Dhomat e hotelit mund të fshehin më shumë papastërti nga sa mendojmë, por jo domosdoshmërisht te objektet që konsiderohen zakonisht si më problematiket. Matteo Fadenti, specialist në teknikat e parandalimit të mjedisit dhe vendeve të punës, ka treguar për Fanpage.it se cilat janë objektet që meritojnë më shumë vëmendje.
Sipas tij, ndër më të kontaminuarat janë jastëkët dekorativë, veçanërisht ata që vendosen mbi shtretër dhe divane, pasi shpesh nuk ndërrohen, nuk hiqen për t’u larë dhe nuk dezinfektohen rregullisht.
Në të njëjtën kategori përfshihen edhe mbulesat e shtretërve, mbulesat e divaneve dhe perdet. Ndërkohë, telekomandat, çelësat, dorezat e dyerve dhe rubinetat preken shpesh, por jo gjithmonë pastrohen siç duhet.
Sa u përket ibrikëve elektrikë, Fadenti thotë se frika ndaj tyre shpesh është e ekzagjeruar. Uji që zien në temperatura të larta eliminon shumicën e baktereve, ndërsa rreziku është më i madh te tekstilet, ku mikroorganizmat mund të gjejnë kushte më të përshtatshme për t’u shumuar.
Për të shmangur kontaktin e panevojshëm me papastërtitë, eksperti këshillon larjen e duarve para dhe pas përdorimit të objekteve që preken shpesh. Ndërsa në divane dhe mbi mbulesa, është më mirë të uleni me rroba ose t’i mbuloni me një peshqir.
Sipas tij, dezinfektimi i çdo sipërfaqeje sapo hyni në hotel është i panevojshëm dhe praktikisht i pamundur. Për më tepër, përdorimi i produkteve dezinfektuese në pajisjet elektronike mund t’i dëmtojë ato.











