Një njohje në “Facebook” që i kushtoi shtrenjtë, duke i marrë fëmijërinë dhe duke e pjekur para kohe një vajzë vetëm 12 vjeçe. Ajo sot është 14 dhe në studion e emisionit “Me zemër të hapur” në News24 ka treguar si u njoh me babain e vajzës së saj, sot 9 muajshe në rrjetet sociale, komplimentet që i bënte ai dhe bashkëjetesa e dhunshme. Por problemi më i madh i saj është vajza e vogël që për fat të keq ka lindur me vrimë në zemër. Ajo është me sindromën Down dhe ka nevojë për një operacion, për të cilin mjekët i kanë thënë se duhen më shumë se 1 milion lekë, të cilat nëna e saj e mitur nuk i ka. Ndaj ajo ka bërë apel bashkë me nënën e saj, gjyshen e fëmijës në studion e emisionit për ndihmë. Të dyja kanë shpërthyer në ngashërima disa herë gjatë rrëfimit të tyre në News24.
Zonja Shqipe si ka qenë jeta jote dhe vajza jote e vogël?
U martova si gjithë të tjerët. Linda në krye të 8 viteve. Vajza ka qenë një fëmijë i urtë, jo tekanjoz. Ia plotësoja me aq sa mundësi kisha. Buri nuk punonte. E çoja në kopsht dhe mësonte. Si çdo nënë i përkushtohesha jashtë mase dhe e rrita me halle dhe me ndihmën e familjes sime. Edhe në hskollë ishte nxënëse e shkëlqyer. I kushtoja vëmendje edhe pse më refuzonte ndonjëherë.
Unë nuk e aktivizoja me fëmijë të tjerë se kam qenë në një lagje jo të përshtashme. Nuk ka qenë ambient i mirë që të merrte një edukatë të shëndoshë. në aktivitet me shkollën e çoja.
Çfarë fëmije ka qenë vajza?
E izoluar, nuk shoqërohej me të tjerët. Ja kisha futur edhe unë pak. Ka qenë tepër e mbyllur në vetvete.
Ndoshta kjo mbyllja që i ke bërë vajzës…
Arriti deri këtu, nuk ja fal vetes.
Sa flisje ti me vajzën?
Flisja shumë, i thosha më shiko si shoqe jo si nënë por isha shumë e fiksuar pas mësimeve dhe se lija.
Në momentin që u dashurua me këtë djalë, arrite ta kuptoje çfarë ndodhi?
Ishte verë, pushimet e shkollës. Unë dilja shisja me tim shoq se kishim qiranë për të paguar. Por vajzën nuk e lashë. Largohesha për 4 orë. E merrja dhe me vete, unë shisja ajo bënte xhiro me biçikletë tek stadiumi. Unë e çoja në shkollë, im shoq e merrte por nuk na ra në sy diçka.
Nuk e kuptove që vajza fliste në rrjetet sociale?
Telefon nuk kisha. As me nënën time nuk komunikoja shumë. Një telefon e kishte im shoq, ai fliste me njerëzit e tij dhe unë ndonjëherë me nënën, por s’kishim internet. Kishim një telefon për të folur vetëm.
Vajza çfarë ka bërë e ka bërë në shkollë me shoqe. Kishte një shoqe.
Komshia më tha Shqipe kontrollo gocën se e kam parë me telefon në “Facebook”.
Më pas i gjeta tek shtëpia, goca në penxhere, ai nga jashtë. Ai më pa mua dhe kapërceu nga muri. Nuk e ruajta qetësinë. Vajza nuk më tregonte asgjë.
VAJZA
Si u njohe me djalin?
Unë kam një teze jashtë shtetit dhe duke qenë se mami donte të komunikonte me të se nuk kishte rrugë hapa një adresë me emrin e babit. Filluan të më shkruanin shumë dhe më pëlqente kjo gjë. Ashtu më shkroi ky djali dhe më bënte komplimente dhe më pëlqente dhe më hipi vetja në qejf.
Pas një jave që i njoha me të më gjeti mami tek shtëpia duke folur. Kur më pa mami u ndjeva shumë keq. Në atë moment vendosa të ikja nga shtëpia dhe të shkoja në shtëpinë e tij. Më vonë, policia e gjeti vendndodhjen dhe kur shkojmë në rajon na thonë që kemi një moshë shumë të vogël dhe na flasin me shumë mënyra dhe na thanë nëse kjo gjë përsëritet do të keni pasoja.
Ky ishte ngacmimi i parë nga një djalë?
Po. Unë bëja veprime që mami nisi të dyshonte. Vonohesha pak kur vija nga shkolla kur më parë kthehesha direkt. Mamit i ra në sy.
Ti këtë adresë e hape në shkollë?
Kur mbarova shkollën, filluam të mendonin si të flasim me tezen, shkuam në një qendër interneti dhe hapa, aty nisi gjithçka.
Kur e le takimin për herë të parë?
Pas një jave e gjysmë që kishim folur. Facebook-un kisha shumë që e kisha hapur.
Kur më pa mami, i thashë kam shumë frikë. Ai më tha hajde me mua tek shtëpia ime dhe unë shkova.
Çfarë ndodhi në shtëpinë e tij?
Asgjë vetëm më tha që jam shumë i lumtur që je me mua. Kishte njerëz në shtëpi.
Si reaguan familjarët e tij?
Nëna e tij disi më njihte por u habit kur më pa. U habit por nuk refuzoi.
Çfarë ndjeje për djalin?
Nuk e di, nuk isha në gjendje, isha shumë e tronditur dhe mendoja për largimin tim e kisha shumë frikë.
Largimi i parë shoqërohet me një largim të dytë nga shtëpia…Si arrite?
Ato ditë mendoja për atë që bëra. Çdo gjë e bisedoja me veten. Thosha pse e bëra, mos vallë e dua por nuk e dija çfarë po bëja. Më ra një telefon në dorë dhe e rihapa adresën dhe fola me të. Ai më tha që nëse më do unë vij të marr. I thashë hajde më merr.
Je hapur me njëri për ato që mendoje?
Jo me asnjë, vetëm me veten i bisedoja.
Çfarë ndodhi më pas?
Mami dhe babi ishin shumë të mërzitur dhe shkuan prapë në polici. Kur policia na gjeti, i tha mamit që nuk kemi ç’të bëjmë më. Zgjidhja e policisë ishte që vetëm të më çonin në jetimore, por mami nuk pranoi.
Çfarë vendosi mami?
Mami nuk vendosi asgjë. Kaloi një javë dhe unë vetëm qaja. I thashë mamit që nuk ma do të mirën, i thosha që e dua këtë djalë. Mami më thoshte nuk ke moshën. Refuzova dhe ushqimin. I thosha mamit që nëse më ndalon unë do iki prapë. U detyruan me prindërit e atij djali që unë të filloja bashkëjetesën me të. Nuk u lashë zgjidhje tjetër pasi iu thashë që do e gjej zgjidhjen për të ikur prapë.
Bashkëjetesë, domethënë të shkoje në familjen e tij?
Po, po.
Pse nuk i bëtë gjërat hap pas hapi?
Unë u rrëmbeva. I mendoja gjërat shumë cekët.
Çfarë ndodhi me bashkëjetesën?
Një muaj kaluam mirë. pas një muaji e zbulova që nuk ishte ai që unë njihja. ishte i dhunshëm, i pakomunikueshëm. nuk flisja dot për një problem se bëhej me nerva. Kur nuk i flisja më qëllonte. Ndodhën disa herë këto gjëra dhe ika në shtëpi, i thashë mamit ‘nuk duroj dot më’.
Mami ma hapi derën. më tha çfarë kaluan, kaluan, kthehu jetës normalisht. Vazhdo shkollën. nëse vendos t’i kthehesh jetës normale unë do të fus përsëri në shkollë.
Po prapë me veten nuk isha e bindur.
Shkollën e nise?
Jo. nëse do e nisja do isha në klasë të gjashtë. Erdhi momenti kur mora vesh që isha shtatzënë.
Sa vjeç ishe?
12 vjeç e gjysmë.
Si e mësove?
Isha e lodhur, e këputur, më merreshin mendtë. Bëra një kontroll me mamanë e këtij djali dhe më tha që isha shtatzënë. Nuk dija si ta prisja këtë lajm, shtanga. mendova shumë gjëra në moment. Nëna e atij djalit u gëzua.
Mjekja si reagoi?
E pyeta dhe i thashë që a ka ndonjë problem për moshën tënde. Jo më tha që brenda teje rritet një fëmijë më se normal, pavarësisht se ti je e vogël.
Sa javëshe ishe?
5 javëshe. Nëse ato do të më kishin thënë që në fillim që ky fëmijë ka një problem ndoshta do kisha marrë një vendim tjetër.
Çfarë bëri babai i fëmijës?
Ai u gëzua si e ëma, nuk tha se ti je e vogël. Ai donte.
Po prindërit e tu?
U prenë. Mami qante edhe babai u mërzit. Në shtatzëni kam përjetuar dhunë fizike dhe psikologjike. përveç problemeve shëndetësore nuk kam pasur as mirëkuptimin e atij djalit dhe nënës së tij. Përveç prindërve të mi që më jepnin shumë këshilla. Gjithmonë më thoshin eja, kthehu në jetën normale.
Pas 9 muajsh erdhi në jetë vajza. Kur ma solli mjekja në krah nuk po e besoja. Ishte si kukull, me flokë të gjata, të zeza. Ishte e shëndetshme. Lindi 3 kg e 800 gr. Vajza është shumë e lidhur me mamin. Ajo e mban gjithmonë se thotë ti nuk e mban dot, ka frikë të ma lejë.
Si e mësove që vajza ishte me sindromën Down?
Kur e linda, doktoresha e lindjes dhe të gjithë ato që ndihmuan më thanë që fëmija është më se normal.
Kaluan 2 javë dhe vajza u bllokua nga hundët dhe e çova tek doktoresha e lagjes. Ajo më tha çoje në spital. Kur e çova atje po i bënin analiza. Mjekët u fokusuan tek perimetri i kokës por nuk më thoshin. Pas 2 ditësh në spital më thanë që duhet ta çosh në Tiranë. Këmbëngula dhe më thanë që nuk na pëlqen perimetri i kokës. Një nga doktoreshat më tha që i kam dëgjuar diçka në zemër.
Kur erdha në Tiranë i bëra kontroll dhe më thanë që ka vrimë në zemër dhe barkushen e ka të zmadhuar dhe damarin e gjerë. U trondita…(qan). Iu thashë çfarë mund të bëj që ta shëroj.
Më thanë që duhet të kalojë pak kohë por e ka të nevojshëm operimin. Sapo mbaroi doktoresha e zemrës vjen një tjetër dhe e shikon tek koka dhe iu thashë çfarë ka. Më thanë që dyshohet se është me sindromën Down, por më thanë që duhet t’i bësh analizën gjenetike, por nuk ja kam bërë se s’kam para. Kam shkuar tek shumë por nuk më kanë ndihmuar. Operacioni për zemrën kushton mbi 1 milion lekë të reja. Babai i fëmijës nuk është përgjigjur asnjëherë. Më thotë nuk kam.
Ke një apel për vajzat e moshës tënde?
Po kam parë shumë vajza jo në rrugën e duhur. Iu bëj thirrje në radhë të parë të dëgjojnë prindërit. Të shohin shkollën, edukimin dhe të dëgjojnë familjen. Shoqëria në fund.