Nga Miho Gjini
S’ka si mos të të tërheqë vëmendjen një libër, i shkruar për vete e për të tjerët, kur artisti (që nuk është shkrimtar!), ka se çfarë të thotë e si ta thotë. Po një mori e madhe botimesh të momerialistikës, që kanë dalur në “pazarin e librit”, sikur bëjnë të kundërtën, duke shtuar pareshtur “ujin në miell në mbrujtjen e bukës”. Theofil Haxhijani, një artist i madh i humorit, “ Artist i marituar” dhe i dekoruar si “Mjeshtër i Madh”, fill pas mbylljes se karrierës së tij 30-vjeçare në skenë, vjen ndër botimet tona pikërisht me librin në fjalë, ku jeta private, aftësia krijuese, talenti dhe thjeshtësia njerëzore, janë të paraqitura në shkallën superiore te artit e të letërsisë bsdhkë. Kushdo e ka njohur aktorin e Sarandës, njeriun shtatlartë, me fytyrën neutrale, midis seriozes dhe komikes, me tipare të ekspresivitetit tërheqës, ku evidentohet hunda e gjatë e balli i gjerë, që do të ishte më vonë, një nga aktorët më tërheqës e potencial në Shqipëri…
Sikundër e rrëfen bukur edhe portreti i tij në kopertinën e librit, ku përreth duarve të tij përfshihen tipa gjithfarësh: policë e xhandarë të dikurshëm, priftërinjë e hoxhallarë, zyrtarë të regjur e burokratë të thekur, si edhe një duzinë me karaktere të njerëzve të thjeshtë, të nëpunësve e politikanëve të shtetit, të cilët “dinë ta dredhin” në të gjitha kohërat. E Haxhijani është kurdoherë sfiduesi humoristik e satirik i këtyre karaktereve, duke i paraqitur si tipa të papërsëritshëm. Në këtë libër ai paraqet jetën e vet reale e jetën skenike, krijimtarinë dhe interpretimet, ëndrrat fëminore e dëshirat e realizuara…
Një jetë e tërë pasiononte, e fiksuar në skenë dhe në ekran përmes së qeshurës. Sikundër e thotë edhe Menandri: “Ai që të bën të qeshësh, të ndihmon të jetosh!”. Por Theofil Haxhijani, si artist i talentuar që ishte, jo vetëm që të bënte për të qeshur (bile edhe pa folur fare!), po edhe që të mendoje pas shpërthimit të gazit, pas ironisë dhe sarkazmës, heraherës si një dhimbje e njerëzishme pas tharjes së “lotëve”..Se dihet që komikja buron nga drama e personazhit dhe e qeshura ngacmon dhimbjen që ka personi i satirizuar, brenda karakterit të vet. Duke i dhënë librit një shtjellë panoramike biografike, rrëfimi bëhet intim dhe emocional. Vendosja e të parëve të tij në Delvinë është bërë në kohën e Ali Pashait, ku zotëronte i vjehrri, Kapllan Pashai, që do të përfundonte tragjikisht…Origjina e nënës së tyre ishte nga Arinista e Janinës (sot Ktismata) dhe, pasi ndërtuan një han të madh, të dy vëllezërit Haxhijani, u morën me tregti. Nga martesa e birit të tyre, Kristo, me përmetaren Afori, në vitin 1939 lindi Theofil Haxhijani, emri i të cilit në gjuhën greke do të thoshte “Miku i Zotit”!(Theo-o-Fillo). Në këtë kryeqendër tregtare kishte edhe 10 hane të tjera.
E gjithë fëmijëria e tij kaloi ne hanin e zhurmshëm, duke dëgjuar përditë trokun e hingëllimën e kuajve dhe më pas në lagjen e qytetëruar “Llaka”, që siç thotë autori, “mbante edhe aromë fshati”, me ullishtat e pemët frutore, në afërsi të një pylli me gështenja. Mësonte me llambën e vajgurit pranë e, kur ajo mungonte, nën flakën e zbehtë të qirinjve. Mirëpo aty, i ati hijerëndë, i lexonte me ëndje vargje të poetëve të mëdhenj grekë Vullaoritis e Pallamas, te cilat Theofili i vogël këmbëngulte t’i mësonte përmendësh. Ndërsa e ëma, me zërin e saj të ëmbël, i këndonte këngë kurbeti. Dëshira për më shumë dije nga bota e bënë të ndjek me etje mësimet shkollore prej Vasi Talos, Grigor Kacalidhës, Kosta Kuçanit, Petrit Demit e sidomos nga “Mësuesi i Popullit” Xhelal Berberi që i mësonte gjuhën e bukur shqipe. Kështu, edhe “Miku i Zotit” do të përfshihej ne lodrat e fëmijve e të rinjve të prapë, që gjakosnin këmbët me topa prej lecke, që vrisnin harabela me llastiqe, që zinin gjinkalla tek këndonin e u vinin kashtëra nga mbapa, por që me kalimin e kohës e të viteve do të veçohej për të mësuar mandolinën, nën hijen e një rrapi e të formonte melodi…
E pastaj, nga mandolina të shkonte tek gramafoni, duke u magjepsur nga pllakat që vërtiteshin, për të përfunduar më vonë në kishën e Delvinës, ku e tërhiqnin himnet fetare që i dëgjonte me aq vëmendje sa t’i fiksonte në mendje që të gjitha, duke dubluar priftërinjtë që edhe do të bezdiseshin, po edhe do të habiteshin prej një zëri melodioz. Por tek ai fshihej edhe aktori i ardhshëm, që do të sajonte edhe marrëzira, me ato lojëra që bënte për të ngatërruar priftin me kandillanafin! Mandej i pëlqenin edhe sazexhinjtë e Delvinës e iu vardis atyre që të mësonte klarinetën, mbeti te berberi i qytetit që të arinte ta imitonte dhe kur vinte mbrëmja të sajonte “teatrin e hijeve” me karagjozë, me perde të ndriçuar me qirinjtë e kishës…
I pëlqente jeta e vllehëve, kur çobanët ktheheshin nga Erseka e Voskopoja për verim përreth Delvinës me kopetë e bagëtive, me qentë e staneve të tyre, me mushkat e ngarkuara mbi samar me tufa rraqesh e fëmijësh të vegjël…E tërhiqnin dasmat e dasmorët çakërrqejf, kur dëgjohej kënga e gërneta, e ku ja bënte defi “bam-bum”, pa shastisej sidomos me këngët humoristike të dasmorëve të bërë xurxull! Qe vëzhgues i rregullt e i ngeshëm i Pazarit të Delvinës, ku kryqëzoheshin thirrjet e tregtarve të vegjël, të lustraxhinjve, të burrave që loznin tavëll e domino, të kafepirsave e rakipirsave qejflinjë, të pjekave të kukurecit me zë të ngjirur e të sazexhinjve që luanin muzikë “për shtatë palë qejfe”! Po këtu do të mbetej i mahnitur prej këngëtarit Peço, i cili se ndante nga goja këngën e Çerçizit e fiil pas saj merrte këngën humoristike për “cicat maja-maja”!
E, pas këtyre çasteve të rrëmujshme, do të vinte “Dita e Karnavaleve”, ku argëtimet e delvinjotëve do të arinin kulmin, të cilat autori i konsideron me të drejtë si një “Festë Arti” të vërtetë, pa aritur ende tek magjia qe do t’i jepte filmi, kur Haxhijani do të hynte vjedhurazi në kinema e e do të qëndronte në këmbe me ore të tëra para ekranit, i pa lëvizur e i pafryme, si të ishte i shastisur! Dhe kështu, ky “djal i prapë”, do t’i shpëtonte “duarve të babait”, që edhe i biri të bëhej orëndreqës, sikundër ishte vet, por do të “merrte udhën” e artistët, bile pa shkollë fare, siç u bënë para tij, pa shkollë e akademia teatri disa “yje” të teatrit tonë si Mihal Popi, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Sandër Prosi, Nikolin Xhoja e të tjerë…Mësoi zanatin e mekanikut të aparateve të kinemasë, sepse donte të shihte pareshtur filmat e Çarli Çaplinit, edhe ky i pashkollë, por që bëri shkollë me artin e tij! E çdo zanat që do të mësonte me pastaj, si ai i minatorit dhe i elektricistit, do t’i vlente si një punë kalimtare mbijetese, derisa të “trokiste” në dyert e Shtëpisë së Kulturës në Delvinë, ku do t’i “hapeshin katrash” e ku nje poet e libretist si Enver Isufi, nuk do t’i ndahej tërë jetën.
Dhe artisti i ri do të shfaqej menjëherë si “tip me vete”, me ca tipa të vërtetë që solli aty, me ca imitime e këngë të kënduara bukur shumë, me vokalin e këngëtari të lindur! Po Delvinën e kishte Saranda pranë, ku sapo qe krijuar një estradë profesioniste, e cila vite me vonë do të njihej në mbarë vendin si “Estrada e Theofilit”, ndërsa vetë artisti si “Theofili i Sarandës”! Ky fenomen e ky kapërcim, që një elektricist i quajtur Theofil Haxhijani, do të zbriste nga shtylla e elektrikut, do të linte përgjithmonë këmbalecat dhe do të ngjitej ne skenën e humorit e të satirës, do të ndodhte 52 vjet me parë. Dhe këtu do ta njihja edhe unë këtë aktor krejt të veçantë, kupletist e parodist nga më të talentuarit që kishte vendi atëherë, derisa të na zinin mjerimet e hallet e kurbetit në Athinë e do të uleshim të dy të mplakur në një kafene të “Sheshit të Kushtetutës” (Sintagma), përbri statujave të qytetërimit të hershëm dhe në një kohë krize të pashembullt. “Kam shkruar një libër për veten time, më tha kokulur, “Një mëndje, hiç mëndje”, pa qenë shkrimtar, po ja që e bëra.
Lexoje e më thuaj se ç’kam katranosur!”. Dhe do të qeshte hidhur njeriu që kishte bërë për të qeshur të tjerët në këtë gjysëm shekulli që sapo kaloi nëpër këmbët tona… Pata shfletua disa monografi një mori librash të memorialistikës nga pensionistë të zellshëm, veteranë të luftës e të punës, të artit, shkencës e politikës e pak prej tyre ishin të “qullosura!, ngarkuar me eufori e magallomani për veten e tyre, herë-herë me stilin referateve që bëheshin nëpër zyra dhe të shoqëruara me foto të pasosura…Memorialistkë pa memorie, pa vlera letrare, pa art brenda tyre…Po “Bebi Siti i Athinës!” Haxhijani, fatlumërisht, kishte shkruar diçka krejt tjetër, që bënte fjalë për rrugë krijuese të një artisti, që nga lindja e deri në “perëndim”, kur perdja eshtë mbyllur me kohë e ka “trokitur në derë” pleqëria. Më doli edhe një herë përpara artisti i vërtetë i skenës së estradës, me tërë diapazonin e tij artistik, mjeshtri i të gjitha gjinive skenike (që nga grimcat humoristike, intermexot, dialogjet, monologjet, skeçet, komeditë me një e shumë akte, vodevilet gazmore e deri tek operetat e plota). Aty pashë e ndjeva edhe një herë plastikën e zhdërvjellët të një aktori që të impononte, thjesht e bukur, talentin e vet, po edhe këngëtarin melodioz, paraodistin e kupletistin brilant, mikun tim, mikun e të gjithëve e “Mikun e Zotit”.
Pikëllimi i artistit të mbetur pa “shtëpi” Gjithçka është shkruar këtu si nga një “dorë shkrimtari”, thjeshtë e me vërtetësi, për një rrugëtim suksesi në jetë, në skenë e në kinematografi, ku do të zërë vendin e vet të rëndësishm, rrethi i tij shoqëror e ai artistik, po në trajtën më të veçantë, bashkëshortja e tij, e pandarë në jetë e në skenë. Kushdo që do ta lexoj këtë libër, do të gjeje atje artistin, shkrimtarin e njeriun. Dhe të vërtetën e madhe se artistin e madh e bën të tillë puna e madhe. Dhe akoma: të vërtetën e dhimbshme, kundër ishin Skënder Sallaku e Tano Banushi, Aleko Prodani, Zef Deda e Gjosho Vasia, Melpomeni Çobani, Zyliha Miloti e Aishe Stari, Koço devole, Spiro Strati e Vasillaq Vangjeli, Leka Kruta e parodistët e famshëm të Vlorës, si dhe shumë të tjerë që do të rropateshin e do të vdisnin rrugëve me brengë e madhe të mbylljes njëherë e përgjithmonë të skenës më të dashur të popullit: ESTRADËN…. Po a nuk kishim nevojë për të qeshurën, të gjithë ne, në këtë tranzicion tepër të gjatë?!/Shekulli/a.m.