Nga Lorenc Vangjeli
Ka të paktën dy ide në PD për qëndrimin zyrtar ndaj zgjedhjeve. Duke nisur nga 21 qershori, ato kanë variuar me kalimin e ditëve. Kanë nisur që me idenë e leximit të këtyre zgjedhjeve si të fituara e deri tek pranimi i rezultatit si humbja më e thellë dhe më poshtëruese e PD-së që nga viti 1991. Por të dy variantet bashkohen në një pikë, në atë që shumica qeverisëse ka deformuar rezultatin duke deformuar standartet. Pritet raporti final i OSBE/ODIHR-it dhe ai do të përcaktojë edhe kontrastin e thellë mes dy qëndrimeve, por dhe pikën ku bashkohen, në kritikën ndaj qeverisë dhe pikat ku ndahen, në leximin e emrave të fajtorëve.
Linja zyrtare e PD-së është duke radikalizuar me shpejtësi qëndrimet e saj, kurse kundërshtarët e saj të heshtur ose jo, ata që e uruan humbjen e Bashës në zgjedhje me më shumë dëshirë edhe se vetë Rama, janë duke pritur të jenë pasojë e shkakut: pra të zgjedhin varësisht zgjidhjes që do t’i japë Basha lëmshit të zgjedhjeve.
Dy nga qëndrimet më të rëndësishme në këtë drejtim kanë qenë ato të Jozefina Topallit dhe të Astrit Patozit, kurse deputetë të tjerë, kryesisht garda e vjetër e kësaj partie të lënë mënjanë nga shpura e re që promovoi Basha në parti, përgjithësisht kanë qenë më diskretë.
Ishte vetëm data 21
Në fillim ishte kryetari i grupit parlamentar të PD-së, pastaj vetë kryetari i saj. Njëherë njëri pastaj tjetri, në fillim në muzg të datës 21 qershor dhe pastaj të nesërmen e kësaj date, deklaruan fitoren e opozitës në zgjedhje. Kutitë ishin ende të mbyllura, por pak kurajo për ushtrinë e numëruesve nuk është kurrë e tepërt. Edhe një dozë moskuptimi për çfarë po ndodhte. Edhe pak dëshirë e fortë dhe e thellë, aq e fortë dhe e thellë sa e bënte ëndrrën për fitore pothuaj të besueshme. Kaq mjafton për të kuptuar qëndrimet fillestare të opozitës përballë zgjedhjeve.
Edi Paloka tha se opozita madje kishte sprapsur edhe të gjitha orvatjet e maxhorancës për të manipuluar procesin e votimit, kurse Basha foli për një fitore të thellë të opozitës. Dhe për ironi të fatit përdori gati të njëjtën strukturë deklarimi si Edi Rama në 2009-ën që lëvdoi procesin në ditën e zgjedhjeve, pa ditur se më pas do të tentonte fort që të mos njihte zgjedhjet. Duke lëvduar procesin që vajti qetësisht, duke ditur se kontrastonte fort me Doktorin që thoshte se: “…në pamje dukej një ditë e qetë, por ishte një ditë e shëmtuar” dhe duke shpresuar se herët a vonë mrekullia e Kamzës do të ndodhte në Përmet, Durrës, ndoshta Fier e Vlorë. Por mrekullitë ndodhin vetëm në përralla. Dhe mes të dyve qëndroi Doktori. Veterani i politikës kuptoi shumë më mirë se “rishtarët” që mbajnë zyrtarisht vulat e partisë se çfarë kishte ndodhur. E vetmja gjë që ndoshta nuk llogariste në atë natë të gjatë ishte përmasa e disfatës që i kishte ndodhur.
Megjithatë, me instiktin që nuk e gabon, Berisha gjeti rastin t’i bëjë jo vetëm shërbimin e fundit partisë së tij, por dhe ta korrigjojë direkt kursin e saj të ri dhe t’i shpikë alibinë e nevojshme për humbjen: nuk humbëm, por na vodhën! Duke përgatitur pak nga pak daljen e butë nga euforia e datës 21 qershor e Palokës dhe të Bashës një ditë më pas dhe duke paracaktuar kursin e padyshimtë të përplasjes me qeverinë. Në rrëmujën mediatike dhe lumin e rrëmbyeshëm të informacionit që pason gjithmonë zgjedhjet, pikërisht deklarimi më i rëndësishëm i opozitës është kujtuar fare pak dhe ka zënë një hapësirë shumë modeste. U komentua vetëm në mbrëmjen e datës 21 në studiot televizive që diskutonin për zgjedhjet dhe u trajtua si një lajm i zakontë të nesërmen nga shtypi i shkruar. Në fakt ishte qëndrimi i sotëm i opozitës. Me pikë dhe presje. Ashtu siç di t’i verë dhe t’i parashohë vetë Doktor Berisha.
Ja çfarë shkruante në mbrëmjen e 21 qershorit Doktori: “…pak më parë përfundoi me procesin e votimit, farsa elektorale më e shëmtuar, më poshtëruese për zgjedhësit e ndershëm shqiptarë në tërë historinë e pluralizmit të vendit. …si kurrë më parë, bota e krimit, nën udhëheqjen e Edi Ramës, kandidoi zyrtarisht përfaqësuesit e saj kriminelë, vrasës, trafikantë droge, prostitucioni, pengmarrës, për dhjetëra e dhjetëra poste për kryetar bashkie dhe këshilltarë, pra parlamentarë të bashkive të vendit. …në këto zgjedhje, me shumë se kurrë në historinë e pluralizmit, mbi zgjedhësit e varfër shqiptarë ushtruan presione të shumanshme bandat e lidhura me qeverinë. …në këtë fushatë vërshoi më shumë se kurrë lumi i parave të drogës, prostitucionit, vjedhjeve të botës së krimit të lidhur me qeverinë për manipulimin e vendimit të qytetarëve. …në këtë farsë të shëmtuar, si asnjë herë më parë, blerja e votës me lekë, me post pune, me miell, plaçka, me karta identiteti, dhunë e terror, u bënë një fenomen i shfaqur në çdo skaj të vendit. …në këtë farsë zgjedhore, më e pabarabarta në historinë e vendit, e në këtë fushatë, si kurrë ndonjëherë më parë qeveria, me urdhër të Edi Ramës, të filmuar me zë dhe figurë, përdori për qëllime elektorale kundër opozitës të gjitha institucionet e mazhorancës së krimit…”
Berisha foli për përdorimin e policisë, ushtrisë, administratës. Tha se gjithçka ishte një farsë elektorale dhe se Rama kishte kërcënuar qytetarët se do të mbeteshin pa rrugë, ujë e investime nëse votonin opozitën. Tha se ishin sulmuar aktivistët e opozitës. Dhe në përfundim të retorikës akuzuese, Berisha shkruan rreshtin e fundit që përligjte gjithë rreshtat e tjerë: “…i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të mos përligjë zgjedhjet, në të cilat si kurrë më parë ngadhënjeu krimi dhe kriminelët e qeverisë, lumenjtë e parave të drogës dhe prostitucionit, u shkelmuan parimet më themelore ndërkombëtare të zgjedhjeve”.
Ky ishte qëndrimi tek i cili duket se PD po mbërrin tre javë mbas mbylljes së kutive të votimit. Të cilin Berisha e kishte paralajmëruar duke dashur t’i bëjë shërbimin e rradhës partisë së tij. Duke vërtetuar dhe njëherë se ai ka dorëzuar vetëm shpatën, por jo krahun; ka lëshuar stilografin, por jo mënyrën e firmës që tentuan ta “kopjojnë” njëherë Paloka në datë 21 qeshor dhe pastaj Basha një ditë më pas.
Kur Basha bashkohet me Berishën
Më mirë vonë se kurrë. Kush niset që t’i largohet origjinalit, shpesh e gjen veten rob të fotokopjes. Në fushatën zgjedhore nisi të konfigurohet një Basha tjetër. Së paku jo ai që ju ul Tiranës në karrigen e kryebashkiakut katër vjet më parë. Njeriu i buzëqeshur, shpresa për një politikë ndryshe në PD-në gjithëherë të egër dhe të ashpër, huazoi nga modeli i tij Berisha edhe tonin e zërin, por mbi të gjitha, edhe pak a shumë mënyrën e artikulimit. Që niste që me euforinë për fitore kur asgjë nuk dëshmonte një mundësi të tillë dhe vazhdonte me nëmet dhe mallkimet e forta ndaj kundërshtarëve.
Tre javë pas mbylljes së kutive të votimit, ai është duke përqafuar pothuaj plotësisht linjën që Doktori “udhëzoi” që në mbrëmjen e 21 qershorit. Nëse lexohet postimi në Facebook i Doktorit në 21 qershor në mbrëmje dhe krahasohet me fjalimin e Bashës të së mërkurës, shihet lehtë se ndryshojnë detajet, por jo thelbi, se ndryshon ngjyra, por jo shija e të njëjtës supë.
Të mërkurën në Tiranë ndodhej kancelarja Merkel, por Basha nuk e prishi axhendën e tij politike të parashikuar. Në një fjalim të fortë në grupin parlamentar ai paralajmëroi kursin e përplasjes me qeverinë. Kryesisht për shkak të zgjedhjeve. duke akuzuar për blerje të tyre me fonde të grabitura nga kontrabanda e realizuar në dogana dhe tatime. Basha shkon dhe më tej duke formuluar dhe një akuzë tipike të stilit të Doktorit. Sipas tij, Rama e Meta përdorën edhe fëmijët duke i nxitur ata të vjedhin kartat e identitetit të prindërve në këmbim të përgjigjeve të provimit të maturës. “Marrëzia e horrave dhe zuzarëve të Ilir Metës dhe Edi Ramës nuk është mjaftuar me presione, kërcënime, banda dhe blerje votash. Kanë shkuar deri aty sa të detyrojnë fëmijët të vjedhin kartat e identitetit të prindërve”. Sipas tij, aksioni për denoncimin e grabitjes së zgjedhjeve dhe dekriminalizimit, ka mbështetje të gjerë ndërkombëtare. Dhe se këtë mbështetje ai e ka gjetur në Bruksel. Vjenë dhe në Tiranë. “Eshtë detyra jonë t’i shndërrojnë në beteja të mbarë shopqërisë, t’i udhëheqim, t’i çojmë përpara drejt finalizimit me sukses… Mashtrimi, korrupsioni qeveritar dhe kriminalizimi pretendojnë se janë legalizuar me votën e shumicës së shqiptarëve. Kjo nuk mund të ndodhë në zgjedhje të lira, por mund të imponohen në zgjedhje të kapura si këto të 21 qershorit. Vetëm përkohësisht”. Dhe Basha ka të drejtë. Vetëm se kësaj rradhe fjala e tij “përkohësisht”, do të zgjasë si e tillë për katër vjet. Së paku në pushtetin lokal.
Pse kështu
Kursi në dukje i ndryshëm i ndjekur nga linja zyrtare e PD-së në një anë, nga kundërshtarët e heshtur të saj në anën tjetër dhe nga Doktori në mes, ka një shpjegim të thjeshtë. Pak nga pak ato po gjejnë pikat e përbashkëta. Duke nisur me të parën dhe më të rëndësishmen: PD ka humbur zgjedhjet. Për të vazhduar më pas me një nga arsyet e humbjes: deformimi i procesit dhe vetë rezultatit nga qeveria. Dhe për t’u ndarë më pas me emrat e përveçëm të fajtorëve. Për Bashën fajtorë janë Rama e Meta që grabitën zgjedhjet, për kritikët e Bashës, ata që flasin dhe ata që heshtin, është vetë kryetari i PD-së fajtori i kryesor i humbjes së saj. I vetmi që bën përjashtim është Kastriot Islami, i cili ka teorinë e tij që nuk i ngjan askujt: sipas ish-deputetit socialist të konvertuar në demokrat, partia e tij e re ka fituar në zgjedhje përballë zgjedhjes së tij të dikurshme.
Ka një përkim kurioz të fatit të Lulzim Bashës me Edi Ramën. Edhe Basha, njëlloj siç akuzonin gjashtë vjet më parë kritikët Ramën, nuk do të pranojë rezultatin zgjedhor për shkak të postit në parti. Duke marrë garanci nga Berisha se nuk do t’i ndodhë asnjë kërcënim për detyrën në PD, pra duke garantuar këtë fitore të vogël, ai merr përsipër të gjejë fajtorët e humbjes në zgjedhje tek fituesi i tyre: na vodhi qeveria! Eshtë një histori e njohur. Një histori që sado që personazhet janë krejt të ndryshëm, duket se ngjajnë në mos në motive, në mënyrën e sjelljes. Por me një diferencë. Basha e ka ende si mendeshë Doktorin e tij, Ramës i ishte vetëlarguar nga radari Fatos Nano dhjetë vjet më parë. Nëse kjo është epërsi apo disavantazh, është pastaj çështje tjetër. Eshtë vetëm çështje kurioziteti e historisë që asnjëherë nuk bëhet me “sikur”.