Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, ka folur për median pas vendimit të qeverisë për hipotekimin e pallateve të mbetur peng nga mospërmbushja e detyrimeve ligjore nga ana e ndërtuesve.
Gjermeni tha se ka qenë një problem i mbetur prej shumë vitesh, jo për faj të qytetarëve, të cilët nuk kanë pse paguajnë për aktet e ndërtuesve.
“Sipas të dhënave, janë rreth 30 mijë familje në Republikën e Shqipërisë, të cilat, jo për faj të tyre, nuk kanë mundur të marrin hipotekën e pronës. Në gjithë vendin janë 1320 pallate që ndikohen nga ky vendim”, tha ministrja.
“Këto familje, të cilat kanë paguar në mirëbesim për ndërtesat, nuk janë bërë dot pronare për shkak të mospërmbushje së detyrimeve ligjore nga ana e ndërtuesve.
Qytetarët nuk mund të penalizohen më nga ndërtuesit që nuk kanë respektuar rregullat apo detyrimet ligjore. Ndaj, ky vendim i jep zgjidhje përfundimtare kësaj problematike në vite dhe bën të mundur legalizimin e banesave të këtyre familjeve”, përfundoi Gjermani.