Kanë kaluar vetëm 3 ditë nga hapja zyrtarisht e merkatos së dimrit në kampionatin shqiptar. Klubet e Kategorisë Superiore kanë si afat të fundit datën 31 janar për të federuar lojtarë të rinj. Që në fund të dhjetorit pati lëvizje, ku transferimi më i bujshëm ishte padyshim ai i Eduard Rrocës nga Luftëtari te Kukësi, me klubin verilindor që i bleu kartonin fantazistit.
Nënkampionët në fuqi pritet të zyrtarizojnë këto ditë edhe sulmuesin Vasil Shkurtaj, me të cilin po diskutojnë vetëm detajet e fundit të kontratës, në një kohë që dy klubet (Kukësi dhe Luftëtari) kanë arritur me kohë marrëveshjen.
Kukësi ka shpenzuar deri më tani një shifër prej 120 mijë eurosh për blerjen e dy lojtarëve nga Luftëtari, duke qenë klubi më aktiv. Në skuadrat e tjera më shumë merkatoja ka qenë në dalje, por pritet që në këto ditë të para të vitit të ketë zyrtarizime në hyrje.
Partizani ka firmosur me mesfushorin nga Tetova, Fatjon Jusufi, por klubi ende nuk e ka bërë publik marrëveshjen. Te Skënderbeu mesfushori fierak, Realdo Fili, ka kërkuar nga drejtuesit garanci për aktivizimin, ose ndryshe të dalë lojtar i lirë për të parë një mundësi tjetër.
Një rikthim i bujshëm në kampionatin shqiptar pritet të jetë ai i “veteranit“ Pero Pejiç. Sulmuesi ka marrë një ofertë zyrtare nga Kastrioti (lajm i botuar në “Panorama Sport“ që më 30 dhjetor), por firma në kontratë ende nuk ka ardhur. Nuk është çudi që ta shohim në një skuadër tjetër.
Në kushte të njëjta është edhe Luftëtari me fantazistin shkodran, Erjon Vucaj, i cili ka folur me drejtuesit bluzi dhe gjasat janë që të firmosë për gjirokastritët, edhe pse më parë duhet prishë marrëveshjen me Dritën e Gjilanit. Ndërkohë, deri më 4 janar klubi i Tiranës pret një përgjigje përfundimtare nga kapiteni i Luftëtarit, Behar Ramadani, i cili është nën kontratë me bluzinjtë.
Nga bardheblutë është larguar portieri Shpëtim Moçka, ndërsa e njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me mbrojtësin Sedat Berisha, i cili u aktivizua shumë pak në pjesën e parë të këtij sezoni. Ndërsa në Durrës, pasi konfirmuan afrimin e Erlis Frashërit, presin që të mbyllin gjithçka edhe me mbrojtësin e majtë, Renato Arapi, i cili po negocion prishjen e marrëveshjes me klubin turk, Afyonspor.
Te Laçi vijojnë politikën me afrimin e lojtarëve të rinj, teksa i radhës është mbrojtësi i majtë i Kombëtares U-21, Irlian Ceka, i cili ka dalë nga akademia e Lacios. Kurbinasit pritet të përforcohen këto ditë edhe me një sulmues kroat. Situatë e paqartë është te Flamurtari, që mësohet se ka shtyrë edhe datën e grumbullimit.
Ishte planifikuar më 4 janar, por klubi ka njoftuar lojtarët për një ditë më pas, teksa nisja drejt Turqisë për minifazë do të bëhet më 6 janar.
Trajneri Ilir Daja është në ankth për grupin që do të ketë në dispozicion, teksa kapiteni Bushiç & CO kanë paralajmëruar klubin për financat. Nga lëvizjet e deritanishme ajo që bie më tepër në sy është largimi i plot 11 lojtarëve nga Kastrioti.
Klubi krutan ende nuk ka vendosur as për emrin që do t’i besojë stolin pas largimit të Stavri Nicës. Kamza e Ernest Gjokës është vendosur në kërkim të mbrojtësve, pasi largimi i Erlis Frashërit ka hapur një gropë në krahun e djathtë, ndërsa “divorcin” me klubin e ka kërkuar edhe Hektor Idrizaj, i cili ka rënë parimisht dakord me Partizanin, por gjithçka për të ardhmen e tij është në dorë të presidentit Naim Qarri. Kujtojmë që Superiorja rikthehet me javën e 19-të me ndeshjet që do të luhen më datat 26-27 janar, ndërsa ky vit nis me turin e dytë të Kupës së Shqipërisë më 23 janar.(Panoramasport)
SITUATA NË MERKATO
PARTIZANI
Afrime: Fatjon Jusufi;
Largime: Alma Abo Uakili, Renato Gojkoviç, Rron Statovci;
KUKËSI
Afrime: Eduard Rroca, Vasil Shkurtaj;
Largime: Haris Harba, Dino Spehar, Vangjel Zguro, Omar Ture;
TEUTA
Afrime: Erlis Frashëri, Renato Arapi;
Largime: Bojan Gjeorgjevski, Arsid Kruja;
LAÇI
Afrime: Irlian Ceka;
Largime: Xhevahir Sukaj, Andi Hadroj, Marijan Altiparmakovski;
SKËNDERBEU
Afrime: (asnjë);
Largime: (asnjë);
FLAMURTARI
Afrime: (asnjë);
Largime: Kristian Sirghi;
TIRANA
Afrime: (asnjë);
Largime: Shpëtim Moçka, Sedat Berisha?;
LUFTËTARI
Afrime: Erjon Vucaj;
Largime: Eduard Rroca, Lejdi Liçaj, Vasil Shkurtaj;
KAMZA
Afrime: David Izazola (në huazim);
Largime: Erlis Frashëri;
KASTRIOTI
Afrime: (asnjë);
Largime: Aleksandros Rrahim, Pablo Galego, Tabort Preston, Mba Duval, Adolf Nkembe, Klajdi Kuka, Sokol Mziu, Vilson Lila, Xhynejt Çutra, David Domgjoni, Çarls Atsina;
/a.meta