Zona e Golemit dhe Qerretit rezulton ndër më problematiket sa i takon respektimit të detyrimeve ligjore për sigurimin teknik në kantieret e ndërtimit.
Kryeinspektori i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Afrim Qendro, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, zhvilluan sot një takim me sipërmarrësit që ushtrojnë aktivitet në këtë territor.
“Aktualisht, këtu janë 55 leje në zhvillim. Nga kontrolli i parë i kryer prej Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit ka rezultuar se vetëm dy objekte janë në respektim të kritereve ligjore, ndërsa pjesa tjetër konsiderohen keq ose shumë keq. Ju lutem shumë të merrni masa, sepse është detyrimi juaj. Është e pafalshme të dëmtohet turizmi në këtë zonë prej 55 kantiereve. Fakti që dy biznese janë në përputhje me ligjin do të thotë se është e mundshme për të gjithë”, u shpreh kryeinspektori Afrim Qendro.
Sipas tij, Golemi bashkë me Qerretin dhe Kavajën shkojnë me qindra mijëra banorë të përhershëm por edhe turistë që vijnë në zonë. “Nëse nuk jetojmë në harmoni me ta, nëse nuk jua sigurojmë jetën atyre atëherë ju nuk jeni në rregull me veten tuaj por edhe komunitetin që ju rrethon”, vlerësoi Qendro.
Më tej, ai kritikoi edhe performancën e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë së Kavajës.
“Dua t’i drejtohem edhe drejtorit të IMT-së Kavajë. Nëse ti do ta kishe bërë punën, nuk do të ishim sot këtu. Duhet të jeni në lartësinë e detyrës për ta bërë këtë punë”, nënvizoi Qendro.
Kryeinspektori i IKMT-së njoftoi se javën e ardhshme do të fillojë një rikontroll në të gjitha kantieret e kësaj zone.
“Nëse subjektet nuk do të kenë përmbushur detyrimet e sigurisë teknike, do të merren masa të ashpra sikurse parashikohen në ligj. Ne po ju lëmë një afat të mjaftueshëm. Nëse nuk reagoni, nuk do të tolerohet askush”, u shpreh Qendro.
Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, falënderoi IKMT-në për angazhimin në prag të sezonit turistik, ndërsa u bëri thirrje bizneseve të reagojnë.
“Me gjithë turizmin që presim në këtë zonë, është e pafalshme të mos merrni masat dhe të mos rrethoni kantieret, duke garantuar respektimin e sigurisë teknike”, theksoi Qosja.











