Sipas raportit të publikuar këtë të martë (10 shkurt) nga organizata ndërkombëtare Transparency International, Shqipëria renditet në vendin e 91-të, duke rënë 11 pozicione në krahasim me vitin e kaluar, kur mbante vendin e 80-të mes 180 shteteve të përfshira në indeks.
Rënie ka pësuar edhe Kosova, e cila në raportin e këtij viti renditet në vendin e 76-të, tre pozicione më poshtë se një vit më parë, kur ishte në vendin e 73-të. Po ashtu, Kosova ka shënuar regres edhe në rezultat, duke humbur një pikë në indeks: nga 44 pikë në vitin paraprak, në 43 pikë në raportin e sivjetmë për vitin 2025.
Sipas Transparency International, rezultati me pikë pasqyron nivelin e korrupsionit të perceptuar në sektorin publik, në një shkallë nga 0 (korrupsion shumë i lartë) deri në 100 (sektor publik shumë i pastër). Ndërkohë, renditja globale tregon pozicionin relativ të një vendi krahasuar me shtetet e tjera të përfshira në indeks.
Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit (CPI) i vitit 2025 tregon se korrupsioni mbetet një kërcënim serioz në çdo pjesë të botës, megjithëse ka shenja të kufizuara progresi.
Po ashtu, raporti thekson se udhëheqësit duhet të veprojnë për të trajtuar abuzimet me pushtetin dhe faktorët më të gjerë që nxisin këtë rënie, siç është zvogëlimi i kontrolleve dhe balancave demokratike dhe sulmet ndaj shoqërisë civile të pavarur.
Ky raport rendit 182 vende dhe territore në mbarë botën sipas niveleve të perceptuara të korrupsionit në sektorin publik.
Raporti nënvizon se ndërsa 31 vende kanë ulur ndjeshëm nivelet e korrupsionit që nga viti 2012, pjesa tjetër nuk po arrin ta zgjidhë problemin – ato kanë mbetur në vend ose janë përkeqësuar gjatë së njëjtës periudhë. Mesatarja globale ka rënë në një minimum të ri prej 42 pikësh, ndërsa më shumë se dy të tretat e vendeve shënojnë nën 50. Dhe njerëzit po e paguajnë çmimin, pasi korrupsioni çon në spitale të pafinancuara, mbrojtje nga përmbytjet të pandërtuara dhe dëmton shpresat dhe ëndrrat e të rinjve.
Transparency International sqaron se të dhënat e përdorura për përpilimin e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit mbulojnë forma të ndryshme të korrupsionit në sektorin publik, përfshirë: ryshfetin, keqpërdorimin e fondeve publike, përdorimin e funksioneve shtetërore për përfitime personale pa pasoja ligjore, aftësinë e qeverive për të luftuar korrupsionin, burokracinë e tepruar, emërimet politike dhe nepotike në administratë, mungesën e transparencës në deklarimin e pasurisë dhe konfliktit të interesit, mbrojtjen ligjore të sinjalizuesve, si dhe kapjen e shtetit dhe qasjen në informacionet publike.
Ndërkohë, ky indeks nuk mat perceptimin apo përvojën direkte të qytetarëve me korrupsionin, as nuk përfshin çështje si evazioni fiskal, rrjedhjet e paligjshme financiare, pastrimi i parave, korrupsioni në sektorin privat, apo aktivitetet e ekonomisë informale.











