Në ceremoninë ku mori pjesë Zv.kryeministrja Albana Koçiu, Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, si dhe zyrtarë të lartë të Policisë e partnerë, u bë prezantimi dhe betimi i Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Ndërsa parashtroi prioritetet e detyrës së re, kryepolici i ri u zotua për luftë pa kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit duke nisur nga vet radhët e Policisë së Shtetit.
“Prioritetet tona janë të qarta: Lufta pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke filluar nga radhët tona; Rritje akoma më shumë e parametrave të sigurisë në shkolla dhe në çdo komunitet; Forcimi i rendit dhe i sigurisë në të gjithë territorin e vendit; Modernizimi i Policisë përmes teknologjisë, përfshirë projektin madhor “Smart City” dhe trajnimeve, sipas standardeve më të mira evropiane; Rritje akoma më shumë e transparencës dhe e përgjegjshmërisë ndaj qytetarëve; Mbështetje dhe motivim për çdo punonjës policie që kryen detyrën me ndershmëri e përkushtim. Forcimi më tej i bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit”.











