Ish-truproja i Sali Berishës, Izet Haxhia, identifikon UDB e ish-Jugosllavisë si themelin e lidhjeve të Sali Berishës me amerikanët. Në një intervistë për “Shqiptarja.com”, Haxhia komenton luhatjet e raporteve ndër vite të Sali Berishës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rolin vendimtar të qarqeve e lobeve serbe. Haxhia, për vite me radhë një ndër njerëzit më të afërt dhe të besuar të Sali Berishës, pohon se UDB kishte një dosje për Sali Berishën. Sipas tij, ish-ambasadori Rajerson, erdhi nga Beogradi në Tiranë, me një dosje të UDB, të përgatitur për Sali Berishën dhe politikanë të tjerë. Izet Haxhia mendon se Elez Biberaj ka luajtur një rol të rëndësishëm në ngjitjen e Berishës në krye të PD. Sipas Haxhisë, Sali Berisha nën urdhrat e padronëve në Beograd, herë pas here, është divorcuar me SHBA, në dëm të interesave kombëtare.
-Z. Haxhia, Partia Demokratike ka hyrë në një kurs përplasjesh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Reformën në Drejtësi. Nga buron fuqia e Berishës për t’ju kundërvënë SHBA, në momente të ndryshme të tranzicionit shqiptar?
Për ata që njohin politikën e jashtme të Amerikës, sidomos për vende të vogla e parëndësishme siç është Shqipëria për Amerikën, e dine që kjo politikë është e drejtuar e orientuar sipas ndikimit që kanë lobet e interesit dhe persona të ndryshëm në administratën amerikane të lidhur me këto lobe. Tipik i kësaj politike është edhe rasti Berisha, i cili ka patur në marrëdhëniet me Amerikën ‘dashuritë’ dhe muaj mjalti, ashtu siç ka patur edhe ‘tradhti’, mosbindje e divorce të përkohshme mes Berishës e Amerikës. Po pse Berisha herë pas here, kur preken interesat e tij të pushtetit dhe influencës, bien në kundërshtim me politikën dhe të dërguarit e Amerikës apo përfaqësuesit e saj? Duhet të mos harrojmë se Berisha ishte i ‘zgjedhuri ‘i Amerikës për të ardhur në krye të PD e më vonë në krye të shtetit pas lejimit të pluralizmit nga Ramiz Alia. Dihet tashmë se rolin kryesor për zgjedhjen e fitoren e Berishës dhe PD në ‘92 e luajti Elez Biberaj me Zërin e Amerikës, që e vuri në funksion të PD dhe Berishës dhe ambasadorin Rajerson, i ardhur çuditërisht nga Beogradi me një çantë, ku kishte dosjet e politikanëve të ‘rinj’ të pluralizmit shqiptarë të marra nëpërmjet kanaleve të UDB.
-Po cili është raporti i Biberajt me qarqet serbe?
Elez Biberaj ka qenë një shqiptar i arratisur në Jugosllavi e pas qëndrimit disavjeçar të familjes se tij u ndihmua nga UDB të emigronte në Amerikë. Aty, ai, me ndihmën e njerëzve të lobit serb në Amerikë, arriti të bëjë karrierë deri si këshilltar i Departamentit të Jashtëm Amerikan. Pra Berisha erdhi në pushtet i mbështetur nga lobi serb ne Amerikë që ka pasur ndikim të madh në administratën e Bushit në vitet ‘90 nëpërmjet Igellberger, i cili kishte lidhje e interesa ekonomike me Serbinë e konkretisht firmën Zastava.
-Sipas jush në lojë është lobi serb?
Berisha, duke marrë forcë nga ky lob serb dhe urdhra nga padronët e tij në Beograd, herë pas herë është përplasur e divorcuar me Amerikën, gjithmonë duke dëmtuar interesat jetike të shtetit shqiptar dhe çështjen kombëtare. A ka ndihme më të madhe që mund t’u bësh armiqve tanë shekullore, se ajo që u ka dhënë e po jep Berisha vetëm me faktin që ka penguar e po pengon konsolidimin e një shteti të së drejtës e ligjor në Shqipëri? Kur ishte në pushtet, duke e përdorur shtetin dhe institucionet e tij si pronë të tijat apo partisë e familjes së tij mafioze e antishqiptare dhe tani që duket sikur është në opozitë, duke krijuar shtetin e tij paralel me president, shërbim sekret, kryeprokuror e gjykata në shërbim të tij? Berisha është hedhur në luftën e tij finale me Amerikën dhe Evropën për ta shpëtuar këtë shtet paralel të tij apo më mirë antishtetin që po i bën karshillëk shtetit shqiptar edhe kështu të lodhur e sfilitur.
-A është kjo një kosto e panevojshme për Lulzim Bashën, për të cilin ka një pritshmëri, se do të sjellë gradualisht një mentalitet dhe model tjetër në PD?
Berisha për të shpëtuar këtë ‘shtet’ të tij paralel është gati ta djegë Shqipërinë e jo Bashën, i cili që është i kallur që në fillim të karrierës së tij të filluar në Kosovë, bashkë me të bijën e marshallit, duke mbledhur të dhëna e duke spiunuar për luftëtaret e UÇK tek ndërkombëtaret e Marti. Basha është një politikan pa asnjë pikë personaliteti dhe kurajoje që po përdoret si një klloun nga Berisha për të shpëtuar shtetin paralel të Berishës, rrënja e të cilit do të çonte tek kafazi i hekurt shumë politikanë dhe i pari do ishte vetë marshalli, që si duket nuk i pëlqen ajo shprehja, se burgu është për burrat. Ndoshta edhe ai, si vëllai i vet biologjik Radovan Karaxhiç, nuk e përballon dot burgun e na bën të pabërën duke varur veten. Kot nuk thonë që e vërteta dhe hakmarrja e saj janë të pamëshirshme. Ka ardhur koha e së vërtetës për shqiptarët. Ketë nuk mund ta pengojë as Berisha, as Serbia dhe as shteti i tyre paralel më kapter Nishanin./ Shqiptarja.com/ a.k