Nga Ardian Vehbiu
Diskutimi i fundit, që mori shkas nga një ese e Aris Spiros për përkthimin e titujve të librave botuar në Peizazhe të fjalës (Si ta përkthesh një titull), m’u rikthye në mendje kur më doli përpara titulli i një drame fort të njohur të Jean-Paul Sartre-it, Huis clos, të shfaqur për herë të parë në Paris në maj të vitit 1944; dhe që mbahet si vepër themelore e ekzistencializmit në teatër. Këtë Huis clos, e kanë përkthyer në anglishte edhe In Camera, edhe Behind Closed Doors edhe No Exit edhe No Way Out; shqip do të ishte diçka si “Me dyer të mbyllura”, sa kohë që Huis clos, në frëngjishten juridike, i referohet një vendimi, nga autoritetet përkatëse, për të mos lejuar publikun në një sallë gjyqi, debatesh, etj.: latinisht in camera. Duhet shënuar këtu se derën, në frëngjisht, e quajnë zakonisht porte, dhe se kjo huis është fjalë e vjetruar ose “letrare”, gjithsesi e shënjuar, që tërheq vëmendjen si e tillë.
Në hapësirën juridike, termi huis clos u shfaq në shekullin XVI, me një kuptim që përkon mirë me shqipen “me dyer të mbyllura”, duke nënkuptuar edhe një situatë ku dikushi e ka të pamundur për të kuptuar se çfarë ndodh në një dhomë, duke shikuar nga jashtë – meqë hapësira e trajtuar ashtu është e izoluar. Kurioz është përdorimi i së njëjtës shprehjeje, huis clos, në art, për të shënjuar një veprim a ndodhi që zhvillohet në një vend unik a tejet të kufizuar, me një numër personazhesh po aq të kufizuar, dhe në izolim nga bota e jashtme; një lloj shkëputjeje nga realiteti dhe bota e jashtme, që i amplifikon marrëdhëniet mes personazheve, duke krijuar një “tenxhere me presion filozofike”. Natyrisht bëhet fjalë para së gjithash për teatrin, dhe pastaj edhe për kinemanë: një vend i mbyllur dhe i izoluar, pak personazhe dhe ballafaqim mes tyre.[1]
Me gjasë, kjo huis clos si zhanër narrativ, që i përket një rrafshi të ndryshëm nga skena e një teatri, e cila është edhe ajo, në mënyrën e vet, një vend i mbyllur dhe i kornizuar, për t’u veçuar nga bota jo-skenike përreth (ose edhe ekrani i kinemasë, tek e fundit); kjo huis clos, pra, ka qenë përdorur në zhargonin e teknikës teatrale që para se ta përdorte Sartre-i si titull të dramës së vet; kështu është përkthyer në frëngjisht një film i Paul Wegener, i vitit 1937 (me titullin original Unter Ausschluß der Öffentlichkeit, edhe kjo shprehje juridike në gjermanishte, me kuptimin “Me dyer të mbyllura”); për huis clos janë mbajtur, mes të tjerash, edhe filmi Lifeboat, i Alfred Hitchcock-ut, i vitit 1943; dhe më pas Rear Window i po atij regjisori, i vitit 1955; pa përmendur përdorimet e shumta, të suksesshme, të përftesës në fantashkencë, me filma ku hapësirën e mbyllur e ofron zakonisht një anije kozmike. Roland Barthes-it i pat tërhequr vëmendjen bota e mbyllur e një anijeje – jo detyrimisht kozmike – të cilën e quan “chiffre de la clôture” në esenë “Nautilus et le bateau ivre” të vitit 1957, duke e ilustruar konceptin me nëndetësen Nautilus të Jules Verne-it (20,000 lega nën det).
Për Jules Verne-in, shkruan Barthes-i, anija mund të jetë fare mirë një simbol i nisjes a ikjes; por në një nivel më të thellë është emblema e mbylljes; anijet ndjellin me ofertën për ta mbyllur veten në mënyrë të përsosur … brenda një hapësire absolutisht të fundme. Të pëlqesh anijet, vazhdon ai, është para së gjithash të pëlqesh shtëpinë, jo lundrimin drejt së panjohurës; anija është banesë, para se të jetë mjet transporti. Dhe, në këtë kontekst, huis clos do të ishin edhe Moby-Dick-u, edhe Plaku dhe deti; madje, mutatis mutandis, edhe anija ushtarake te filmi Duel i heshtur, i Dhimitër Anagnostit.
Nëse Sartre-i e pat quajtur dramën e vet kështu, i nisur nga termi juridik “me dyer të mbyllura”, duke shënjuar pamundësinë e personazheve për të dalë nga dhoma (nga skena), apo ngaqë dëshironte të vinte në dukje natyrën huis clos të pjesës teatrale, kjo nuk është shumë e qartë – sipas Ingrid Galster[2], drama titullohej në fillim Les Autres[3]; me gjasë, edhe titulli i filmit të Paul Wegener mund të ketë luajtur një rol, siç mund të ketë ndikuar edhe eksperienca e së përditshmes, në Parisin e pushtuar prej nazistëve, nën shenjën e kufizimit të përgjithshëm dhe pengimit të lirisë për të lëvizur. Pamundësia për të dalë, njëherazi, është edhe pamundësi për t’i ikur tjetrit – është një personazh i kësaj drame që thotë “l’enfer, c’est les autres” (“ferri janë të tjerët”)[4]; dhe, në përgjithësi, pjesa shërben edhe si hyrje e mirë në filozofinë ekzistencialiste të Sartre-it, duke qenë mishërim i teatrit të tij filozofik.
Kështu, nga njëra anë, dyert e mbyllura të titullit tregojnë llojin e pjesës teatrale që do të shohë publiku; nga ana tjetër, i referohen terminologjisë juridike dhe sjellin në vëmendje një atmosferë prej “gjykimi të fundmë”, sa kohë që ngjarjet zhvillohen në ferr dhe personazhet, në dialog mes tyre, i kthehen shpesh të shkuarës së tyre, gabimeve që mund të kenë bërë, dështimeve morale dhe krimeve; në një rrafsh të tretë, sa kohë që koncepti juridik i huis clos e përjashton vrojtimin nga jashtë, titulli hyn edhe në kontrast me rolin që ka vështrimi (look) në përjetimin që ia bëjmë tjetrit – kujtoj konfliktin dramatik të ndërtuar rreth pasqyrave dhe faktit që këto mungojnë edhe në dhomë edhe në ferr. E megjithatë – madje ironikisht – vetë pjesa teatrale realizohet në atë masë që publiku e ndjek nga salla, çfarë fton për një rivlerësim të vetë “dyerve të mbyllura”.
Për t’u kthyer tani te titulli i pjesës, që u bë edhe shkas për këto shënime, Huis clos më pat tingëlluar gjithnjë vështirë, madje edhe pasi kisha studiuar frëngjisht; sepse kjo fjalë, huis, nuk është nga ato që përdoren rëndom në atë gjuhë. Madje, madje, vetë ky titull sikur m’i mbyllte dyert e dramës, duke mos më lejuar “të shoh” brenda, nga dritarja e hapur; ishte më hermetik se, të them, Les Séquestrés d’Altona, ose edhe Les Mains sales, e para vepër e Sartre-it që kam lexuar (si te Nata e dymbëdhjetë e Shekspirit, edhe te Les Mains Sales ngjarjet zhvillohen në Iliri, një vend fiksional i Europës Lindore, tjetërkund, pa lidhje mirëfilli me Ilirinë antike dhe me Shqipërinë e sotme, ngjashëm me te The Illyrian Adventure nga Lloyd Alexander dhe The Blood Oranges nga John Hawkes, mes të tjerash).
Mund të them madje se ky titull, kaq kriptik, më pat mbajtur larg nga drama; sepse nuk më komunikonte asgjë. Natyrisht, ky efekt nuk vepronte ndaj publikut frëng të Sartre-it, që e kapte menjëherë konotacionin juridik, në mos edhe autoreferencën ndaj natyrës së pjesës[5]. Për fat të keq, humba kështu një mundësi të çmuar për t’u njohur me tekstin e Sartre-it më herët – sepse ashtu do ta kisha metabolizuar këtë kryevepër në një kohë kur po formohesha edhe letrarisht. Sepse e tillë është – kryevepër në shumë anë, madje sipërore edhe ndaj Në pritje të Godot-it, së cilës deri diku i ngjan për nga “gramatika” skenike. Por në favor të pjesës së Beckett-it do të thoja se titulli i saj premton menjëherë një eksperiencë unike, dhe jo më kot është shndërruar sot në një shprehje edhe të ligjërimit të zakonshëm, madje edhe për ata që nuk e dinë se ç’ka qenë as Godot-i, as Beckett-i.
(c) 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është përfytyruar me Midjourney. Botohet me leje te Tema.
[1] Për këtë paragraf i jam referuar monografisë Guillaume Pham-Minh. Le huis clos au cinéma : entre espaces et émotions projetés. Architecture, aménagement de l’espace., e konsultueshme online.
[2] Le théâtre de Jean-Paul Sartre devant ses premiers critiques, Editions l’Harmattan 2001
[3] Ironikisht, premiera e kësaj drame, në maj të vitit 1944, u pëlqye shumë nga oficerët nazistë të ftuar në shfaqje (And the Show Went On: Cultural Life in Nazi-occupied Paris, New-York, Knopf Doubleday Publishing Group, 2010).
[4] Nëse kjo thënie përfaqëson apo jo ekzistencializmin e Sartre-it, kjo mbetet e diskutueshme; dhe një diskutim i mirë mund të lexohet këtu.
[5] Në kuptimin që ngjarjet e dramës zhvilloheshin “me dyer të mbyllura”, por edhe drama vetë ishte e llojit “me dyer të mbyllura”.