Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar se një protestë rinore dhe qytetare, pa simbole politike, pritet të zhvillohet më 8 tetor kundër Reformës Territoriale.
Berisha, në fjalën para grupit të PD, ka paralajmëruar zhvillimin e protestës, duke e lidhur atë me kundërshtimet ndaj reformës së propozuar dhe ndryshimeve në hartën administrative të vendit.
Sipas Berishës, reforma parashikon shkrirjen e 15 bashkive të tjera, duke i cilësuar ndryshimet si një vendimmarrje që prek drejtpërdrejt komunitetet lokale.
“Me një të rënë të lapsit, shuhen 15 bashki të tjera”, deklaroi Berisha, duke bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën e 8 tetorit.
Ai bëri thirrje për të gjithë mbështetësit që të vinin edhe një natë para në Tiranë.
“Protesta është në orën 10:00 para Parlamentit kundër Reformës Territoriale. Protestë rinore, pa flamuj dhe simbole partiake. Hajdeni edhe 1 ditë para në Tiranë, është protestë e rëndësishme”, tha ai mes të tjerash.
Fjala e Berishës për protestën:
“Protesta rinore qytetare po zvarrit çdo ditë në bulevardin e Tiranës kufomën politike të Edi Ramës. Ndaj dhe ditën e enjte, protestë kombëtare qytetare. Demokrate e demokratë nga Tirana dhe mbarë Shqipëria do jenë në protestën qytetare pa simbole, pa flamuj. Jemi protestë rinore qytetare për një kauzë jashtëzakonisht të madhe.
Protestohet kundër reformës territoriale, me të cilën Padrinoja kërkon me një të rëndë të lapsit, duke shkelmuar interesat e dhjetëra mijëra qytetarëve të shuajë edhe 15 bashki të tjera. Demokrate e demokratë, kudo që ndodheni, ajo është dita e qytetarëve, prandaj të ndodheni para parlamentit në ora 10.
U ftoj të vini tek të njohurit tuaj në Tiranë një ditë para në traditën më të mirë të protestave të fuqishme. Është një protestë për çdo shqiptar, është një protestë për Shqipërinë. Nuk është një protestë për këtë apo atë parti”.











