Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas identifikimit të mbetjeve mortore të Adem Ademit, Fatmir Fazliut dhe Ali Halitit, pjesëtarë të “Grupit të Intelektualëve”, përmes analizave të reja të ADN-së.
Në një postim, Haxhiu ka thënë se për më shumë se 27 vjet, familjet e tyre kanë kërkuar të mësojnë për fatin dhe vendndodhjen e trupave të më të dashurve të tyre.
Ajo ka deklaruar se forcat serbe i kishin vrarë dhe varrosur fshehurazi, me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të krimit.
Haxhiu u ka shprehur ngushëllime familjeve Ademi, Fazliu dhe Haliti, duke thënë se bashkëndjen edhe me familjet e tjera të këtij grupi dhe me të gjitha familjet në Kosovë që ende presin të mësojnë për fatin e të zhdukurve.
Ajo ka kërkuar që Serbia të mbajë përgjegjësi për krimet e kryera dhe të publikojë të gjitha të dhënat që posedon për personat e zhdukur, përfshirë edhe lokacionet e varrezave të tjera masiv.
Lidhur me zhdukjen e 23 intelektualëve janë arrestuar deri më tash 13 persona.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se zbulimi i varrezave masive në tri lokacionet në veri ka ardhur pas një hetimi dyvjeçar për krime të dyshuara lufte.
Pas përfundimit të gërmimeve, mbetjet mortore janë dërguar në Hagë për identifikim, përmes analizave të ADN-së.
Sipas Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999.











