Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot (31 gusht) pamje nga kantieri i punës në kompaninë “Guna Tactical”, një nga investimet më të rëndësishme të partneritetit publik-privat në industrinë e mbrojtjes në Shqipëri.
Zhvillimi i këtij sektori është kthyer në një ndër prioritetet kyçe të qeverisë shqiptare, me fokus te rritja e kapaciteteve prodhuese, modernizimi i teknologjisë dhe zgjerimi i bashkëpunimit me partnerë vendas e ndërkombëtarë.
Në këtë kuadër, “Guna Tactical” është krijuar si një ndërmarrje e përbashkët (joint venture) mes shoqërisë shtetërore KAYO dhe kompanisë private MSSC.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë bëri të ditur se punimet po vijojnë pa ndërprerje për funksionalizimin e plotë të këtij investimi, i cili parashikohet të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë socio-ekonomik.
“Vijon pa ndërprerje puna për funksionalizimin e plotë të kantierit të ‘Guna Tactical’ — një investim me rëndësi në industrinë shqiptare të mbrojtjes, i cili do të punësojë mbi 1,000 persona duke gjeneruar të ardhura për familjet e tyre dhe duke ndikuar në komunitet çdo ditë”, shkroi Rama.
Prodhime taktike për Forcat e Armatosura dhe aleatët e NATO-s
Fokusi kryesor i aktivitetit të “Guna Tactical” do të jetë projektimi, prodhimi, tregtimi dhe eksporti i uniformave ushtarake si dhe aksesorëve përkatës. Prodhimet do të furnizojnë në radhë të parë Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe strukturat e tjera vendase të sigurisë, si dhe do të orientohen drejt tregjeve të rajonit dhe vendeve aleate të NATO-s.
“Guna Tactical” është krijuar si një ndërmarrje e përbashkët mes kompanisë shtetërore KAYO dhe kompanisë private MSSC. Në fokus të aktivitetit është projektimi, prodhimi, tregtimi dhe eksporti i uniformave ushtarake dhe aksesorëve, kryesisht për Forcat e Armatosura, strukturat e tjera të sigurisë, vendet e rajonit dhe aleatë të NATO-s”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Ky investim synon të nxisë zhvillimin e mëtejshëm të industrisë vendase të mbrojtjes, duke e integruar Shqipërinë në zinxhirin rajonal të prodhimit të pajisjeve dhe veshjeve ushtarake.











