Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ka thënë se ligji i cili kosovarëve ua ndalon pjesëmarrjen në luftëra të huaja ka dhënë rezultate të shumta.
Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes Alma Lama lidhur me zbatimin e këtij ligji, Hyseni ka thënë se po mbyllet muaji i 10-të, ku nuk është regjistruar asnjë rast i shkuarjes në luftëra të huaja, shkruan Koha Ditore.
“Ligji ka prodhuar konsekuenca pozitive. Po e mbyllin muajin e dhjetë që nuk është regjistruar asnjë rast i shkuarjes në luftëra të huaja, duke përjashtuar dy tentime që janë parandaluar suksesshëm nga Policia e Kosovës.
Po ashtu 33 kallëzime penale janë ngritur”, ka thënë Hyseni. Ai ka shtuar se nevojitet angazhim i gjithë shoqërisë në luftën kundër radikalizmit.
“Kemi projekte për integrimin e atyre që janë penduar, dhe po ashtu në të gjitha komunat kemi folur hapur kundër radikalizmit”, ka deklaruar Hyseni. (b.an)









