinjtë e saj. Ju thatë që janë të talentuar dhe nga më të mirët e Shqipërisë. Sa rikthehen në Sarandë?

-Debati për rikthimin tek rrënjët është debat botëror. Në çdo vend të botës, të rinjtë duan të ikin diku. Pastaj shumë prej tyre kthehen.

Ne nuk duhet ta dramatizojmë këtë pjesë. Por ne duhet të krijojmë treg për ata që janë këtu. Duhet të nxisim të rinjtë të specializohen në bizense të tilla si IT, promocioni, marketing, në teknologjitë e internetit etj., për ti bërë ata pjesë të tregut të punës në Sarandë. Të rinjtë, për stoli, nuk mund të qëndrojnë në Sarandë. Ata rrijnë atu ku jetohet më mirë. Ne duhet ta bëjmë Sarandën një vend të mire për ata.

-Saranda, siç e thatë dhe ju, ka një fat me Butrintin. Çfarë tjetër mund të bëhet për turizmin kulturor në zonë.

-Po mendoj se Manastiri i 40 shenjtorëve, duhet të vitalizohet. Duhet të bëhet i vizitueshëm dhe i menaxhueshëm nga bashkia. Sinagoga po ashtu. Do të ishte e mirëpritur çdo nismë private apo shtetërore, për një muze hebrenjsh në Sarandë. Një qytet që ka Sinagogë, nuk mund të mos flas për historinë e hebrenjëve.

Të qënurit qytet multikulturor na bën një qytet shumë atraktiv. Ne kemi këtu grek ortodoks, orotdoks shqiptarë, bektashinj, myslymanë, katolik, adventistë, ungjillorë dhe të gjithë në paqe me njëri tjetrin.

Ditën e parë që nisa fushatën, pata fatin të më priste në audiencë në Itali Papa Francesku, dhe ishte një përvojë e jashtzakonshme. Ndërkohë që ai vizitonte arbëreshët, të cilët besojnë tek riti ortodoks që pranon autoritetin e Papës së Vatikanit, ti e shikon se si bota, fuqinë e ka tek bashkjetesa, tek ngjyrat, tek ndërfutja dhe jo tek lufta dhe urrjetja.

Unë ortodoks I Sarandës, u bekova nga Papa që ndërkohë kishte para tij besimtarë të ritit ortodoks me origjinë shqipotare që besojnë tek ai.

Kjo fuqi që jep toleranca dhe historia është praktikishtë fuqia dhe energjia pozitive që ka dhe Saranda.

-Nuk druhesh, që në Sarandë do tu duket pa kuptim Audienca me Papën?

-Është pikërisht e kundërta. Fuqia e këtij qyteti për ti pranuar të gjithë është vlera e tij kryesore.

-Të rikthehemi dhe një herë tek politika . Është një garë pa shumë rivalë dhe ti po hynë në politikë, kur shumë figura të saj mund të digjen pikërisht nga kjo që po ndodh me zgjedhjet.  Mos ke zgjedhur kohë të keqe për të hyrë në politikë?

-Në fakt në politikë kam hyrë më 2017 dhe jam deputetë i listës pritjes së Partisë Socialsite për Qarkun e Vlorës.

Kjo është një situatë e rëndë e cila nuk ka shkak Partinë Socialiste. Partia Socialiste është e vetmja shpresë për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë politike, duke bërë zgjedhjet e 30 Qershorit, duke mos i hapur rrugë deligjitimimit të zgjedhjeve dhe sistemit politik dhe duke vazhduar më tej përpjekjet për të normalizuar situatën me zgjidhje politike që respektojnë kushtetutën dhe rregullat e lojës politike.

Për fat në Sarandë kam një kandidat të pavarur, i cili është kandidat real, që po garon me idetë e tij, dhe atë cfarë përfaqëson. Do të ishte mirë që kështu të ishte në çdo bashki, por kjo nuk është në dorën tonë. Ne kemi në dorë të shkojmë vet në zgjedhje. Të tjerët vendosin vet për vetën. Populli vendos per të gjithë.

Next Post

Berisha tha se u arrestua, kandidati i PS: Kur njeriu çmendet, fillon ha çfarë të gjejë

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Mitrovicë veri dhe Zveçan, Lista Serbe pushon nga puna shqiptarët pa asnjë arsyetim të bazuar

Mitrovicë veri dhe Zveçan, Lista Serbe pushon nga puna shqiptarët pa asnjë arsyetim të bazuar

February 5, 2026
“Veliaj paguan avokat amerikanë për t’u mbrojtur prej tyre”, zbardhet audio e akuzave të Altin Dumanit dhe Olsi Dados para gjykatëses

“Veliaj paguan avokat amerikanë për t’u mbrojtur prej tyre”, zbardhet audio e akuzave të Altin Dumanit dhe Olsi Dados para gjykatëses

February 5, 2026
Trump, një nuse që do te nusërojë për herë të dytë

Pse emigranti nga Librazhdi u zhgënjye me Kanadanë?

February 5, 2026
Shqipëria, në hartën e data centers/ Cilat qytete kanë kushtet më të mira për investime digjitale?

Shqipëria, në hartën e data centers/ Cilat qytete kanë kushtet më të mira për investime digjitale?

February 5, 2026
Mbi 7 mijë raste me kancer në 2025, 2.5% rritje çdo vit! Dominon kanceri i gjirit, shtohen rastet në aparatin tretës

Mbi 7 mijë raste me kancer në 2025, 2.5% rritje çdo vit! Dominon kanceri i gjirit, shtohen rastet në aparatin tretës

February 5, 2026
“Skandali Epstein trondit Britaninë, jo SHBA-në”, analiza e CNN: Starmer në rrezik, Trump i paprekur

“Skandali Epstein trondit Britaninë, jo SHBA-në”, analiza e CNN: Starmer në rrezik, Trump i paprekur

February 5, 2026
Trump për Forcat e Armatosura të SHBA-së: Kemi një ushtri ku të gjithë janë si Tom Cruise, por më të gjatë

Trump për Forcat e Armatosura të SHBA-së: Kemi një ushtri ku të gjithë janë si Tom Cruise, por më të gjatë

February 5, 2026
Blerta Celibashi në pritje të ëmbël, zbulohet gjinia e anëtarit më të ri që do i bashkohet familjes mbretërore

Blerta Celibashi në pritje të ëmbël, zbulohet gjinia e anëtarit më të ri që do i bashkohet familjes mbretërore

February 5, 2026
KLGJ nuk e pranoi dosjen, ILD nis shqyrtimin për gjyqtaren Irena Gjoka

KLGJ nuk e pranoi dosjen, ILD nis shqyrtimin për gjyqtaren Irena Gjoka

February 5, 2026
Kërkoi ulje page për gjyqtarin për zvarritje në zbardhjen e vendimeve, KLGJ pranon pjesërisht kërkesën e ILD

Kërkoi ulje page për gjyqtarin për zvarritje në zbardhjen e vendimeve, KLGJ pranon pjesërisht kërkesën e ILD

February 5, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In