Intervistë e Euronews Albania me Ambasadorin Luigi Soreca, Kreu i Delegacionit të BE-së në Shqipëri
Euronews (Ernest Bunguri, Euronews Albania): Ambasador Soreca, çfarë arritjesh ka shënuar vendi që të meritojë një rekomandim të dytë, pa kushte, për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian?
Luigi Soreca: Shqipëria ka shënuar përparim të rëndësishëm që nga qershori i vitit 2018. Udhëzimet e dhëna nga këshilli vitin e kaluar ishin shumë të qarta dhe Shqipëria ka dhënë rezultate në shumë drejtime.
Së pari në fushën e reformës në drejtësi, ku institucionet e parashikuara nga kushtetuta e vitit 2016 janë vënë në punë, dhe ndërkohë që nëpërmjet vetingut janë dhënë mbi 140 vendime, institucionet e tjera që po ngrihen janë duke u plotësuar me gjykatës të rinj. Kjo është një reformë e pa precedent, që po e bën Shqipërinë vërtetë të njohur jo vetëm në Evropë, por në mbarë botën.
Por ka dhe fusha të tjera ku Shqipëria ka përparuar, siç është lufta kundër krimit të organizuar, sidomos në uljen e kultivimit të kanabisit. Raportet e fundit tregojnë se ka patur një pakësim të rëndësishëm, deri në pothuajse zhdukjen e këtij problemi. Por sigurisht, nevojitet ende shumë punë për t’u bërë, dhe ky treg që është gjithnjë në lëvizje duhet ndjekur.
Euronews: Por ambasador, Shqipëria nuk njihet në mbarë botën vetëm për reformën e pa precedent në drejtësi, por muajt e fundit edhe për manifestimet e partive politike opozitare. A mund të na tregoni se ku qëndron ndryshimi mes vlerësimit dhe rekomandimit të Komisionit Evropian nga akuzat e opozitës për të njëjtat çështje si krimi i organizuar dhe korrupsioni?
Luigi Soreca: E drejta për të protestuar është një e drejtë kushtetuese dhe për këtë arsye ne mbështesim çdo shprehje të dallimeve politike. Por, në të njëjtën kohë, ne e dënojmë përdorimin e dhunës në protesta. Protestat duhet të jenë paqësore. Çdo lloj forme dhune e ushtruar në protesta është jo-demokratike dhe e paligjshme kur arrin në një nivel të caktuar. Këto javë iu kemi bërë thirrje për vetëpërmbajtje të gjitha palëve, përfshirë edhe policinë e cila duhet të përdorë forcë të përpjesshme në këtë rast.
Në të njëjtën kohë, akuzat e bëra nga opozita janë në shqyrtim. Por, ato duhet të shoqërohen me vendime në përputhje me sundimin e ligjit. Prandaj, nëse hetimet do të sjellin vendime, si ndjekje penale dhe më pas dënime, atëherë sigurisht që Bashkimi Evropian do t’i marrë tepër në konsideratë të gjitha këto. Për momentin ne presim që kjo të bëhet një shprehje e qartë e ciklit të drejtësisë që ne si njerëz të sundimit të ligjit e mbikqyrim plotësisht.
Euronews: Ndërkohë që Shqipëria është mbështetësja më e madhe e procesit të integrimit në BE, 93% e shqiptarëve e mbështesin, kjo gjë nuk po përkthehet me të vërtetë në veprime konkrete nga të gjitha palët politike në vend.
Luigi Soreca: Së pari më lejoni të them se jam shumë i kënaqur që kjo shifër prej 93% është kaq e lartë. Është, në fakt, më e lartë se në shumë, mos në të gjithë vendet anëtare, dhe sigurisht më e larta në të gjithë rajonin. Kjo është një përgjegjësi jo vetëm për sistemin politik në Shqipëri, por edhe për çfarë duhet të japë Bashkimi Evropian. Tani i takon BE-së t’i përgjigjet kësaj thirrjeje nga qytetarët shqiptarë.
Kur bëhet fjalë për situatën politike në Shqipëri, kjo është një përgjegjësi shumë e rëndë mbi shpatullat e të gjithë palëve të spektrit politik. Ato duhet të ngrihen mbi dallimet e tyre politike dhe të qëndrojnë me një konsensus shumë të fortë kombëtar pas prioritetit mbizotërues të integrimit evropian, sepse kjo është ajo çfarë duan qytetarët shqiptarë.
Euronews: Tani të gjithë presim mesin e qershorit dhe vendimin mbi Shqipërinë nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme. Ky vendim nuk u mor vitin që kaloi, por u shty, edhe pse rekomandimi ishte pozitiv. Cilat janë hapat teknike në rast se këshilli, le të themi, vendos të hapë negociatat, të cilat nuk çelen menjëherë?
Luigi Soreca: Ne shpresojmë që Shqipëria të marrë dritën jeshile dhe më pas të punojë intensivisht. Reforma në drejtësi do ta ndihmojë Shqipërinë të arrijë vendet që tashmë po negociojnë, sepse kapitujt 23 dhe 24 janë shumë të rëndësishëm për hapjen e negociatave dhe Shqipëria prin në këtë pjesë, kështu që vendit i duhet thjesht të marrë dritën jeshile sa më shpejt.
Euronews: Si e lexoni rezultatin e Zgjedhjeve Evropiane, të cilat ishin gjithashtu një justifikim për faktin që raporti u publikua pas tyre, a mendoni se qëndrimi i Francës dhe i Holandës tashmë ka ndryshuar për Shqipërinë?
Së pari, e konsideroj rezultatin e Zgjedhjeve Evropiane shumë pozitiv. Kishte një pjesëmarrje të rritur dhe me një rezultat pro BE-së. Megjithëse në disa vende fituan palët anti-BE, në përgjithësi ato nuk njohën rritjen që prisnin, ndërkohë që palët pro-BE u rritën ndjeshëm. Prandaj, kjo nuk e ndryshon qëndrimin ndaj politikës së zgjerimit.
Euronews: Ç’vendim prisni të merret brenda dy javëve?
Luigi Soreca: Unë mendoj se nga njëra anë duhet te kemi optimizmin e atyre që kanë punuar mirë, dhe ky optimizëm i përket rezultateve që ka dhënë Shqipëria. Por ka dhe pragmatizëm, i cili ka të bejë saktësisht me situatën politike në vendet anëtare, dhe më lejoni të them që ka të bejë edhe me atë në Shqipëri. Sepse situata politike në Shqipëri ka një ndikim në imazhin që vendi shfaq përreth.
Dhe për këtë arsye fjalët e fundit janë fjalë thirrjeje ndaj të gjitha partive politike që ta zgjidhnin këtë ngërç politik dhe të shohin interesin kombëtar të Shqipëtarëve si drejtimin që duhet të ndjekur. Kjo është koha për t’u ngritur mbi ndarjet dhe për të parë prioritetin e përgjithshëm të shqiptarëve.