Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ka pritur në takim ambasadorin e Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi. Gjatë takimit miqësor, Hoxha dhe Durmishi kanë rikonfirmuar angazhimin për thellimin e partneritetit, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat, përmes koordinimit të ngushtë institucional, rritjes së shkëmbimeve ekonomike dhe avancimit të projekteve të përbashkëta me rëndësi strategjike në fushat e sigurisë, energjisë, infrastrukturës dhe arsimit.
Hoxha ka deklaruar gjithashtu se Kosova mbetet përparësi e politikës së jashtme të Shqipërisë.
“Një takim shumë miqësor me Ambasadorin e Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi.
E sigurova, siç ia kam konfirmuar më parë edhe Ministrit Konjufca, se #Kosova mbetet një përparësi e padiskutueshme e politikës sonë të jashtme.
Rikonfirmuam angazhimin e palëkundur për thellimin e partneritetit të ngushtë e të veçantë si dhe zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat, përmes koordinimit të ngushtë institucional, rritjes së shkëmbimeve ekonomike dhe avancimit të projekteve të përbashkëta me rëndësi strategjike në fushat e sigurisë, energjisë, infrastrukturës dhe arsimit.
#Shqipëria nuk do të reshtë së mbështeturi forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe integrimin e saj euroatlantik”, shkruan Hoxha në rrjetin social X.











