Numri i aksidenteve rrugore në vend është rritur me 6% në nëntë muajt e parë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave të INSTAT, në periudhën janar-shtator janë regjistruar 1,090 aksidente, nga 1,028 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Nga aksidentet kanë mbetur të vrarë ose të plagosur 1,508 persona, nga 1,441 në janar-shtator 2025, me një rritje prej 4.6%.
Tirana vijon të ketë numrin më të lartë të aksidenteve rrugore, me 401 raste në nëntë muaj, nga 306 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me një rritje prej 31%.
Rreth 37% e aksidenteve të regjistruara në shkallë vendi në total janë të përqëndruara në kryeqytet. Numri i personave të vrarë dhe të plagosur në Tiranë arriti në 493, nga 382 një vit më parë.
Pas Tiranës, rritja më e fortë e aksidenteve në vlerë absolute, është regjistruar në Durrës, ku numri i tyre arriti në 117, nga 67 në janar-shtator 2025, me një zgjerim prej gati 75%. Edhe numri i personave të aksidentuar është rritur ndjeshëm, nga 100 në 160.
Në të kundërt, disa qarqe kanë shënuar rënie të aksidenteve. Në Shkodër, numri i tyre është ulur me rreth 40%, nga 81 në 49 aksidente, po ashtu ulje ka pasur edhe në Dibër, Berat e Korçë.
Në muajin shtator 2026 janë regjistruar 107 aksidente rrugore, dhe 90,7 % e tyre kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve.
Më shumë se 26% e totalit të aksidenteve kanë ndodhur në mbrëmje, duke nisur nga ora 19:00 pasdite deri në mesnatë, dhe kryesisht janë regjistruar ditën e premte, e cila ka rreth 16.8% të totalit të aksidenteve, ndërsa e shtuna është dita me më pak aksidente.
Grup-mosha 0-24 vjeç paraqet numrin më të lartë të aksidenteve, duke përbërë 27,1 % të numrit total të aksidenteve të regjistruara në këtë periudhë.











