Dy prindër nga Shqipëria, “braktisën” fëmijën e tyre 17-vjeçar në Itali me qëllim strehimin e tij. Në Itali të miturit e pashoqëruar marrin mbështetje nga shteti dhe me këtë rast, shqiptarët kishin inskenuar braktisjen e të birit në Pisa të Italisë.
Por plani i tyre mesa duket u kap nga autoritetet italiane. Sipas mediave të huaja, 17-vjeçari është paraqitur në polici dhe u ka thënë karabinierëve se nuk kishte asnjë të afërm që të kujdesej për të dhe se kishte ardhur në Itali vetëm.
Sapo rasti u bë publik, autoritetet u vunë në lëvizje për të ndjekur të gjitha procedurat që parashikon ligji, si caktimi i një strukture sociale, sigurimi i strehimit, mbështetje për shkollim dhe dhënie e lejes së qëndrimit.
Autoritetet në Itali nisën hetimet për rastin dhe konstatuan se në fakt 17-vjeçari kishte mbërritur në Pizë dy ditë më parë me një fluturim nga Shqipëria por në listën e pasagjerëve figuronte edhe një çift me të njëjtin mbiemër, që ishin prindërit e djalit.
Bileta e avionit ishte blerë edhe online nga një bashkatdhetar nga provinca e La Spezia-s. Policia hetoi më tej çështjen për të shmangur shpenzimet e panevojshme në strukturat publike dhe për të pritur një të mitur të huaj që në të vërtetë nuk kishte statusin e të pashoqëruarit.
Pas hetimeve, u dha një alarm mbarëkombëtar i cili bëri të mundur gjetjen e prindërve të 17-vjeçarit, të cilët u bllokuan në dalje të territorit italian nga Bari.
/s.f