• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Saturday, June 20, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Editorial

I drejti, i miri, i keqi ose Rama në një film shqiptar

by Lorenc Vangjeli
19/07/2017 12:28
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Lorenc Vangjeli

Personazhet janë tre. Jo në film, por në jetë. Jo në Perëndimin e largët, përtej Atlantikut, por në një vend të vogël të ish-Lindjes komuniste. Jo me aktorë që shihen në sy dhe qëllojnë me pistoleta, por me njerëz realë, në transmetime të drejtpërdrejta në të gjithë televizionet.

I pari është kryeministër. I fuqishëm nga dje dhe shumë më i fuqishëm duke filluar nga nesër. Aktor, regjizor dhe skenarist i shumë fateve njerëzore. Ai është i drejti.

I dyti është një drejtor province. Si rregull dhe në perceptim, një shkëmb i vërtetë përpara fakirëve që i trokasin me hall dhe për halle në zyrë. Dorëbrenda në Tepsi. I mban sytë përdhe dhe flet përpara kryeministrit. Eshtë drejtori rajonal i Aluizni-t në Berat. Ky është i keqi.

I treti, në fakt është e treta. Një grua e moshuar. Ka treguar si ka vajtur në zyrë të drejtorit dhe ai nuk i ka zgjidhur problemin. Ajo është viktima. Si rregull dhe perceptim është edhe e drejta e shkelur. Eshtë e mira.

Kryeministri ngre në këmbë drejtorin. Drejtori djersin,. I merret goja. Edhe kur flet gabon me minimumi një qind vjet. “Nëneja ka ardhur tek ne në vitin 1912”, thotë ditëziu për të zezën e tij. Ka pak burra në Tiranë që të flasin me sytë përpjetë përpara kryeministrit që si rregull i sheh mesatarisht nga lartësia e një koke më shumë. Në Berat ka edhe më pak burra të tillë.

Përreth, në skenën e hapur, nën kamerat që xhirojnë, drejtori i legalizimit legalizon mëkatet e tij. Gruaja e moshuar që e ka parë deri dje si perëndi, por dhe gjithë turma përreth nuk do të donte të ishte në vendin e tij. Në botën e kafshëve, jo atë të njerëzve, kjo do të ishte njëlloj sikur delet të kenë miqësinë e luanit përballë ujkut. Pikërisht në kohën që ujku para luanit bëhet qengj. Humori është i garantuar. Dikush i veshur mirë shkel një lëkurë bananeje dhe rrëshket. Ai vritet, të tjerët qeshin.

“Jepi legalizimin! Jo nesër, sot. Ndryshe jep dorëheqjen!” Kryeministri e hedh në erë shkëmbin provincial. Që është i lartë dhe i fortë në Berat, në Gjirokastër, në Tropojë, në Vlorë, në Korçë apo në Kukës, por është vetëm një grusht rërë e thatë përpara dinamitit kryeministror. Tkurret. Thyhet. Shkërmoqet. Turma brohoret. Xhelati bëhet viktimë dhe viktimat kënaqen kur shohin “xhelatin” e tyre të poshtëruar, të gjunjëzuar dhe të dorëzuar. Pushteti ka hije të rëndë. Plumb është pushteti për të dobtin. Tani pushtetin e ka turma. Me kusht që mes saj të jetë kryeministri.

Eshtë vapë postfushatë. Fushata elektorale në fakt nuk ka mbaruar ende edhe pse është shpallur një fitues, edhe pse ka humbës që shpresojnë të hyjnë nën tryezën e qeverisë së nesërme dhe ka gjithashtu ish-partnerë të shndërruar në rivalë të egër. Të gjithë kanë ndryshuar. Ka ndryshuar edhe Edi Rama kryeministër në detyrë dhe njëkohësisht edhe kryeministër i ardhshëm. I akuzuar gjatë gjithë qershorit se nuk kishte realizuar premtimet e qershorit të katër viteve më parë dhe se nuk kishte një ide të qartë se çfarë do të bëjë katër vjet më pas, Rama po vazhdon fushatën. Sërish me publikun.

I pyet sesi duhet të qeverisë. Njëlloj siç bëhet zakonisht me aleatët e vërtetë. Basha nuk u bë dot më i madh që të bashkëqeveriste me të. Luli i PD-së mbeti aq i vogël sa edhe Jemini pa lidhje me Jemenin, nuk e merr dot seriozisht. Mbetet për t’u imaginuar si e shohin Patozi i ish-fjalimeve dhe ish-ministri i lekëve Bode.

Zëvendësja teknike e kryeministrit në të mbrëmjen e të njëjtës ditë që Rama ja hidhte shqiptarëve në arenën e cirkut të madh fakirin nga Berati, thoshte se ministrat do të ikin nga qeveria kur t’i binte PD-ja bilbilit. Por PD nuk di ku ka kokën dhe e ka të pamundur të gjejë gojën për ta përdorur për bilbil. Sepse që të ikin ministrat duhet të mblidhet sërish parlamenti. Domethënë ta thërrasë Ilir Meta që është ende kryetar kuvendi dhe që pret të bëhet President i Republikës. Si kryeparlamentar Iliri ishte aleat me Edin, si President Meta është kundërshtar me Ramën. Nga ana tjetër, PD që e votoi triumfalisht qeverinë gjysmëteknike në maj, tani në korrik po bën sikur është në armiqësi me të. Në pritje dhe duke u pregatitur për një miqësi gjysmëpolitike në shtator kur të bëhet qeveria e re. Po kështu, që të ikin ministrat teknikë duhet dekreti i Nishanit që është duke ikur për vete. Dhe pastaj duhet që parlamenti të votojë, njëherë që ministrat të ikin, njëherë që ministra të tjerë të vijnë. Një skemë që zgjat deri në shtator kur parlamenti i ri do të zgjedhë sërish qeverinë e re. Një rrugë shumë e gjatë kjo që nuk vlen mundimi të rrezikohet të bëhet. Në një qind e kusur vjet qeverisje të Shqipërisë nga shqiptarët, një stinë vere me qeverisje vetëm nga qytetarët dhe me qytetarët në pritje të shtatorit, duhet të jetë një gjë që vlen. Qoftë dhe si një eksperiment social, por me kusht që viktimat të jenë drejtorë në Berat. Si për të kujtuar një nga filmat e shumtë të realizimit socialist, në të cilin, si rregull, vetëm gjermanët pushtues dhe vetëm nja dy gra, ishin personazhet e vetëm pa mjekër dhe mustaqe. Gjithë të tjerët, personazhet pozitivë, negativë, të moshuarit dhe gratë kishin edhe mjekër, edhe mustaqe. Si burrat.

Next Post
Civici: Fenomeni i financimit me “fajde”, shumë i dëmshëm dhe i rrezikshëm

Civici: Fenomeni i financimit me “fajde”, shumë i dëmshëm dhe i rrezikshëm

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Përshkallëzohet përplasja Trump-Meloni: Nuk e dua as si fanse, kryeministrja italiane i përgjigjet ashpër

Përshkallëzohet përplasja Trump-Meloni: Nuk e dua as si fanse, kryeministrja italiane i përgjigjet ashpër

June 19, 2026
Vëmendje për viktimat

Disa shënime mbi një këngë zvicerane të ngjashme me këngët shqiptare të nizamëve

June 19, 2026
Horoskopi ditor për nesër, e hënë 1 qershor 2026

Horoskopi ditor për nesër, e Shtunë 20 Qershor 2026

June 19, 2026
“Më mori burrin”/ Zhaku përballet me Mozën, si qëndron e vërteta mes dy ish-fermereve

“Më mori burrin”/ Zhaku përballet me Mozën, si qëndron e vërteta mes dy ish-fermereve

June 19, 2026
Athina do të kërkojë anëtarësimin e Malit të Zi në BE gjatë presidencës së Këshillit në vitin 2027

Athina do të kërkojë anëtarësimin e Malit të Zi në BE gjatë presidencës së Këshillit në vitin 2027

June 19, 2026
Andoni: Kapitulli për mjedisin mbetet ndër më të vështirët, qeveria duhet të japë përgjigje për zonat e mbrojtura

Andoni: Kapitulli për mjedisin mbetet ndër më të vështirët, qeveria duhet të japë përgjigje për zonat e mbrojtura

June 19, 2026
Përplasje në samitin e BE-së, Meloni dhe Sánchez debatojnë ashpër për emigracionin

Përplasje në samitin e BE-së, Meloni dhe Sánchez debatojnë ashpër për emigracionin

June 19, 2026
“Ishte si një ëndërr”, Moza Ahmeti rrëfen emocionet pas fitores së Ferma VIP, zbulon telefonatën e parë

“Ishte si një ëndërr”, Moza Ahmeti rrëfen emocionet pas fitores së Ferma VIP, zbulon telefonatën e parë

June 19, 2026
Radhë kilometrike makinash në kufirin greko-shqiptar, udhëtarët presin mbi një orë në Krystallopigi–Kapshticë

Radhë kilometrike makinash në kufirin greko-shqiptar, udhëtarët presin mbi një orë në Krystallopigi–Kapshticë

June 19, 2026
Tragjike në Gjirokastër, mbytet një 62-vjeçar në liqenin e Viroit

Tragjike në Gjirokastër, mbytet një 62-vjeçar në liqenin e Viroit

June 19, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In