Nga Ben Andoni
Gati tre dekada më parë, një studiues i njohur italian, De la Rocca, shkroi një libër formimi për religjionin në Shqipëri. Libri i përmirësuar është përkthyer vite më vonë nga Luan Omari dhe të jep një pasqyrë shumë të ftohtë të Historisë së Institucioneve fetare në vend dhe historinë e tyre në shekullin e fundit. Mu atje janë referencat për at Gjergj Fishtën, për një sërë klerikësh të tërë katolikë dhe po ashtu ortodoksë, por edhe për klerin mysliman, si edhe për dervishët. Në fakt, një histori e ngatërruar religjioni, ku ecin sëbashku martirët, filozofët, shkrimtarët, historianët, dallkaukët, puthadorët, kolaboracionistët dhe flirtuesit. Si parantezë, sot e kësaj dite, Shqipëria s’ka një histori mirëfilli religjionesh, të pajisur me aparat shkencor vështrimi.
Fatkeqësisht, më 2016 akoma neve humbasim udhën në dokumente dhe fakte që janë të shumë njohura. Është e vërtetë që at Gjergj Fishta i drejtohet autoriteteve italiane, që është varrosur me flamurin italian por edhe që ankohet për kolegët e tij. Ashtu si është i hapur flirti i klerikëve të kishës ortodokse me pushtetarët komunistë. Nuk bien më pas dervishët dhe myslimanët, shtuar me bëmat e tyre pafund.
Argumenti ynë shkon në një drejtim tjetër. Gati 25 vjet më pas, mungesa e një historie të vërtetë letërsie, ku të tregohet kontributi real i secilit autor, por edhe që të përfshijë dhe letërsinë që është bërë jashtë vendi mungon në Shqipëri. Vendit i mungon dhe një tekst realisht, i pajisur me metodologji bashkëkohore i historisë kombëtare dhe mbi të gjitha një enciklopedi reale. Nëse do e marrim nga kjo e fundit, plaga është e hapur sepse Ajo u hartua vetëm në vitet e fundit dhe duhet thënë se zërat e saj janë tepër zhgënjyes, kurse sqarimet edhe më zhgënjyese. Në të mungojnë personazhe reale, që i kanë dhënë kulturës dhe historisë shqiptare, por aman nuk mungojnë në masë politikanët e 25 viteve, që e kanë shpënë vendin në këtë stad. Ndërkohë situata është njësoj e dhimbshme në studimet historike. Dokumentet që tashmë janë të lira për t’u aksesuar zakonisht trajtohen sipas preferencave politike, kurse historianët tanë, sot e kësaj dite, s’dalin dot me një zë të përbashkët për Luftën e Dytë Botërore. Periudhat e tjera kanë hone mungesash.
Ca më keq është gjendja e historisë së letërsisë dhe njerëzit që merren me të. Mungesa e një historie të mirëfilltë e bën këdo dhe grafomanët që të mbysin faqet e gazetave me shkrimet panegjirike që hartojnë vetë për veten, pa ditur dhe respektuar shkallë vlerash, pa heshtur përballë atyre që kanë sjellë risi në letërsinë kombëtare.
Të gjitha bashkë (në fakt përjashtuam artet dhe fushat e tjera), pasi lëmi është i madh i bën shqiptarët e letrave që të bërtasin, të anatemojnë dhe të mbyten me një lugë ujë, duke shfrytëzuar shpesh etjen e medias për skupe meskine. Kështu ndodhi edhe në rastin e fundit me at Gjergj Fishtën, ku përplasjet për figurën e tij dhe lidhjen me fashizmin ripërsëritën atë fakt që ngjallet njëherë në pesë vjet.
Shumë zhurmë për asgjë, në vend që energjitë akademike t’i humbisnim për një mendim të përbashkët për Luftën e Dytë Botërore, një rishikim të enciklopedisë dhe një tekst historie për letërsinë dhe vetë historinë. De la Rocca e shkroi historinë që ne zihemi sot që më 1989. (Javanews)










