Detyrat e Gushtit!
Fundi i Korrikut, shënon edhe mbylljen e sezonit politik, mediatik, deri diku edhe ekonomik pasi edhe bizneset që nuk lidhen drejtpërdrejtë me prodhimin i mbyllin qepenat. Vendin e zënë pushimet, listat e sugjeruara të librave, përditësimet përmes Instagram-it dhe Tëitter-it me ngjarjet dhe fotot më të fundit të ndjekësve të përzgjedhur. Ka dhe nga ata që e kalojnë Gushtin në punë duke u penduar për pushimet e marra më herët. Disa udhëtojnë, e të tjerë vegjetojnë. Të tjerë akoma reflektojnë, por këta nuk janë të shumtë.
Duhet të reflektojnë të parët ata që janë zgjedhur pavarësisht se si dhe përmes cilës listë, për t’i shërbyer qytetarëve. Politikanët dhe vendimmarësit janë në krye të listës së llogaridhënies për kontributin e tyre. Shqiptarët kanë të drejtë t’i pyesin për dështimet dhe arritjet, madje edhe për braktisjet e mbledhjeve të punës, ceremonive, ku kundërshtarët sillen në ndeshjet e toreadorëve me demat. Largimi i opozitës në momentin e betimit të Kryetarit të ri të Bashkisë së Tiranës Veliaj dhe braktisja e mbledhjes së parë të komisionit të reformës për drejtësi po nga opozita janë shenja të qarta dobësie për të mos thënë dorëzimi përpara alternativës për të qëndruar në debat dhe beteja me argumenta dhe alternativa. Pas bojkotit të reformës territoriale largimet e ditës së parafundit të Korrikut nga ana e opozitës mund të renditen në kalendarin politik si dështime të një filozofie vëtpërjashtimi që u ndëshkua nga qytetarët me votë në 2013 dhe në 2015.
Në sitën e sikletshme të reflektimit duhet të hyjnë edhe profesionistët, puna e të cilëve lidhet direkt me jetën e qytetarëve, sic janë mjekët dhe infermierët. Por jo vetëm ata që e kanë ndërgjegjen të dyjëzuar pse mund të kenë marrë rrushfet. Në radhë të parë duhet të reflektojnë ata zyrtarë dhe politikëbërës që i kanë lënë spitalet pa ujë, përfshi dhe maternitetet ku vijnë në jetë foshnjat. Të paqetë duhet të jenë ata që kanë bërë tendera për pajisje spitalore që nuk funksionojnë. Ata që e kanë katandisur mjekësinë në një mision jo humanitar. Përgjegjësit kryesorë të këtij fataliteti gjenden sërish në radhët e politikës, në majën e saj që fryhen dhe shfryhen cdo të enjte në Parlament për cfarëdolloj debati të panevosjhëm, përvecse shqetësimeve të vërteta të shqiptarëve.
Raporti i përmbysur i shërbyesve dhe të shërbyerve në këto dy dekada e gjysëm përpjekjesh për të ndërtuar institucione funksionale, transparente dhe demorkatike, duhet të kthehet në formën origjinale. Është detyrë e shoqërisë të kontribuojë në përmbysjen e këtij raporti. Sigurisht nuk do të ndodhë brenda një muaji dhe ndoshta as Gushtin tjetër, por reflektimi, duhet të ketë një fillim. Do të ishtë naive, që këtë detyrë ta lëmë në ndërgjegjen e shërbyesve të kthyer në padronë. Shqiptarët duhet të fillojnë të mendojnë të qëndrojnë në vendin e tyre dhe të mos zgjedhin ikjen. Duhet të përzënë abuzuesit jo t’i votojnë dhe rikonfirmojnë ata në pushtet. Duhet të bëjnë një listë të gjatë shkaqesh përse qytetarët e thjeshtë e të ndershëm ndodhen në pikën e dëshpërimit, ndërsa të zgjedhurit e tyre jetojnë në luks që e sigurojnë në Tiranë, buzë detit, anës malit, ku të munden me të gjitha format dhe rrugët e paligjshme.
Duhet reflektuar nga të gjithë aktorët që nuk e heqin nga goja dekriminalizmin, sidomos nga ata që e kanë kriminalizuar vetë politikën. Shumica apo pakica parlamentare duhet ta përdorin Gushtin për t’u detoksikuar nga helmet që kanë brenda tyre dhe që shpërndajnë në shoqëri. Dhe mbi të gjitha të investohen për një sezon të ri politik, ku interesat personale nuk i përngjajnë pandës gjigande Ai Hin, në qendrën e kërkimit të Chengdu në Kinë, që mashtronte kujdestarët sikur ishte shtatzënë që të përfitonte për të ndenjur në dhomë më vete me kondicioner dhe ushqim të përzgjedhur dhe ekstra bambu dhe përkujdesje të vecantë.
Herët a vonë e vërteta del dhe ashtu si panda hileqare me shtatzaninë fantazëm, abuzuesit e pushtetit që u kanë dhënë qytetarët do të demaskohen për përfitimet e jashtëligjshme. Ndoshta jo menjëherë në Shtator dhe as kur të përfundojë reforma në drejtësi, nëse përfundon diku nga vjeshta. Por e sigurtë është që nëse nuk do të ketë surpiza të hidhura në rrugëtimin europian të Shqipërisë, ata që kanë shkelur ligjin, që kanë abuzuar me fonde publike, do t’u jepet mundësia të shohin investimet dhe përmirësimet që kanë bërë në burgjet e vendit qoftë edhe vonë nëse nuk ndodh herët.









