• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, December 5, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews

In memoriam/ Ndahet nga jeta profesori i baletit shqiptar, Skënder Selimi

by
16/09/2015 09:18
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

 

Nga Ben Andoni/

Është ndarë nga jeta Skënder Selimi, profesori i parë dhe themeluesi i shkollës së baletit shqiptar. Ka shumë njerëz që i marrin jetës gjithçka dhe vazhdimisht kërkojnë vëmendje. Ka të tjerë, që i japin gjithçka asaj, komunitetit, vendit të tyre dhe si shpërblim i kërkojnë vetëm një gjë… të punojnë. Këta janë të pakët dhe historia e vendit të tyre kujtohet për ta kur këta reshtin nga lufta, vetëm pasi i dorëzohen cinizimit të moshës.

Një i tillë është pa asnjë dyshim Skënder Selimi, mjeshtri absolut i kërcimit shqiptar, më i pari në çdo gjë, që ka lidhje me baletin kombëtar. Të mjafton ky fakt, që të sjellë në mënd faktin sesa e padrejtë ka qenë shpesh Shqipëria me bijtë e vet më të mirë.

…

Rostisllav Vlladimiroviç  Zaharov, një nga legjendat e baletit të ish-Bashkimit Sovjetik, do t’i vendoste i fundit, si kryetar i një jurie me emra aspak më të ulët se ai në famë, diplomës së studentit shqiptar Selimi vlerësimin “shkëlqyeshëm”. Kjo mund të duket si përrallë sot, por nuk kishte si të mos ndodhte kështu me dokumentin final të shkollimit të baletmaestrit shqiptar.

Skënder Selimi e nisi jetën e vet që në rezistencën anti-fashiste për t’u ngjitur falë talentit të vet natyror dhe të kultivuar me djersë majave më të larta të artit kombëtar. Nëse do të jetonte dikund tjetër me firmat, që mbante mbi diplomë; nëse vendi i vet nuk do mbartej në përrallat aluçinante të një sistemi të dështuar, fati i tij do t’ishte tjetër, por Skënder Selimi edhe me të gjithë kinse shakatë që i bëri regjimi, pseudo-miqtë, e më shumë akoma kapriçot e jetës, arriti të mbijetojë falë artit të vet, qoftë edhe në cepat më të humbur të vendit.

Je cinik nëse do të mbledhësh në pak rreshta jetën e vet. Nëse do të lejonte koha një parakalim të shpejtë tek jeta e vet social-artistike, do kuptosh se ai është kudo i pari në fushën e vet. Është njeriu që ka vendosur duetin e parë klasik shqiptar te “Anusha”; koreograf i kërcimit të parë modern shqiptar te “Alba”; koreograf i vodevilit të parë shqiptar “Mirela”; autor i studimit të parë në fushën e koreografisë “Atllasi Koreografik Shqiptar”. Dhe, jo vetëm kaq: pedagogu i parë dhe themelues i katedrës së koreografisë në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, Doktor-Profesori i parë me titull shkencor në fushën e koreografisë. Mjeshtër i Madh i Punës, etj…

Baletmaestri ynë i nderuar, me diplomë të shkëlqyer, ishte nga të rrallët studentë të ish-BRSS-së të gjysmës së dytë të shekullit XX, që mbylli shkëlqyer Institutin e Lartë GITIS (sot Akademia Koreografike) me pedagogë  që çdokush nga balerinët e gjallë dhe të vdekur, as nuk i ka menduar. Dhe, nuk mbaron këtu, sepse ky patriot i rrallë (e theksojmë) të gjithë këtë kulturë shkollore teorike arriti ta disiplinojë për herë të parë me peshën e duhur në baletin kombëtar, folklorin kombëtar, folklorin e përpunuar, teorinë e koreografisë, baletin klasik dhe në përgjithësi në të gjithë artin shqiptar të kohës së tij. Kaq mjaftojnë për një piedestal, por jo në Shqipëri, ku në çdo çast të pret një kurth: Skënder Selimi ka një jetë që do t’ia kishte zili kushdo për një skenar filmi-autor. Jetim. Anti-fashist. Mbaron shkollimin ushtarak “Skënderbej”. Fillon të aktivizohet vetë në art, kor, teatër dhe kërcim intuitiv. Kur shqiptarët janë të çartur nga shkatërrimet e luftës, ky i ri i jashtëzakonshëm u mëson shokëve të vet kërcimet e kohës: tango, foks-strot, rumba, vals, çarleston dhe sidomos vallet popullore, pogonishte, napoleonin, zerqan, etj. Talenti do “ta privojë” nga ëndrra që të bëhet ushtarak i mirë. Nga arma shkon ngjitet në skenë. Kulmon në baletin“ Shatërvani i Bahçisarajt”, vënë në skenë nga regjisori rus Georgi Perkun, ku luan rolin e Nuraliut. Perkun i bën një vlerësim të lartë artistik, duke e konsideruar talent dhe student me perspektivë për artin koreografik. Po ai, i beson Kuazimodon, kur në skenë ngjit baletin e dytë “Esmeralda”. Në rolin më të vështirë, që e realizoi me shumë art, Skënderi trason udhën e vet, që institucionalizohet me bursën e studimit të lartë në fushën e Koreografisë, në Moskë tek Instituti i Lartë GITIS.

Në një nga shkollat më elitare të botës, ai do të shikojë se tashmë talenti i tij është jo vetëm për skenën, por edhe për diçka krejt tjetër madhore: teorinë e koreografisë, baletin klasik. Dhe këtë traditë të madhe do ta sjellë në një vend, që është shekuj pas dhe madje ende pa mjetet elementare artistike. Skënderi nuk ndalet. Është ai protagonist. Atje ku të tjerët shohin hone, ai shikon skena, ka librete në kokë dhe skenografitë në kokë i zenë vendin njëra-tjetrës. Në Shqipëri do befasojë me baletet si “Anusha”, “Fadeta” “Zhurale”, “Silvia”, “Laurencia” “Sheherazade”. Kjo e fundit Balet në një akt, që e ka Premierën më 30 qershor 1963. Kur pas 43- vjetësh, së bashku me skenografin Agim Zajmi e ftojnë për ta rivënë në Teatrin e Operas dhe Baletit, vepra ka të njëjtin nur, por është edhe më elegante dhe emocionale. Profesorin nuk e lënë të zbresë nga skena, në një apoteozë që do ta ëndërronte çdo artist.

Deri më aty, repertori krijues i Skënder Selimit është i pafundmë: veç baletit, ai ka ndihur me krijimin e shumë valleve, kurse një meritë e madhe e tij janë shfaqjet teatrale ku ai ka dhënë ndihmesë shumë pasuruese. Lista këtu është e pakët, por kuptimplotë: Hamleti, Nata e dymbëdhjetë, Romeo e Xhuljeta, Borgjezi Fisnik, Letër e Humbur, Deputeti oportunesku, Ylli i Alpeve, Opera për dy grosh, Mbreti Lir, Valësi Titanik, Gjenerali i ushtrisë së vdekur etj.

Diktaturës nuk i mjaftoi kjo dhe “i fali” një jetë tjetër në cepat e Shqipërisë, por tashmë jo të merrej me balet, por të endej nga fshati në fshat për të kultivuar dhe mbledhur artin. Që këtu fillon kapitulli më i vështirë për një artist të zhgënjyer por jo të dorëzuar. Skënderi kalon provën e fundit të jetës, por ndërkohë “i zhgënjen” dashakeqët me energjinë e tij të pashterur, kur përgatit të gjithë dokumentacionin e katedrës së baletit dhe merr përsipër që ajo të marrë jetë. Këtë herë burokratët e regjimit janë zënë mat. Në vitin 1981 merret vendimi zyrtar dhe maestro ynë vjen në Tiranë si udhëheqës shkencor në katedrën e koreografisë. Tani baletmaestri ynë është afër artit të tij të adhuruar. Por, kujdes, s’është më krijues, por pedagog, duke nxjerrë breza të tërë, që e adhurojnë deri në apoteozë profesorin e tyre, që e mbylli jetën në një shtëpi të thjeshtë, në muzgun e një jetë të jashtëzakonshme, por tashmë kaluar që në të gjallë në legjendë për brezat e artistëve shqiptarë.

foto 1

Flasin artistët…..

Prof. Vangjush Furxhi, Artist i Popullit, 1998, me rastin e 65-vjetorit të prof. Skënder Selimit

Portreti i Skënder Selimit është shumëpërmasor si krijues baletesh, krijues vallesh operistike, krijues vallesh popullore, krijues vallesh e veprimesh në shfaqje teatrore, figurë  e plotë pedagogjike e shkencore, autor i një veprimtarie të gjerë libretesh letraro-artistikë, kritik tekstesh mësimore, monografish artistike, etj. Në begatinë koreografike të Skënder Selimit duhet të nënvizojmë ‘Anushën” (balet shqiptar me një akt), që duhet parë si krijim i veçantë zanafillës deri në shfaqjen e baletit të parë dhe të plotë shqiptar “Halili dhe Hajrija” si dhe “Albën”, që është kërcimi i parë modern shqiptar, i realizuar në vitin 1972.

Luan Shtino, pedagog pranë Akademisë së Arteve dhe Shkollës së Baletit

“Skënder Selimi është një nga figurat më të shquara të artit koreografik shqiptar. Kontributi i tij si baletmaestër me koncepte bashkëkohore dhe me një kulturë shumë të gjerë ka bërë që veprat e tij skenike të spikasin dhe të kenë vulën e tij si koreograf novator”.

Albert Janku, Artist i Merituar, Pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura, 2005

“Koha që ai krijoi në TOB është relativisht e shkurtër, vetëm një dekadë. Veprat e tij janë po aq vite sa punoi. Ai formoi personalitetin e tij artistik si një krijues reformues. Pa huazuar një koreografi të krijuar nga autorë të tjerë, Skënderi është shumë pjellor dhe ajo që korr me të vërtetë është origjinale e tij”.

Piro Mani, regjisor, Artist  Popullit, 2002

“Kam bashkëpunuar me të që në fillimet e mia regjisoriale në Korçë. Meritë e tij e padiskutueshme  është angazhimi jo vetëm për vëniet në skenë të baleteve dhe valleve skenike, por sidomos për artin e plastikës skenike të aktorit, për të cilin teatri ynë ka patur e ka nevojë. Në këtë këndvështrim Skënderi është jo vetëm pionieri, por edhe më i përsosuri. Së bashku kemi eksperimentuar që në vitet ’60, jo vetëm baletin për shfaqjet teatrore, por edhe plasticitetin. Kujtoj veçanërisht shfaqjen “Nata e dymbëdhjetë”. Tek “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” me efektin plastik ndihmoi për krijimin e imazhit skenik. Krijimtaria e Skënderit në Teatrin e Dramës përbën një eksperiencë, traditë e specifikë që u ndërtua me punë e talent. Brezave u takon ta çojnë përpara”.

Prof. Agim Zajmi, Artist i Popullit

“Kontributi i Skënder Selimit është në disa drejtime, së pari si koreograf dhe si ndër krijuesit e baletit klasik, që vuri bazat dhe konceptet profesionalë. Është ndër studiuesit e rrallë e cilësorë të folklorit koreografik e problemeve të koreografisë shqiptare. Ai ka edhe një veprimtari të gjerë pedagogjike ku spikat përpjekja për ruajtjen e individualitetit të studentit. Ajo që më lidh më shumë me Skënderin është koreografia e veprimeve e valleve në shfaqjet e Teatrit të Dramës, ku pothuaj nuk ka vepër klasike e dramatike, në të cilën të mos jetë dora dhe kontributi i Skënderit. Kjo ka ndihmuar në pasurimin e shfaqjes, por sidomos në begatinë plastike skenike, që ka qenë shumë e nevojshme në trupat teatrore”.

foto 2

 Bibliografi e veprave artistike dhe shkencore

Bibliografi e veprave krijuese dhe ato shkencore të Mjeshtrit të Madh Skënder Selimi.

Në veprat artistike do të rendisim si më poshtë:

Balete në Teatrin e Operas dhe Baletit

1. Bukuroshja e fjetur, vepër televizive (për fëmijë – Moskë)

2. Zonja e padukshme, balet spanjoll (Bjellorusi)

3. Zarema e Humbur, Teatri i Operas, Tiranë

4. Zhurale, Teatri i Operas, Tiranë

5. Fadeta, Teatri i Operas, Tiranë

6. Laurencia, Teatri i Operas, Tiranë

7. Romeo e Zhuljeta, Balet me 1 akt

8. Netët e Valburgut, Teatri i Operas, Tiranë

9. Anusha, Teatri i Operas, Tiranë

10. Petriti dhe ujku, Teatri i Operas, Tiranë

11. Sheherazada (1), Teatri i Operas, Tiranë

12. Shtrausiana, Teatri i Operas, Tiranë

13. Ivan Susanin, Teatri i Operas ,Tiranë

14. Para Burgut, Teatri i Operas ,Tiranë

15. Shkurte Vata, Teatri i Operas, Tiranë

16. Margaritarët, Teatri i Operas, Tiranë

17. Sheherazada, varianti i ri.

Valle në opera

1. Traviata, Teatri i Operas- Baletit

2. Pranvera, Teatri i Operas- Baletit

3. Princesha e Çardashit, Teatri i Operas- Baletit

4. Aleko, Teatri i Operas- Baletit

5. Maçoku me çizme, Teatri i Operas- Baletit

6. Bohema, Teatri i Operas- Baletit

7. Shumë numra koncertalë me solistë të baletit të Operas.

Valle popullore

1. Valle Shqipërisë Mesme, Moskë- Rusi.

2. Valle dyshe matjane, Kazan –Tartari.

portret_ngjyre

Në Ansamblin Shtetëror

1.Tiçe vallen dal-nga-dalë – Ansambli shtetëror

2. Suitë vallesh kuksiane, Ansambli shtetëror

3. Suitë vallesh Tirane, Ansambli shtetëror

4. Suitë vallesh kosovare, Ansambli shtetëror

5. Vjelja e rrushit, Ansambli shtetëror

6. Vallja labe (burrash), Ansambli shtetëror

7. Valle kineze, Ansambli shtetëror

8. Vajza kapricioze, Ansambli shtetëror

9. Shqiptari dhe shqiponja, Ansambli shtetëror

10. Dje dhe sot, Ansambli shtetëror

Vallet në dramë

1.         Zonja e bujtinës, Teatri Kombëtar

2.         Hamleti, Teatri Kombëtar

3.         Nata e Dymbëdhjetë, Teatri Kombëtar

4.         Romeo e Zhuljeta, Teatri Kombëtar

5.         Borgjezi fisnik, Teatri Kombëtar

6.         Letër e humbur, Teatri Kombëtar

7.         Ylli i Alpeve, Teatri Kombëtar

8.         Mbreti Lir, Teatri Kombëtar

9.         Valsi i Titanikut, Teatri Kombëtar

10.       Gjenerali i Ushtrisë se Vdekur, Teatri Kombëtar

11.       Opera për dy grosh, Teatri Korçë

12.       Në anën tjetër, Teatri Shkodër

13.       Një vepër e Shekspirit, Teatri Vlorë

14.       Oportunisti, Teatri Kombëtar

15.       Valle të ndryshme në teatrot e qyteteve Lushnjë, Fier, Tropojë, etj.

Botimet shkencore

1. Vallet shqiptare: Albanski Tanci – Rusi

2. Folklori i MbiShkodrës – Libër i mesëm

3. Lirika koreografike shqiptare – Disertacion

4. Atllasi koreografik – vëllim i plotë

5. Arti i koreografit – vëllim i parë

6. Historia e baletit botëror – vëllimi i parë

7. Folklori koreografik shqiptar – vëllimi i plotë

8. Baleti në Shqipëri – vëllimi i plotë

9. Arti i koreografit – vëllimi i II i plotë

10. Historia e baletit Perëndimor – vëllimi i II i plotë

11. Plastika e aktorit në skenë – Tekst studimor

12. Monografi për Vasfi Samimin – vëllimi 8

13. Koreografia – Kërcim, tekst për shkollat e mesme

14. Vallet shqiptare – Korpusi në Akademinë e Shkencave

15. Etika artistike – vëllim në punim

Çmime

 “Tiqe vallen dalngadalë”, çmimi i bronxit në Festivalin Ndërkombëtar në Moskë, 1957.

“Pas de deux” nga baleti “Anusha”, çmimi i argjendtë në Festivalin Ndërkombëtar në Helsinki, 1959.

“Të diplomuarit”, duet në Dekadën e Majit, çmimi i parë, 1971.

“Anusha”, çmimi i tretë për libret baleti në konkursin letrar artistik për nder të revolucionit socialist të tetorit, 1957.

“Margaritarët”, çmimi i tretë për libret baleti në konkursin për vepra letrare, muzikore dhe të arteve figurative, viti 1964.

Next Post

Ilir Beqaj nderohet nga OBSH me Çmimin Botëror Jo Duhanit

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

A mund Salianji ta përsërisë historinë në PD siç bëri Rama në PS!

Forcë të re politike? Përgjigjet Salianji: S’kam marrë asgjë qyl në PD…

December 4, 2025
Karikimi i mjeteve elektrike, kryeministri Rama sqaron si do të jetë çmimi

Makinat elektrike, ERE rrëzon kërkesën e taksistëve, çmimi i karikimit mbetet 22 lekë/kWh

December 4, 2025
Erion Braçe: Po vjen tetori, komisionet duhet të nisin punën! Jemi shumë vonë me…

‘Revoltohet’ Braçe: Pensionet, një turp! Qeveria s’mund ta zëvendësojë reformën me shpërblime

December 4, 2025
“Nuk bërtas për spektakël”, Braçe për Veliajn: Më ka dhembur ajo histori, kisha të drejtë kur thashë se…

“Nuk bërtas për spektakël”, Braçe për Veliajn: Më ka dhembur ajo histori, kisha të drejtë kur thashë se…

December 4, 2025
Rama ndan punët për zgjedhjet në Tiranë, Braçe i pakënaqur: Më hoqën nga fushata në Njësinë 5 pa arsye, akt i padrejtë por..

Braçe kundër ministrit Malaj për “paqen fiskale”: Përfitojnë borxhlinjtë e mëdhenj…

December 4, 2025
“Harrove që më luteshe të të gjeja punë”/ Sherr mes Nokës dhe Bidos : Sa të bën kostumi, un aq kam pasurinë

“Harrove që më luteshe të të gjeja punë”/ Sherr mes Nokës dhe Bidos : Sa të bën kostumi, un aq kam pasurinë

December 4, 2025
“Kryetari i komanduar i PD bën biznes me Vangjush Dakon!”, Salianji: Berisha më ka thënë se…

“Kryetari i komanduar i PD bën biznes me Vangjush Dakon!”, Salianji: Berisha më ka thënë se…

December 4, 2025
“Synojmë vota nga elektorati gri”, Salianji: Kandidatët e pavarur janë të opozitës pa diskutim!

“Dua të mund Ramën, jo të qajmë prap!” Salianji zbulon ku e ka pakënaqësinë me Berishën

December 4, 2025
“Ju doni të rregulloni një parti që ka vdekur!”/ Alimehmeti: PD-në e ka doktori…

“Ju doni të rregulloni një parti që ka vdekur!”/ Alimehmeti: PD-në e ka doktori…

December 4, 2025
Salianji ironizon protestat e Berishës: Nuk rrëzohet Rama duke vënë muzikë para Kryeministrisë

Salianji ironizon protestat e Berishës: Nuk rrëzohet Rama duke vënë muzikë para Kryeministrisë

December 4, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In