Avokati i Popullit bën një radiografi të ashpër të të drejtave të shtetasve shqiptarë. Ai shprehet me kritika për të gjitha institucionet e shtetit, qeverinë, gjykatat dhe KLD-në. Totozani thotë se “kur një familje prishet, shoqëria tkurret, tretet”
Intervistoi Skënder Minxhozi
Zoti Totozani, si e shihni Shqipërinë e sotme?
Une ju falenderoj për pyetjen tuaj. Ju falenderoj edhe pse, pavaresisht nga pozicioni im, une jam nje njeri si gjithe te tjerët dhe si i tillë ndjej momente “vetmie”. Ka shumë momente të tilla, njerëzore, kur ndjejë nevojën për të folur me dikë, për të treguar ato që shoh dhe ndjej përditë në punën time. Misioni që unë po kryej, është i tillë që më ka dhënë mundësinë të shohë atë që ndoshta, e kemi të gjithë para syve por që përditshmëria e secilit pengon për ta parë thellë. Unë kam mundësinë e papërsëritshme ta shoh thellë, shumë thellë vendin tim, qytetarët tanë, familjet tona.
Dhe çfarë Shqipërie shihni?
Shohë që ka një Shqipëri të padrejtë për një numër të madh të qytetarëve tanë. Shoh se si rritet me shumë shpejtësi, numëri i njerëzve që rrëshkasin nga dita në ditë në mjerim, gjithmonë e më të thellë. Dhe nuk ka asnjë dorë që ta kap nga krahu e ta pengojë të ndodhë kjo. Shoh njerëz dhe familje të tëra që përpëliten në kushte ekstemisht të vështira mbijetese, familje që shkatërrohen nga varfëria, nga pamundësia për të shpresuar për më mirë duke i sjellë përvec atyre një dëm të parikuperueshëm shoqërisë në tërësi. Kur një familje prishet shoqëria tkurret, tretet. Shoh njerëz që ikin për një jetë më të mirë, më saktë kam shumë kohë që i kam parë, shumë kohë më parë se politika jonë dhe i kam paralajmëruar edhe zyrtarisht për këtë. Një raport për azilkërkuesit Shqiptarë ka një vit në parlament dhe me gjithë kërkesat tona të vazhdueshme ai ende nuk diskutohet.
Ju falenderoj që po “hapni”zemrën me ne por a nuk do të ishte më e udhës që të gjitha këto tía thoshit administratës shtetërore, qeverisë, parlamentit?
Kjo është dhe pjesa tjetër e problemit. Administrata shtetërore po tregohet në shumë raste e shurdhët ndaj raporteve dhe rekomandimeve të Avokatit të Popullit. Nuk kam folur më parë publikisht për këtë me shpresën se gjërat do të ndryshojnë për më mirë në këtë raport që është jetik për qytetarin dhe të drejtat e tij. Por ka disa kohë që administrata nuk po i përgjigjet institucionit tonë dhe në disa raste kjo ka sjellë deri edhe bllokim të punës në shumë cështje që ndjekin ekspertët tanë.
Mund tju them se vetëm në këtë gjashtë mujor të parë rreth 30 përqind e rekomandimeve tona nuk marrin as përgjigje. Por ka edhe më keq se kaq: me dhjetra-qindra kërkesa për informacion, të dërguara nga ekspertët tanë në institucionet shtetërore qëndrore dhe lokale nuk kanë marrë përgjigje. Në të tilla raste, dosja përkatëse bllokohet dhe nuk përparon dhe problemi i qytetarit nuk gjen zgjidhje. I kemi bërë të gjitha përpjekjet me administratën publike me vendimarrësit e këtij vendi. Por gjendja nuk po ndryshon. Ajo vazhdon të mbetet alarmante. Të mos bashkëpunosh me Avokatin e Popullit, më parë se institucionin dëmton interesat e qytetarit, për të cilin ne ekzistojmë.
Çfarë e pengon këtë bashkëpunim?
Kultura. Mund të zgjatesha më shumë në këtë përgjigje duke ju renditur faktorë të ndryshëm sepse është një pyetësor që më mundon vazhdimisht. Por në fund, nuk e di se si vij gjithmonë në një përfundim. Kultura. Vetëm ajo të ndihmon të kuptosh, përse në një strukturë institucionale dhe shtetërore të një vendi duhet edhe një institucion i tillë si Avokati i Popullit.
Nuk është kuptuar ende kjo?
Jo. Në një pjesë të madhe të klasës politike, të politikanëve apo drejtuesve tanë Jo.
Avokat ndërrojmë pak temë. Do të dëshiroja nga ju të dija dicka më shumë për aksionet e ndërrmarra gjatë këtij viti, për energjinë elektrike, ndërtimet e paligjshme, për pastrimin e abuzuesve nga skemat e subvencioneve apo ndihmave të shtetit etj.
Natyrisht, pa asnjë mëdyshje i kemi mbështetur të gjitha aksionet për të cilat ju pyesni. Shqipëria lundronte e lundron ende në një informalitet, në një paligjshmëri e korrupsion të cilët nuk e lënë të marrë frymë e të rritet. Kjo edhe për faktin se tashmë kemi krijuar një lloj kulture paligjshmërie e cila duhet të marrë fund një ditë e më parë. Të gjitha këto sëmundje, ja vështirësojnë jetën qytetarit shqiptar i cili në vite ka mundur të krijojë një lloj ekuilibri me të keqen. Korrupsioni psh është një nga shkelësit më të rëndë të të drejtave të njeriut. Dhe natyrisht aksione të cilat synojnë të prishin këtë ekuilibër, trondisin mënyrën e deri atëhershme të jetës.
Por zbatimi i këtyre aksioneve duhet bërë me shumë kujdes dhe sidomos, e përsëris, sidomos në përputhje me ligjin, me shtetin e së drejtës. Ndryshe, qëllimet e mira rrezikojnë të mos kuptohen sic duhet. Pra me një fjalë qëllime të mira, me mjetet e duhura ligjore. Kundërligjshmëria nuk mund të luftohet me kundërligjshmëri në kushtet e shtetit të së drejtës.
Më konkretisht…
Më konkretish, po ju marr rastin e prishjes së ndërtimeve, qofshin ato me leje pa leje apo në proces legalizimi. Ne e kemi ndjekur hap pas hapi këtë proces. Kemi qenë në Udenisht, në Lushnjë, në Tiranë, etj. Dhe në shumicën e këtyre rasteve ekspertët tanë kanë konstatuar mos zbatim korrekt të procedurave të parashikuara në ligjet e këtij vendi. Në disa nga këto raste janë shkelur parime të rëndësishme të shtetit të së drejtës si ai i një procesi të rregullt ligjor, duke iu pamendësuar qytetarëve të shfrytëzojnë mjetet efektive të ankimimit. Mos harrojmë shteti i së drejtës është para së gjithash kufuzim i pushtetit të organeve nëpërmjet ligjit. Kalimi i këtyre kufijve ka vetëm një emër: arbitraritet i cili përjetohet më pas si dhunë nga qytetarët. Qëllimi i mirë në këtë rast tradhëtohet dhe jo vetëm kaq por kjo krijon vuajtje të pamerituara për qytetarin dhe ngarkesa të mëtejshme me karakter social për gjithë shoqërinë dhe shtetit. Këtij të fundit mund ti rriten edhe kosto financiare të cilat në fund i paguan e gjithë shoqëria.
Edhe aksioni për energjinë elektrike është i mirëpritur nga ne dhe besoj nga gjithë qytetarët e këtij vendi. Energjia është një mall dhe ajo duhet paguar. Por edhe këtu ka disa cështje që nuk duhej të ishin neglizhuar. Së pari, ka patur pushime nga puna për debitorë të energjisë elektrike në administratën publike. Të gjitha këto pushime janë të paligjshme. Mos pagimi i energjisë elektrike, nuk është parashikuar në asnjë ligj që rregullon marrëdhënien juridike shoqërore të punës si shkak për shkarkim apo largim nga puna.
Por kjo ka ndodhur. Ata njerëz sidomos në sistemin e burgjeve apo në OSHE duhen rikthyer menjëherë në punë. Gjithashtu, askush nuk ka të drejtë ti kërkojë një funksionari publik faturën e energjisë elektrike familjare. Një dukuri e paligjshme nuk luftohet me mjete jo ligjore.
Po kështu me reformën për ndihmën ekonomike. Padyshim, largimi i abuzuesve është një gje e lavdërueshme. Por nuk mund të mos trajtojmë me seriozitet dhe transparencë daljen nga sistemi të rreth 400 familje rom dhe egjiptian në rrethinat e qytetit të Elbasanit, të cilët e meritonin atë. Pikërisht kemi kërkuar më shumë transparencë, më shumë bashkëpunim midis pushtetit qëndror dhe atij lokal dhe gjithashtu një rishikim i formulës së pikëzimit.
Zoti Totozani a ia keni ngritur të gjitha këto probleme qeverisë apo ministrave përkatës?
Asnjë dukuri, apo fenomen apo shkelje e të drejtave në Shqipëri, nuk kalon pa qëndrim nga Avokati i Popullit. Për të gjitha këto cështje ka rekomandime specifike nga Avokati i Popullit. Sic ka përshembull rekomandim për ndryshimin e politikës penale në Shqipëri në lidhje me vepra të tilla si vjedhja e energjisë elektrike apo “ndërtim i paligjshëm” ku kemi rekomanduar ndjekjen e qytetarëve në gjendje të lirë, dhe gjithashtu aplikimin e dënimeve alternative. Kjo për shumë arsye duke filluar nga kriteret e vendosura nga ligje dhe vendimet e gjykatave sipas të cilëve arresti me burg duhet të jetë masë përjashtimore dhe jo rregull e deri tek një sërë arsyesh të tjera, ekonomike, sociale për qytetarin dhe vetë shtetin. Përvec të tjerave në sistemin e burgjeve gjatë këtij viti vazhdimisht kemi patur një mbipopullim me mbi 1000 veta: premisë e mjaftueshme për të penguar riintegrimin e këtyre qytetarëve apo dhe shkeljen e të drejtave të tyre.
Siç kemi rekomanduar, gjithashtu, faljen e detyrimeve të papaguara për familjet në nevojë-përfituese të ndihmës ekonomike dhe një skemë mbrojtjeje për ta në të ardhmen. Nuk mundet një familjeje me 5 anëtarë dhe që jetojnë vetëm me 3 mijë lekë të reja në muaj, t’ju mbash një të tretën për të paguar detyrimet e papaguara. Janë mjaftueshëm në mjerim për t’iu reduktuar edhe ndihmën e cila ligjërisht dhe moralisht jepet për një arsye krejt tjetër nga të shërbyerit për të paguar energjinë elektrike. Çdo vend ka për detyrë të mbrojë atë që direktivat europian e konsiderojnë si “konsumator i cënueshëm”. Askush nuk duhet të privohet totalisht nga energjia elektrike sepse e ka të pamundur ta paguajë atë. Qytetarët nuk duhen lënë vetëm në mjerimin e tyre, ndryshe shteti nuk do kishte arsye të ekzistonte. Dhe kur flasim për ndihmën ekonomike duhet të kemi parasysh një gjë jetike: ajo nuk është llogaritur në bazë të një minimumi jetik, i cili ende nuk është i deklaruar nga shtetit Shqiptar. Shqipëria është nga vendet e rralla në europë e më gjerë që nuk e ka deklaruar këtë element, pa të cilin pensionet, pagat, ato minimale e deri tek ndihma ekonomike nuk janë realiste dhe në përputhje me standardet e nivelit të jetesës në Shqipëri. Sic kemi vite që rekomandojmë zbatimin e ligjit për gjakmarrjen, për diskriminimin pozitiv që duhet të gëzojnë qytetar të rrezikuar sic janë romët, për mos prekjen e standarteve ekonomike dhe të përfaqësimit të personave me aftësi të vecanta, për gratë, për ligjin për minoritetet, për aprovimin e kartës europiane të gjuhëve minoritare, për statusin e moshës së tretë, për pensionet suplementare të ushtarakëve, për trajtimin e vecantë të punonjësve të policisë, për strehimin social, për ndjekjen penale të atyre punonjësve që ushtrojnë dhunë, për jetimët, për barazinë midis qytetarëve për zbatimin e vendimeve gjyqësore. etj, etj.
Dhe çfarë përgjigjesh keni patur?
Në një numër jo të vogël rastesh asnjë përgjigje. Asnjë përgjigje edhe në raste ekstreme si ai i Marinzës kur vetë organet shtetërore kishin konstatuar prani jashtë normave të gazrave helmues apo djegës që rrezikojnë seriozisht jetën e banorëve të kësaj zone. Vetëm se në mos kthimin e përgjigjeve, më shumë se kushdo penalizohet qytetari. Dhe kjo duhet kuptuar drejtë. Dhe shpejt.
Shumë po flitet sot edhe për sistemin e dretësisë. Cili është mendimi juaj për këtë çështje?
Sigurisht, si qytetar dhe Avokat i Popullit sistemi i drejtësisë, pak më ngushtë gjyqësori mbetet një pushtet jetik për shtetin e së drejtës, për zhvillimin ekonomik e social të vendit dhe në fund të fundit për qytetarin. Është e qartë për ne si institucion se ky pushtet nuk është aty ku të gjithë do të dëshironim. Dhe këtë e bazoj në numrin e madh të ankesave që mbërrijnë në institucionin tonë për gjyqësorin. Qytetarët tanë, ankohen tek ne për moszbatim të vendimeve gjyqësore, për vendime të padrejta dhe korruptive të gjyqësorit, vendime që ne në bazë të një marrëveshjeje që kemi me inspektoriatin e KLD dhe ate të Ministrisë së Drejtësisë, ua kalojmë atyre për kompetencë, gjithmonë duke ruajtur të drejtën për të kërkuar informacion mbi ecurinë e procedimeve të tyre. Por qytetarët vuajnë sot nga procese gjyqësore të cilat janë të tejzgjatura, çka iu kushton qytetarëve stres, shpenzime dhe dëm të dinjitetit të tyre. Kjo drejtësi nuk mund të jetë kështu efektive. Një drejtësi e vonuar është një e tillë e mohuar. Për të mos folur më pas për një perceptim qytetar që ndjehet në ankesat që mbërrijnë tek ne të një korrupsioni mjaft të përhapur. Jo vetëm kaq por kostot e drejtësisë janë gjithashtu për disa qytetarë të paarritshme. E kam fjalën këtu për njerëzit më të varfër të vendit.
Problem tjetër është aksesi në drejtësi i personave më aftësi të veçanta. Siç e shihni, ankesat janë të shumta çka tregon që gjyqësori ka probleme të cilat kërkojnë ndërhyrje. Pra reforma është e domosdoshme. Dhe ne si institucion po punojmë në këtë drejtim duke formuluar mendimin tonë dhe propozimet tona të cilat do t’ia dërgojmë më pas parlamentit. Propozimet tona i bazojmë kryesisht në natyrën e problemeve që konstatojmë në ankesat që na vijnë. Le të shpresojmë që vendimarrësit do t’i marrin parasysh. Nuk duhet harruar se është një nga reformat më të rëndësishme dhe më delikate që mund të bëjë një vend. Një gjyqësor i pavarur është garancia numër 1 e shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut. Një gjyqësor i pavarur është vetë një e drejtë e njeriut.
Tema e zbatimit të vendimeve gjyqësore mbetet një gangrenë në Shqipëri…
Padyshim, mosbatimi i vendimit gjyqësor është shkelje flagrante e procesit të rregullt ligjor. Nuk ka shtet ligjor dhe shtet të së drejtës pa zbatimin e këtyre vendimeve. Vendimet gjyqësore zbatohen. Mund të mos të pëlqejnë, mund t’i komentosh, por në fund ato duhen zbatuar. Është ndoshta për koincidencë që rekomandimi i fundit që kam firmosur ka të bëjë me një rast të tillë. Dhe ka të bëjë me rastin e ish- inspektorit K.K i cili po proteston para dyerve të KLD-së për kthimin në vendin e punës sipas një vendimi të formës së prerë dhe gjithashtu një vendimi të gjykatës kushtetuese. KLD-ja duhet të jetë e para që të japi shembullin e zbatimit të vendimeve gjyqësore. Është në nderin e saj dhe gjyqësorit që vendimet në fjalë të zbatohen menjëherë. Nuk ka asnjë justifikim që kjo të mos ndodhë, menjëhherë dhe automatikisht.
Pa dyshim shumë sfida për institucionin që ju drejtoni…
Shumë, por një gjë duhet kuptuar drejtë, sfidat në fjalë janë hallet dhe problemet e jetës së qytetarëve. Ne jemi vec zëri. Këtë duhet ta kuptojnë më së fundi politikanët dhe udhëheqësit tanë, qoftë të maxhorancës qoftë të opozitës. Ne jemi një institucion jo politik dhe i paanshëm, ndaj produkti ynë duhet kuptuar drejtë nga qeveria dhe parlamenti. Ne nuk kërkojmë kredo politike, përkundrazi, në tema të caktuara, ne kemi kosto të lartë nga puna jonë, qoftë personale apo familjare por ky është misioni ynë. Çdo qeveri veç mund të përfitojë nga rekomandimet apo kritikat tona sepse ato janë gjithmonë teknike dhe profesionale dhe vec për të mirën e qytetarëve. Për fat të keq kjo nuk kuptohet gjithmonë kështu. Sikurse nga ana tjetër, edhe opozitat duhet të jenë më të ndjeshme ndaj raporteve dhe rekomandimeve tona. Jo për t’i përdorur ato për luftë politike, politikë për politikë, por për të njohur më mirë hallet dhe problemet e qytetarëve për të ngritur më pas alternative qeverisëse sa më efektive për ta. As kjo nuk ka ndodhur. Institucione të tilla si Avokati i Popullit janë një pasuri e madhe kombëtare dhe një burim i jashtëzakonshëm informacioni dhe zgjidhjesh për përmirësimin e jetës së qytetarëve të këtij vendi. Sa më shpejt të kuptohet kjo, aq më mirë do të jetë: në rradhë të parë për qytetarin e këtij vendi.