Ndërhyrja në kohë e forcave të policisë ka parandaluar një ngjarje që mund të kishte pasoja të rënda në fshatin Tushemisht të Pogradecit.
Policia sqaron se dy shtetas përkatësisht A.P, 25 vjeç dhe shtetasi G.Xh, 33 vjeç kanë konfliktuar midis tyre për motive të dobëta.
“Pas këtij konflikti dyshohet se shtetasi A.P, ka shkuar në banesën e tij në fshatin Tushemisht dhe ka marrë një armë zjarri tip kallashnikov, me qëllim që të ndiqte personin me të cilin ishte konfliktuar.
Reagimi në kohë i Policisë, bëri të mundur parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit midis këtyre dy shtetasve, pikërisht në një lokal në fshatin Tushemisht, ku shtetasi A.P, pasi kishte marrë armën, kishte hyrë në ambientet e tij për të kërkuar shtetasin G.Xh”, sqaron policia.
Në deklaratë thuhet se sapo ka parë forcat e rendit, i riu është larguar me shpejtësi.
Nga ana e Policisë, janë ngritur grupe kontrolli dhe po vijon krehja e zonës për kapjen e tij.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, si edhe dokumentimin e plotë të saj.
a.ç