Numri i azilkërkuesve shqiptarë vazhdoi të rritet në Holandë edhe muajt e parë të vitit 2016, ndërsa ankesat e shqiptarëve atje për kushtet e strehimit dhe ushqimit kanë zemëruar vendasit.
Nga Vincent Triest, BIRN
Numri i kërkesave nga azilkërkuesit shqiptarë në Holandë në javët e fundit për herë të parë ka kaluar numrin e aplikantëve sirianë duke u bërë kështu grupi më i madh kombëtar, tha javën e shkuar në mars zëdhënësi i ministrisë holandeze të sigurisë dhe drejtësisë.
E shqetësuar nga ky trend, qeveria holandeze ka ndërmarrë masa për ta kufizuar valën.
Që nga vera 2015, numri i aplikimeve për azil nga Shqipëria është rritur dhe arriti 1010 në fund të vitit. Deri në 2014 vetëm disa dhjetëra shqiptarë kërkonin azil në Holandë çdo vit.
Ky trend i rritjes vazhdoi në dy muajt e parë të 2016, kur 480 shqiptarë kërkuan azil. Sipas zyrtarëve holandezë, numri u shtua në mars, megjithëse shifrat ekzakte të shqiptarëve, sirianëve dhe aplikantëve të tyre mbeten ende për t’u zbuluar. Ministria tha se shqiptarët tani renditen të parët për nga kërkesat për azil.
Numrat e atyre që kanë marrë përgjigje pozitive për kërkesat mbeten të ulëta.
Në 2015, vetëm katër shqiptarë fituan leje të përkohshme banimi, ndërsa 795 aplikantë u refuzuan.
Megjithëse numrat e aplikanëtëve shqiptarë për azil në Holandë mbeten më të ulët se në Gjermaninë fqinje, ku rreth 55,000 shqiptarë kërkuan azil vitin e shkuar, qeveria holandeze është shqetësuar nga fluksi.
Ajo ka miratuar mjete të reja në përpjekje për të kontrolluar dhe ulur numrin e azilkërkuesve nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Si pjesë e kësaj përpjekje, zyrtarë qeverisë holandeze vizituan Tiranën në janar për të rënë dakord me qeverinë shqiptare për mënyra të reja të rikthimit të azilkërkuesve të refuzuar.
Pas vendimit të BE-së për heqjen e vizave me Shqipërinë në 2010, shqiptarët mund të udhëtojnë në vendet Shengen pa viza.
Megjithatë, kur një shtetas shqiptar aplikon për azil, ai ose ajo automatikisht shkel rregullat e regjimit pa viza.
Kjo është arsyeja përse vendet e BE-së mund të ndalojnë hyrjen e shtetasve shqiptarë për shtatë vite në BE nëse nuk duan të kthehen në shtëpi.
Gjatë bisedimeve në Tiranë, dy qeveritë ranë dakord se qeveria holandeze mund të përdorë fluturime çarter për të sjellë në shtëpi azilkërkuesit e refuzuar. Kështu, Holanda nuk varet më nga fluturimet e programuara dhe mund t’i kthejë më shpejt shqiptarët.
Megjithatë, pavarësisht hapave për të kthyer në shtëpi me shpejtësi aplikantët e refuzuar, numri i shqiptarëve që aplikojnë për azil në Holandë po rritet.
Sipas ministrisë holandeze të sigurisë dhe drejtësisë, deri më 14 mars 2016, 1074 shqiptarë u akomoduan në qendra të azilit në Holandë.
Kur BIRN i pyeti ata përse u larguan nga Shqipëria për në Holandë, shumica thanë prej mungesës së punës dhe situatës së vështirë ekonomike.
Emiljano, 37-vjeçar, që jetonte në Oss, tha se u largua prej situatës ekonomike dhe problemeve personale në Shqipëri.
Ai i tha BIRN se ishte hedhur nga njëri vend europian në tjetrin duke kërkuar azil, nga frika e sigurisë personale në shtëpi.
Kastrioti, 58-vjeçar, i tha BIRN se u largua nga Shqipëria prej mungesës së kujdesit shëndetësor dhe trajtimeve mjekësore.
Me diabet, ai ka mundur të marrë ndihmë mjekësore falas në Holandë ndërsa pret një përgjigje për kërkesën për azil.
Ai u largua fillimisht për Gjermani për të kërkuar azil atje, por vazhdoi në Holandë ndërsa familja e tij qëndroi në Gjermani.
Siç shkroi edhe BIRN në nëntor, nën të ashtuquajturat rregulla të Dublinit, vendi ku bëhet kërkesa fillestare për azil është përgjegjës për t’u marrë me atë kërkesë.
Në teori, vetëm vendi i parë ku aplikohet për azil mund të shqyrtojë një çështje. Një kërkesë në një vend të dytë do të mohohet dhe do të kthehet në vendin e parë të aplikimit.
Pavarësisht kësaj, shqiptarët përdorin procedurat e ngadalta dhe burokratike të azilit për të qëndruar për një periudhë më të gjatë në Holandë.
Megjtihëse shqiptarëve u mungojnë arsyet për të marrë azil në Holandë, disa ankohen rreth kushteve në kampet e azilit në Holandë.
Emiljano tha se ai kishte zgjedhur Holandën sepse vendi “përqafon të drejtat e njeriut dhe i ka promovuar këto vlera”.
Por ai tha ishte zhgënjyer nga kushtet ku jetojnë azilkërkuesit në Holandë.
Duke theksuar gjendjen e keqe të ushqimit që ai tha se ia jepnin në kamp, Emiljano shtoi se ndonjëherë ka vjedhur për të ngrënë atë që preferonte.
“Ndonjëherë vidhja dhe do ta bëja sërish,” tha ai. “Në këtë vend mbërrin i shëndetshëm dhe sëmuresh”, shtoi ai.
Zëdhënësi de-fakto i një grupi shqiptarësh brenda qendrës së akomodimit, ai tha se nga ata pritej që të jetonin vetëm me ushqim mikrovale.
I pyetur përse sirianët ankoheshin më pak rreth kushteve të këqija dhe ushqimit, ai u përgjigj se sirianët “ishin mësuar me situatën. Ata jetonin në kushte aq të këqija saqë do të hanin edhe gurë nëse do t’ju duhej”.
Këto dhe ankesa të ngjashme nga azilkërkuesit shqiptarë kanë shkaktuar një reagim të zemëruar në media dhe nga politikanët.
Politikani i krahut të djathtë ant-emigrant Geert Ëilders komentoi këtë histori dhe tha: “azilërkuesit kërkojnë ushqimm më të mirë dhe më shumë. Përse nuk i përzëmë të gjithë këta qaramanë nga vendi ynë?”
Mona Keijzer, një politikan nga një parti e qendrës së djathtë, postoi në Tëitter: “Nëse kjo është e vërtetë, është turp. Kërkesat për azil duhet të ulen menjëherë dhe azilkërkuesit shqiptar duhen dëbuar”.
Malik Azmani, një tjetër anëtar i parlamentit holandez, tha se ai ishte shumë kritik rreth “azilkërkuesve pa perspektivë” që vinin nga vendet e sigurta.
“Nëse shqiptarët apo kosovarët nuk pëlqejnë ushqimin këtu, i rekomandoj të kthehen në vendin e tyre të origjinës dhe të hanë gulash, në vend që të na mërzisin me kërkesat e tyre,” tha ai.
I pyetur rreth masave që duhen marrë prej qeverisë holandeze për të pakësuar këto aplikime, Azmani tha: “Ata duhet të dëgjohen sa më shpejt pasi nuk ka shanse të marrin azil”.
“Aktualisht mund të duhen deri në gjashtë muaj për të filluar procedurat e azilit,” shtoi ai.
“Ne duam që këto vendime të pakësohen menjëherë për këta njerëz. Na duhet kjo që ata të mos kalojnë muaj këtu, të marrin ushqim falas dhe në fund të paguhen për t’u larguar”.
Azilkërkuesit që tërhiqen vullnetarisht dhe pranojnë të kthehen në vendin e origjinës marrin deri në 3450 euro dhe një biletë.
Teksa paga minimale në Shqipëri është vetëm 155 euro, tarifa shihet gjerësisht si shkak që të inkurajojë kërkesat për azil.
Kjo është një arsye përse autoritetet holandeze e futën Shqipërinë dhe Kosovën në listën e “vendeve të sigurta të origjinës”, që të mos marrin më këtë tarifë.