Ai tregon se në datën 3 Tetor është gjobitur me 50 mijë lekë të reja për një gabim njerëzor të kamarierit, që nuk ndryshonte në vlerë financiare. Kamarieri shtypi numrin 35 në vend të 22 në kasë, me kosto të njëjtë. Tatimorët thonë se ligji është i tillë dhe ata nuk mund ta shkelin…
Në 1 Tetor 2017 grupe me inspektorë të Tatimeve, Doganave dhe Inspektoratit të Punës nisën aksionin në terren për të kontrolluar të gjithë bizneset. Kjo është faza e 3-të e aksionit anti-informalitet, e cila do të zgjasë 1 vit dhe do të synojë zhdukjen e evazionit fiskal, duke nisur me inspektimin e bilanceve të biznesit, inventarët e tyre, xhiron dhe kuponin tatimor.
Kreu i Ministrisë së Financave ka thënë se nuk do të ketë tolerancë për askënd që bën evazion fiskal, ndërsa kontrolli do të jetë në të gjitha degët e biznesit e sidomos në tregtinë me pakicë. Aksioni do të shtrihet në të gjitha hallkat e ekonomisë, që nga biznesi i madh e deri te i vogli.

“Ne familjarisht menaxhojmë lokalin prej disa vitesh. Jemi të rregullt me tatimet, sigurimet e punëtorëve dhe gjithçka. Më 3 Tetor na vjen Inspektoriati i Tatimeve dhe na vendosin gjobë prej 50 mijë lekësh të reja. Gjobën na e vendosi sepse kamarieri bëri një gabim njerëzor, në vend që të shtypte numrin 22, që është bravo, shtypi 35 për artikuj të ndryshëm. Në fund të fundit edhe vlera reale e produktit është e njëjtë me atë që ne deklarojmë.
Pra, këtu nuk është bërë asnjë lloj evazioni fiskal. Është shumë mirë që Inspektoriati Tatimor të bëjë shtet, të bëjë kontroll, të shmangë evazionin fiskal, por më duket absurde që për një gabim njerëzor të vejë një gjobë 500 mijë lekëshe (të vjetra). Çështja nuk është që ndodhi te ne, çështja ndodh në të gjithë subjektet. Të dënosh një subjekt për një gabim 500 mijë lekë? Është tepër, tepër absurde!”

Bari Kopo shprehet se gjobën do ta paguajë sepse është i detyruar, por më pas do ta apelojë në Gjykatën Administrative. Gazetarja e emisionit “STOP” komunikon me dy inspektorë tatimor për t’i pyetur se si është e mundur që për një gabim njerëzor një subjekt të gjobitet me vlerën 50 mijë lekë të reja.
Inspektori – Ligji nuk e parashikon! Nuk e parashikon i kujt është gabimi! Është i pronarit, është i kamarierit, është njerëzor apo jonjerëzor! Kaq! Po, direkt gjobë! po!

Presupozohet … presupozohet … o goce … o goce të lutem, edhe 100 lekë të vjetra … Po, e merr të njëjtën gjobë!
Inspektori e përmbyll duke thënë: “Unë kam të drejtë të zbatoj ligjin!”/tvklan.al











