Përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), nesër do të marrin pjesë në takimin konsultativ të thirrur nga kryesuesi i seancës së Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci, por nuk kanë vendosur ende nëse marrin pjesë në seancën e së enjtes, raporton KosovaPress.
Këtë e ka bërë të ditur nënkryetari I PDK-së, Enver Hoxhaj. Ai në një prononcim për KosovaPress, ka thëne se propozimi i Kadri Veselit, se ai do të tërhiqet nga kandidimi për kryetar të Kuvendit me kusht që partitë të tjera ta votojnë Qeverinë Haradinaj, vlen deri nesër në ora 10:00, tha Hoxhaj.
I pyetur se a qëndron PAN-i prapa propozimit të Veselit, i cili ditë më parë kishte thënë se tërhiqet nga kandidimi vetëm nëse partitë tjera e votojnë Qeverinë Haradinaj, Hoxhaj ka thënë se ky propozim vlen deri nesër.
“Nesër kur ta kemi takimin me gjitha subjektet politike do ta bëjmë publik qasjen tonë. Qëndrimi i PDK-së eshte që kandidati i vetëm për kryetar të Kuvendit do të jetë Veseli. Ne qëndrojmë prapa një vendimi që e ka marrë këshilli drejtues i PDK-së, por ju e dini që Zoti Veseli ka dale me një propozim, i cili ka afate deri nesër në orën dhjetë. Do të shihet se si do të reagojnë partitë e tjera politike”, tha Hoxhaj. /b.d