Kryetari i dorëhequr i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se 5, 12 dhe 19 prilli janë si opsione për zgjedhjet e reja, por mund të ketë edhe datë tjetër.
Duke komentuar mospjesëmarrjen e Lëvizjes Vetëvendosje në takimin me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Haradinaj tha se kjo lë “një shije të keqe”.
“Një shije e keqe ishte mospjesëmarrja e Vetëvendosjes dhe partnerëve të saj qeverisës, ndërsa edhe Lista Serbe mungoi në takim, është e pakuptimet mos pjesëmarrja e tyre”, tha Haradinaj.
Sipas tij, adresimi për në Gjykatën Kushtetuese është fyerje për vetë procesin.
Haradinaj nënvizoi se kjo situatë është rezultat i sjelljes së Vetëvendosjes.
“Adresimi në Gjykatë Kushtetuese është një fyerje në vete, tallje, hajgare me proceset. Ata më së miri e din që afati 30-ditor është i tillë e kanë ditur me kohë, kanë bërë hajgare, mënyra se si kanë thirr seanca dje, është vërtetë gabim prej anës tyre. Askush nuk i ka faj VV-së për sjelljen e tyre dhe ato që ia kanë sjellë vendit, kjo situatë është rezultat i tyre. Është dashur të vinë ne këtë takim dhe ti thonë pikëpamjet qofshin edhe të kundërta.
Sa i përket datave janë opsion datat prej 5, 12 dhe 19 prill. Mund të ketë edhe ndonjë datë tjetër varësisht prej zhvillimeve, ne nuk kemi datë të preferuar për shkak se e kuptojmë se jemi në auto-pilot, nuk ka më askush kompetenca, përveç Kushtetutës, dhomave kushtetuese dhe afateve kushtetuese dhe ne e respektojmë cilën do datë nga këto data”, tha ai pas takimit me Osmanin.











