Shqipëria shkon në sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së me një angazhim të fortë për reforma dhe progres.
Kështu u shpreh ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, i cili theksoi se “premtimet kanë rëndësi, por ajo që bën diferencën është zbatimi”.
Mesazhin e shoqëroi me videon e kryeministrit Edi Rama për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, ku kreu i qeverisë e cilëson Agjendën 2030 dhe procesin e integrimit në Bashkimin Europian si pjesë të së njëjtës rrugë transformimi për Shqipërinë.
” Sesioni i 81-të i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ka nisur. Debati i përgjithshëm fillon të martën e ardhshme. Në një klimë të karakterizuar nga pesimizmi gjeopolitik, tronditjet dhe pasiguria, Shqipëria paraqitet e përgatitur, me një ndjenjë të fortë përgjegjësie dhe një angazhim të palëkundur për reforma dhe progres. Premtimet kanë rëndësi. Zbatimi ka edhe më shumë rëndësi dhe është pikërisht ai që bën diferencën. Siç thuhet edhe në këtë mesazh me video të kryeministrit Edi Rama mbi punën e Shqipërisë në përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. “Për Shqipërinë, Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm nuk janë një premtim i largët; ato janë një plan i përditshëm pune dhe janë të pandashme nga rrugëtimi ynë drejt Bashkimit Europian…”” shkroi Hoxha në postimin e së dielës.
Në video mesazhin e tij në gjuhën angleze, kryeministri Rama vuri theksin tek arritja e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm.
“Përshëndetje nga Shqipëria për të gjithë ata që po i bashkohen këtij Momenti të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm nga e gjithë bota. Për Shqipërinë, Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm nuk janë një premtim i largët. Ato janë një plan i përditshëm pune dhe janë të pandashme nga rrugëtimi ynë drejt Bashkimit Europian. Përmbyllja e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027, anëtarësimi në BE deri në vitin 2030 dhe përmbushja e Agjendës 2030 nuk janë tri rrugë të ndryshme. Ato janë një rrugë e vetme transformimi. Që nga Rishikimi ynë Kombëtar Vullnetar në vitin 2018, varfëria ka rënë nga 23.7 në 19 për qind, vdekshmëria e fëmijëve nën pesë vjeç është përgjysmuar, më shumë se 95 për qind e shërbimeve publike tashmë ofrohen online, pothuajse e gjithë energjia jonë elektrike vjen nga burime të rinovueshme, gratë mbajnë 35 për qind të vendeve në parlament dhe afro 50 për qind të posteve ministrore. Borxhi publik është shumë më poshtë se 60 për qind. Këto nuk janë thjesht statistika. Ato janë dëshmi se ndryshimi është i mundur. Dhe Shqipëria tani renditet e 44-ta në nivel global në Indeksin e SDG-ve për vitin 2026, duke qenë ndër vendet me performancën më të mirë në rajonin tonë. Por angazhimet nuk i ndryshojnë jetët; zbatimi po.
Kjo është arsyeja pse Shqipëria ka angazhuar 6 milionë dollarë amerikanë për Fondin e Përshpejtimit të SDG-ve, duke bashkuar ekipin e Kombeve të Bashkuara rreth katër prioriteteve si mbrojtjen e fëmijëve, përgatitjen e bizneseve për tregun e përbashkët të BE-së, rigjallërimin e komuniteteve lokale dhe forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Gjithashtu, kemi nënshkruar kuadrin tonë të ri të bashkëpunimit për periudhën 2027–2031 dhe nuk do të lëmë askënd pas, as fëmijët tanë, as komunitetet tona rurale dhe as më të cenueshmit. Së bashku me Kombet e Bashkuara, partnerët tanë europianë dhe qytetarët tanë, do të vazhdojmë të ecim përpara. Ju faleminderit shumë” tha Rama.
Debati i përgjithshëm i sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nis të martën në Nju Jork, ku liderë dhe përfaqësues të lartë nga e gjithë bota do të mbajnë fjalimet e tyre dhe do të zhvillojnë takime dypalëshe. Në qendër të diskutimeve pritet të jenë konfliktet në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, zhvillimi i qëndrueshëm, ndryshimet klimatike, inteligjenca artificiale dhe çështje të tjera globale.
Tema e këtij viti është “Rikthimi i besimit, menaxhimi i transformimit: Një OKB që jep rezultate për të gjithë”











