I është dhënë sot lamtumira e fundit, Aleksandër Ndokës, vëllait të ish-deputetit të Partisë Socialiste, Arben Ndoka, i cili u ekzekutua me armë zjarri, teksa po hynte në banesën e tij në lagjen “Nëne Tereza” të qytetit të Lezhës. Në ceremoninë mortorë kanë marrë pjesë mijëra njerëz, miq të afërm dhe bashkëpunëtor të Ndokës, ndërkohë që të pranishëm ishin dhe aktor të politikës lokale. Në ceremoninë mortore ishte dhe djali i të ndjerit, Samuel Ndoka, pasi Drejtoria e Burgjeve i kishte dhënë lejë për të marrë pjesë në varrimin e të atit.
Ai është sjellë nga dy furgona policie, ndërsa ishte në vëzhgim nga efektivet gjatë gjithë ceremonisë. Gjithçka ka kaluar në heshtje, ndërsa familjaret dhe të afërmit ju kanë qëndruar larg medieve, duke mos folur asnjë fjalë për vrasjen e 48-vjeçarit Aleksander Ndoka. Nga ana tjetër Policia e Lezhës së bashku me specialistë të ardhur nga Drejtoria e Policisë së Shtetit po vijojnë hetimet në lidhje me ekzekutimin mafioz të 48-vjeçarit Ndoka. Policia po heton në disa pista, duke nisur që nga funksioni i Ndokës në disa detyra shtetërore e deri te konfliktet e të birit.
Informacionet e policisë janë të rezervuara, ndërkohe që pas ceremonisë mortore pritet të merren në pyetje familjaret. Dëshmia e tyre do të jetë mjaft me interes, për të përcaktuar pistën kryesore të hetimit me qëllim për të rënë në gjurmët e autoreve të kësaj ngjarje që tronditi Lezhën. Nga veprimet në vendin ngjarjes rezulton se autoret të kenë qenë vrasës profesionist, pasi kanë lënë shumë pak gjurme, ndërkohe që nuk përjashtohet mundësia që të kenë qenë vrasës me pagesë.