• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, July 10, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Hodges: Ngërçi politik e bën Kosovën më të cenueshme ndaj ndikimeve të jashtme

by A R
10/07/2026 22:04
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Kosova mbetet e cenueshme ndaj ndikimeve të jashtme për aq kohë sa nuk arrin të dalë nga ngërçi politik dhe të ndërtojë institucione të qëndrueshme, vlerëson ish-komandanti i Ushtrisë amerikane në Evropë, Ben Hodges.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se Rusia nuk ka interes ta shohë Kosovën si një shtet të fortë e të integruar në strukturat euroatlantike, ndërsa thekson se prania e KFOR-it mbetet një “spirancë e stabilitetit”.

Hodges flet edhe për transformimin e synuar të NATO-s pas samitit në Ankara, rritjen e rolit të Evropës në mbrojtje, kërcënimet hibride nga Rusia dhe mënyrën se si inteligjenca artificiale dhe teknologjitë e reja do ta ndryshojnë përgatitjen e Aleancës për konfliktet e së ardhmes.

Radio Evropa e Lirë: Gjeneral Hodges, cili mendoni se ishte mesazhi më i rëndësishëm strategjik që doli nga samiti i NATO-s në Ankara?

Ben Hodges: Mesazhi më i rëndësishëm është gjithmonë uniteti i aleancës. Natyrisht, shumë shqetësohen se presidenti [i SHBA-së, Donald] Trump do të vijë dhe do ta prishë këtë unitet. Në fillim, ai e bëri disi, duke rikthyer çështjen e Grenlandës, duke kritikuar Spanjën dhe gjëra të ngjashme. Por, në fund të samitit, tha se salla ishte e mbushur me dashuri dhe se aty kishte njerëz vërtet të mirë. Mendoj se është e rëndësishme që samiti përfundoi me një ton të tillë dhe që ai u largua me një qasje shumë më pozitive. Prandaj, ruajtja e unitetit të aleancës mbetet gjithmonë prioriteti kryesor në samite të tilla. Së dyti, ishte shumë me rëndësi edhe demonstrimi i investimeve evropiane në mbrojtje, si dhe i Kanadasë. Të gjitha njoftimet e bëra gjatë ditëve të fundit flasin për para dhe kapacitete reale ushtarake. Ky ishte një zhvillim shumë pozitiv. Dhe, në fund, mbështetja për Ukrainën. Jo vetëm toni i deklaratave, por edhe njoftimi për t’i dhënë Ukrainës licencë për të prodhuar interceptorët Patriot, raketat PAC-3. Do të shohim nëse kjo do të realizohet. Shpresoj që po, edhe pse mbetem skeptik, sepse presidenti Trump nuk ka qenë vazhdimisht mbështetës i fortë i Ukrainës. Por, shpresoj që këtë herë të bëhet fjalë për një angazhim të vërtetë.

Një NATO më e bashkuar, me një Evropë më të fortë

Radio Evropa e Lirë: Deklarata flet për një Evropë më të fortë brenda një NATO-je më të fortë. Në aspektin praktik, a sinjalizon kjo një ndarje të re të përgjegjësive ndërmjet Evropës dhe Shteteve të Bashkuara?

Ben Hodges: Po, e sinjalizon një gjë të tillë dhe unë nuk kam problem me këtë, për aq kohë sa Shtetet e Bashkuara nuk ia kthejnë shpinën Evropës. Parandalimi bërthamor është, natyrisht, shumë i rëndësishëm. Por, ai duhet të plotësohet edhe nga një prani konvencionale amerikane, qoftë përmes fuqisë ajrore, detare dhe tokësore apo shkëmbimit të inteligjencës. Pra, nuk mund të jetë thjesht: ‘Ju i keni armët bërthamore, ne po largohemi’. Kjo nuk do të ishte e dobishme. Megjithatë, transferimi i një pjese më të madhe të përgjegjësive për parandalimin konvencional tek aleatët evropianë, ka kuptim. Dhe, nuk duhet harruar Kanadaja, e cila shpesh lihet disi në hije në këto diskutime. Ajo është duke rritur kontributin e saj në aleancë, dhe kjo është e nevojshme për shkak të pozitës së saj gjeografike dhe cilësisë së burrave dhe grave në forcat e saj të armatosura. Edhe Kanadaja është një pjesë e rëndësishme e këtij ndryshimi.

Radio Evropa e Lirë: Pra, aleatët evropianë pritet të marrin përgjegjësi më të mëdha për mbrojtjen, duke vazhduar njëkohësisht të bashkëpunojnë ngushtë me Uashingtonin. Sa i rëndësishëm është ky ndryshim për të ardhmen e sigurisë transatlantike?

Ben Hodges: Gjëja më rëndësishme është angazhimi i vazhdueshëm i të 32 vendeve anëtare të Aleancës ndaj mbrojtjes kolektive. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Gjithmonë do të ketë dinamika mes aleatëve, mosmarrëveshje apo tensione për arsye të ndryshme. Ashtu siç ndodh edhe brenda Bashkimit Evropian, ku ka debate për migracionin, politikat financiare, vizat apo çështje të tjera. Kjo është e natyrshme. Por, përkushtimi i të gjitha vendeve ndaj njëra-tjetrës për mbrojtjen kolektive, është themeli i Aleancës. Dhe, natyrisht, mënyra më e mirë për t’i mbrojtur vendet e NATO-s nga një sulm i mundshëm rus, është të sigurohet që Ukraina të ketë sukses. Prandaj, mbështetja për Ukrainën mbetet një pjesë thelbësore e mbrojtjes dhe sigurisë së përgjithshme të Aleancës.

Lufta e së ardhmes: Dronë dhe inteligjencë artificiale

Radio Evropa e Lirë: NATO-ja po i kushton gjithnjë e më shumë rëndësi inteligjencës artificiale, kapaciteteve kibernetike, mbrojtjes raketore, sistemeve pa ekuipazh… Sa shumë po e ndryshon kjo mënyrën se si Aleanca përgatitet për konfliktet e së ardhmes?

Ben Hodges: Mendoj se Nisma për Parandalimin në Krahun Lindor është një nga qasjet më moderne ndaj parandalimit dhe mbrojtjes. Ajo nuk i zëvendëson elementet tradicionale, si forcat tokësore, pengesat apo minat, por i plotëson ato. Përgjatë gjithë krahut lindor të NATO-s, nga veriu i Finlandës deri në Detin e Zi, po ndërtohet një sistem i integruar. Nuk do ta quaja “mur”, sepse nuk e përshkruan saktë, por është një kombinim i të gjitha kapaciteteve që i përmendët, të lidhura në një rrjet, që rrit ndjeshëm shpejtësinë me të cilën komandantët identifikojnë kërcënimet, marrin vendime dhe reagojnë ndaj tyre. Kjo është një përshtatje e rëndësishme dhe një hap përpara në përdorimin e teknologjive të reja. Mendoj se një pjesë e madhe e kësaj është nxitur nga ajo që kemi parë në Ukrainë. Atje është krijuar një lloj “zone e vdekjes” që shtrihet në një pjesë të madhe të territorit, ku forcat ruse, deri tani, nuk kanë arritur të depërtojnë, për shkak të mbikëqyrjes së vazhdueshme dhe aftësisë për të goditur me mijëra dronë. Besoj se Aleanca ka mësuar nga kjo përvojë dhe po i zbaton këto mësime duke i kombinuar me kapacitete të tjera. Ky është një zhvillim pozitiv. Megjithatë, vazhdon të ekzistojë një mangësi e madhe në mbrojtjen ajrore dhe raketore. Ne ende nuk jemi të përgatitur ta mbrojmë gjithë infrastrukturën tonë kritike të transportit nga sulmet – të ngjashme me ato që Ukraina përjeton pothuajse çdo natë. Dhe, do të shtoja edhe një gjë: Aleanca ende nuk ka gjetur një përgjigje të qartë, ashtu si edhe shtetet individuale, për mënyrën se si duhet të përballet me operacionet ruse në të ashtuquajturën “zonë gri”. Bëhet fjalë për përdorimin e taktikave hibride – dronëve, atentateve, sabotimeve, dezinformimit – të gjitha të projektuara për të frikësuar shoqëritë evropiane, në mënyrë që qeveritë e tyre ta ndalin mbështetjen për Ukrainën. Prandaj, duhet të gjejmë mënyra për t’i imponuar pasoja Rusisë, edhe kur shumica e këtyre veprimeve nuk mund t’i atribuohen drejtpërdrejt asaj dhe mbeten nën pragun e Nenit 5 të NATO-s. Kjo është një sfidë të cilën ende nuk e kemi zgjidhur.

Pse NATO duhet t’i përgjigjet më fort Rusisë?

Radio Evropa e Lirë: Po pse nuk ka ende përgjigje ndaj këtyre kërcënimeve?

Ben Hodges: Mendoj se këtu çdo shtet përballet me sfidat e veta – ka kuadrin e vet ligjor dhe konsideratat e veta politike të brendshme, të cilat duhet t’i zgjidhë. Për shembull, kujtoni rastin kur rreth 12 dronë hynë në territorin e Polonisë disa muaj më parë. Askush nuk e mohoi se ishin rusë, por cili ishte reagimi? U ngritën në ajër avionë F-35 dhe F-16. Por, kjo nuk ishte përgjigjja e duhur. Nga ana tjetër, nuk dëshiron të rrëzosh dronë mbi qytetet tua kur nuk je në një gjendje lufte në kuptimin tradicional. Nëse e rrëzon një dron, mbetjet e tij do të bien diku. Pastaj, ka edhe mosmarrëveshje institucionale. Për shembull, këtu në Gjermani shtrohet pyetja: kush është përgjegjës? A është çështje për policinë? Për ushtrinë? Kush e kontrollon hapësirën ajrore mbi aeroportin e Frankfurtit apo të Berlinit? Këto janë çështje që ende duhet të zgjidhen. Mendoj se ekziston prirja që këto incidente të trajtohen si raste të zbatimit të ligjit, pra si vepra penale. Kjo nënkupton se duhet të mblidhen prova të pakundërshtueshme dhe të vërtetohet, sikurse në gjykatë, se përgjegjës është ky apo ai. Natyrisht, rusët e dinë këtë. Prandaj, nuk do të dërgojnë një ushtar me uniformë dhe flamur rus në krah. Ata përdorin njerëz që i paguajnë ose i sponsorizojnë për t’i kryer këto veprime. E njëjta gjë vlen edhe për të ashtuquajturën “flotë në hije”. Ajo është pjesë e së njëjtës strategji. Tashmë e dimë se këto anije jo vetëm që transportojnë naftë dhe gaz rus ilegalisht në Detin Baltik dhe Detin e Zi, por disa prej tyre janë përdorur edhe si platforma për lëshimin e dronëve, për shembull kundër Danimarkës. Prandaj, duhet ta pranojmë realitetin se Rusia është në luftë me ne, edhe nëse ne nuk e konsiderojmë veten në luftë me Rusinë.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë mesazhi i dërgon Rusisë mungesa e një përgjegjeje kuptimplotë?

Ben Hodges: Ajo kërkon vullnet politik, guxim politik, por edhe zgjidhje praktike. Natyrisht, kjo është më e ndërlikuar kur je pjesë e vendeve demokratike, që përpiqen të veprojnë në përputhje me ligjin dhe të drejtën ndërkombëtare. Duhet të gjenden mënyra për të reaguar brenda këtij kuadri. Unë besoj se kjo është e mundur. Ekzistojnë baza ligjore që mund të përdoren, por kërkohet punë serioze nga qeveritë. Rreziku është se, nëse nuk gjejmë mënyrën për t’iu përgjigjur këtyre veprimeve, Rusia do të vazhdojë t’i shtyjë kufijtë gjithnjë e më tej, derisa një ditë mund të ndërmarrë edhe një sulm të kufizuar ndaj një vendi të NATO-s. Për shembull, mund të sulmojë një zonë si Daugavpils në Letoni dhe pastaj të pyesë: ‘Mirë NATO, çfarë do të bëni tani? A do të hyni në luftë bërthamore për Daugavpilsin?’ Nëse përgjigjja do të ishte ‘jo’, atëherë besueshmëria e Nenit 5 dhe e vetë Aleancës do të dëmtohej rëndë.

Ku mbetet Kosova në transformimin e Aleancës?

Radio Evropa e Lirë: Folëm për transformimin e NATO-s. Në këtë kontekst, ku mbeten partnerët e Aleancës, si Kosova? A mund të krijojnë teknologjitë e reja më shumë mundësi për bashkëpunim, apo rrezikojnë ta zgjerojnë hendekun mes vendeve anëtare dhe partnerëve?

Ben Hodges: Mendoj se edhe vendet më të vogla të NATO-s, të Bashkimit Evropian, apo shtete të tjera evropiane si Kosova, kanë shumë për të ofruar. Ato kanë të rinj të talentuar dhe me aftësi të mira në teknologji. Prandaj, jo çdo vend duhet të ketë avionë F-35 apo aeroplanmbajtëse. Çdo shtet mund të kontribuojë me kapacitetet që ka, përfshirë edhe në fushën e inteligjencës dhe ndërgjegjësimit për situatën – pra, të kuptuarit se çfarë po ndodh në terren. Jam mjaft i bindur se Aleanca do të vazhdojë të punojë për të gjetur mënyra se si t’i integrojë më mirë vendet më të vogla me ato më të mëdha. Nuk është e dëshirueshme që gjithçka të mbështetet vetëm në kapacitetet e Shteteve të Bashkuara. Pikërisht për këtë ka paralajmëruar prej kohësh presidenti [i Francës, Emmanuel] Macron, duke theksuar rrezikun e mbështetjes së tepërt te SHBA-ja. Sepse, nëse krijohet një situatë ku administrata amerikane nuk perceptohet si plotësisht e besueshme, ose nëse çdo gjë trajtohet vetëm si një transaksion, atëherë pjesa tjetër e Aleancës bëhet më e cenueshme.

Radio Evropa e Lirë: Ballkani Perëndimor nuk përmendet në deklaratën e samitit të NATO-s, megjithëse rajoni vazhdon të përballet me çështje të pazgjidhura dhe rreziqe të sigurisë – nga veriu i Kosovës deri te Bosnje dhe Hercegovina dhe Republika Sërpska. A mendoni se NATO-ja e sheh ende këtë rajon si një prioritet strategjik? Dhe çfarë duhet të bëjë Aleanca për të parandaluar që këto kriza të menaxhuara të shndërrohen në konflikte të hapura?

Ben Hodges: Po, mendoj se kjo është një situatë sfiduese dhe me shumë dimensione. Nuk e di saktësisht se ku renditet Ballkani Perëndimor në listën e prioriteteve të Aleancës apo si e vlerëson NATO-ja rajonin. Megjithatë, nuk do t’i jepja ndonjë kuptim të veçantë faktit që Ballkani Perëndimor nuk u përmend në deklaratën e publikuar pas samitit. Në fund të fundit, samiti përbëhej nga një darkë, një takim i përbashkët dhe disa bisedime dypalëshe që u zhvilluan paralelisht. Samitin e ardhshëm pritet ta organizojë Shqipëria. Tani ekziston një ide që vitin e ardhshëm të mos mbahet, kështu që, nëse kjo ndodh, Shqipëria do të ishte mikpritëse në vitin 2028. Kjo do të ishte një mundësi për ta kthyer vëmendjen te Ballkani, ashtu siç organizimi i samitit nga Turqia ndihmoi që fokusi të vihej te Deti i Zi dhe te roli i Turqisë. Mendoj se NATO-ja ka përgjegjësi në këtë rajon, sepse aty ka vende anëtare të Aleancës, ndërsa edhe Bashkimi Evropian ka interesa. Por, sinqerisht, nuk mund të them se ku renditet Ballkani Perëndimor në listën e prioriteteve.

Radio Evropa e Lirë: Kosova po përballet sërish me vështirësi për të formuar institucione të qëndrueshme pas zgjedhjeve të përsëritura. Nga këndvështrimi i NATO-s dhe i sigurisë, sa i dëmshëm është ky ngërç politik për një vend që synon të shihet si një partner i besueshëm i Perëndimit?

Ben Hodges: Natyrisht, një situatë e tillë e mban Kosovën të cenueshme ndaj ndikimeve të jashtme. Rusia nuk ka asnjë interes që Kosova të bëhet një shtet i fortë, liberal-demokratik, i integruar në Bashkimin Evropian, në NATO apo në struktura të ngjashme. Prandaj, për sa kohë që Kosova nuk arrin ta zgjidhë këtë situatë, ajo do të mbetet e pambrojtur ndaj atyre që synojnë ta ruajnë status quo-në dhe të vazhdojnë ta destabilizojnë vendin.

Radio Evropa e Lirë: Mendoni në kërcënime për sigurinë…

Ben Hodges: Po, por edhe duke nxitur vazhdimisht ndasitë e vjetra dhe duke minuar besimin e qytetarëve tek institucionet dhe proceset demokratike.

Radio Evropa e Lirë: Teksa Evropa merr një rol më të madh në mbrojtje, a duhet të presë Kosova ndonjë ndryshim në misionin e NATO-s, KFOR?

Ben Hodges: Nuk e di. Unë shpresoj që misioni i KFOR-it të vazhdojë. Mendoj se ta kam përmendur edhe në një bisedë të mëparshme që kemi pasur: njëherë, një zyrtar i lartë i Kosovës dhe një zyrtar i lartë i Serbisë më thanë të njëjtën gjë: ‘Ju lutem, mos e tërhiqni KFOR-in, sepse ai është e vetmja spirancë e stabilitetit’. Kjo ka ndodhur disa vite më parë, por ajo bisedë më ka mbetur në mendje. Tregon se nuk është e nevojshme të ketë një numër të madh trupash në terren; vetë prania e KFOR-it shërben si një pikë stabiliteti.

Radio Evropa e Lirë: Sa e rëndësishme është prania amerikane në Kosovë?

Ben Hodges: Mendoj se prania e Shteteve të Bashkuara në Kosovë është e rëndësishme, sepse është edhe në interes të vetë SHBA-së që Evropa të jetë e qëndrueshme dhe e sigurt. Vetëm kështu ajo mund të jetë edhe e begatë, pasi Evropa është partneri më i madh tregtar i Amerikës. Prandaj, paqëndrueshmëria në Ballkanin Perëndimor kontribuon në paqëndrueshmërinë edhe në pjesë të tjera të Evropës dhe krijon dobësi që Rusia do të përpiqet t’i shfrytëzojë. Kështu do ta formuloja unë rëndësinë e pranisë amerikane në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: Dhe, përtej samitit, çfarë duhet të bëjë Kosova tani për të mbetur partnere e rëndësishme dhe e dobishme për NATO-n?

Ben Hodges: Të vazhdojë të punojë për përmbushjen e kushteve që kërkohen për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ky është drejtimi ku duhet të ecë. Mendoj se kjo do ta plotësonte edhe synimin për ta bërë Kosovën një partnere më të vlefshme për NATO-n, nëse kjo është në interesin e saj.

/Marrë nga Radio Evropa e Lirë

Next Post
Beqiri: Dumani u shfaq i dobët. Dosjet që po i zënë pluhur, s’ia ka fajin Policia e Shtetit

"Aty ka mbetur Hamasi i Berishës", Beqiri: Protesta ka marrë pamjen e një lufte kundër Shqipërisë

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Djali i Trump humb 600 milionë dollarë në kompaninë e kriptovalutave

Djali i Trump humb 600 milionë dollarë në kompaninë e kriptovalutave

July 10, 2026
Sezoni veror, hapen aplikimet për hapësirat e plazheve, kriteret që duhen plotësuar

Skenari shqiptar i Cancel Culture: Kush fiton nga sulmi agresiv ndaj Turizmit?

July 10, 2026
Beqiri: Dumani u shfaq i dobët. Dosjet që po i zënë pluhur, s’ia ka fajin Policia e Shtetit

“Aty ka mbetur Hamasi i Berishës”, Beqiri: Protesta ka marrë pamjen e një lufte kundër Shqipërisë

July 10, 2026
Hodges: Ngërçi politik e bën Kosovën më të cenueshme ndaj ndikimeve të jashtme

Hodges: Ngërçi politik e bën Kosovën më të cenueshme ndaj ndikimeve të jashtme

July 10, 2026
Përplasjet në Komisariatin nr.3 gjatë protestës, lirohet 33-vjeçari Erald Heqimaj

“Nuk është protestë hallexhinjsh”, gazetari: Rama s`është budalla politik, i lexon mirë mesazhet

July 10, 2026
Rama reagon për Zvërnecin: Nesër do flas unë për të pavërtetat që po qarkullojnë ditët e fundit

“Sipërmarrjeve po u rikthehen yjet e merituara”, Rama: Kërkuam ndihmë për t’i nxjerrë nga bloza e terrorit digjital

July 10, 2026
Ambasadori i OSBE: Një muaj protesta pa incidente, kjo është demokraci dhe më gëzon

Ambasadori i OSBE: Një muaj protesta pa incidente, kjo është demokraci dhe më gëzon

July 10, 2026
Skandal në Sarandë, postieri ‘zhduk’ pensionet e 13 muajve: Do shes tokën që t’ua shlyej…

Skandal në Sarandë, postieri ‘zhduk’ pensionet e 13 muajve: Do shes tokën që t’ua shlyej…

July 10, 2026
AP publikon raportin vjetor: 5 burgje duhen mbyllur, cenojnë dinjitetin njerëzor!

Avokati i Popullit prezanton raportin 2025, Shabani në Vlorë, fokusi te pronat dhe ankesat

July 10, 2026
“Basti i fundit” godet në Fushë-Krujë, në pranga edhe një efektiv policie

Akuzohet për shpërdorim detyre, arrestohet polici në Dibër

July 10, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In