Nga Linda Karadaku
Koha e kujt ka ardhur ose po vjen në Shqipëri, a po përmbysen, a do të përmbysen elektoratet tradicionale? Ia vlen të presësh dhe ta shohësh. Në zhvillimet politike në një shoqëri, koha vjen dhe ikën për gjithkënd, askush nuk ka imunitet. Çfarë të mbjellësh, do të korrësh!
Në zgjedhjet amerikane, beteja bëhet mes gomarit dhe elefantit që përfqësojnë dy partitë, demokratët dhe republikanët. Nuk ka trëndafil dhe gjethe ulliri. Dhe në zgjedhjet amerikane, si në çdo demokraci tjetër, pyetja që bëhet në fushatë elektorale është pse duhet të fitojë njëra palë dhe jo tjetra, pse duhet të fitojë Clinton dhe jo Trump. Secila nga palët jep argumentat e veta se pse ajo ose ai duhet të fitojnë në kuptimin e asaj se çfarë do të përfitojnë njerëzit e thjeshtë dhe jo të thjeshtë…nga kjo fitore dhe sigurisht çfarë ndikimi do të ketë kjo fitore në politikën ndërkombëtare, ku bëjmë pjesë edhe ne, të vegjlit…Në Shqipëri, për dekada të tëra, përfshi edhe zgjedhjet e fundit lokale në Dibër, pyetja vazhdon të bëhet “si” por në fakt njerëzit votojnë duke iu përgjigjur edhe në mënyrë të pandërgjegjshme pyetjes “pse”, e përkthyer në çfarë fitoj unë, ose çfarë fitojmë ne (jo çfarë përfitoj unë dhe çfarë përfitojmë ne.)
Pyetja në fakt mbetet pse duhet të fitojë një parti apo një lider zgjedhjet e ardhshme dhe jo si do ti fitojë. Sesi do tí fitojë, ka shumë mënyra, të drejta dhe të padrejta, të moralshme dhe jo të moralshme, por në fund, kjo nuk ka fare më rëndësi, sepse historinë e bën fituesi dhe ai qeveris…Në politikën tonë të rrëmujshme, ne nuk kemi një ndarje të qartë majtas dhe djathtas, kemi elektorate tradicionale, por brezat e rinj e kanë përmbysur edhe këtë formulë-ndarje, duke krijuar në mes, parti që i përfaqësojnë të dy krahët ideologjikë, e provuar kjo edhe me ndryshimet e rreshtimeve në koalicione, ku dy partitë e mesit kanë qenë edhe djathtas, edhe majtas, pavarësisht nga pretendimet ideologjike dhe politikat e ndjekura. E kam fjalën për LSI dhe PDIU.
Këto dy parti po krijojnë elektoratet e tyre tradicionale që nuk bazohen në ideologji, por në një pragmatizëm të kulluar, por me dy ndryshime të madha që bëjnë diferencën. LSI ka në krye babain e pragmatizmit në Shqipëri dhe një lojtar të jashtëzakonshëm politik, ka struktura solide të rreshtuara që ndjekin liderin si në një rreshtim ushtarak, ndërsa PDIU ka një lider që është shumë larg profilit, karakterit dhe mbijetuesit Ilir Meta dhe ka ende një bazë elektorale të kufizuar që bazohet në komunitetin çam dhe në fuqinë e tij ekonomike. Githsesi, trëndafili I LSI dhe gjethja e ullirit e PDIU janë në mesin e kësaj politike rrumpallë siç thoshte Rama dikur dhe bëjnë votat që përcaktojnë fituesin. Ndonjëherë ka nevojë vetëm për një votë, ndonjëherë për 20 vota në parlament, por kjo nuk e ndryshon formulën e të qënit në mes për të përcaktuar fituesin.
Kjo bëhet edhe më e rëndësishme duke pasur parasysh ku janë aktualisht gomari dhe elefanti. Partia Demokratike ka probleme lidershipi në kuptimin më të gjerë të fjalës dhe një ngërç në marrëdhëniet me elektoratin e vet për shkak të mungesës së një kërkim-falje të qartë, konkrete, me pika dhe me presje për gabimet dhe vendimet e gabuara dhe madje fajet e saj gjatë qeverisjes. Lulzim Basha nisi ta bënte shumë pak dhe shumë mjegullt duke pranuar se partia e tij ka marrë vendime nën trysninë e grupeve të interesit që nuk kanë qenë popullore. Por kjo është shumë larg kërkim-ndjesës që duhet. Katarsisi në Partinë Demokratike kërkon analizë të thellë dhe transparente për elektoratin e vet dhe për elektoratin e pavendosur, sidomos të rinjtë që kërkojnë një shpresë të besueshme dhe konkrete si alternativë ndaj qeverisjes aktuale. Dhe sigurisht, përfaqësues të kësaj partie, të rinj dhe të vjetër, me një vazhdimësi të qartë brezash dhe kontributesh, që e japin këtë shpresë dhe besim…
Partia Socialiste ka ngërçin e saj me elektoratin e vet. Jo vetëm për shkak se shumë militantë socialistë mbetën pa punë, rrugëve, pavarësisht nga shpresat dhe premtimet në bazë, por edhe sepse reformat dhe vendimet e qeverisë Rama nuk prodhojnë mirëqënie tani për tani. Unë jam me gjithë shpirt për vendosjen e rregullit në këtë vend dhe do mbështesja çdo reformë që prodhon rregull dhe rend, por kjo nuk të jep bukën e fëmijëve. E thënë shkurt, reformat nuk u mbështetën me politika të qarta dhe konkrete ekonomike dhe sociale që do të prodhonin vende pune dhe mirëqënie, qoftë edhe mbështetje sociale për njerëzit që vuajtën pasojat e tyre. Rrumpallën nuk e krijuam ne, por qeveritë dhe pushtetet që e krijuan, e lejuan dhe e promovuan, ndërsa pasojat i vuajmë ne. Votimi i ligjit për plehrat në parlament, pavarësisht nga nevoja për industrinë e riciklimit ishte jo-popullor dhe i mbështetur në argumenta që nuk prodhojnë besim.
LSI qëndroi në parcelën e vet të qeverisjes, duke dhënë mesazhe herë pavarësie dhe herë autonomie nga partneri qeverisës dhe duke u bërë gati për zgjedhjet e ardhshme. Qëndrimi në çështjen e reformës në drejtësi ishte i pavarur ndërsa në rastin e ligjit për mbetjet, autonom. Trëndafili ishte një parti e qartë në lëvizjet e veta duke u thënë votuesve se ata përfaqësojnë qetësinë, maturinë, kompromisin dhe mbi të gjitha politikat pragmatiste në politike, ekonomi dhe punësim. Në një përpjekje të qartë për të krijuar elektoratin e vet tradicional, partia e Metës iu drejtua të rinjve duke ecur me vizionin e krijimit të së ardhmes pak e nga pak duke rritur në të njëjtën kohë gradualisht numrin e deputetëve dhe ndikimin politik. Meta diti të bëhej lojtar atëherë kur dukej, duke gjuajtur momentumin e duhur dhe ndërkohë duke vazhduar punën në terren për të krijuar një bazë solide të partisë, në zgjerim. Por Metës I duhet ta konsolidojë Lëvizjen Socialiste për Integrim duke e kthyer në një faktor primar ku negociatat nuk do të bëheshin më nga pozicioni I së tretit dhe kjo nuk do të jetë e lehtë…Le të presim dhe të shohim çfarë do të prodhojë reforma e re elektorale.
PDIU është e ndryshme. Gjethja e ullirit ecën pa u ndjerë, ngadalë, përhapet dhe kërkon një për një shpërblimin për ato që jep. Duket si biznesmenët e rinj që janë të etur të grumbullojnë sa më shumë në rrugën drejt konsolidimit. Por partia kë nevojë të zgjerojë dhe ndryshojë bazën duke dalë jashtë komunitetit çam dhe duke mbledhur rreth vetes njerëz që duan thjeshtë një alternativë për ndryshim, qoftë kjo edhe me ngjyra nacionaliste të moderuara, bazuar në vlerat perëndimore dhe evropiane. Në fund të fundit, kjo nuk ka asgjë të keqe, në vendet fqinjë kemi në pothuaj secilën parti që përfaqësojnë këtë rrymë. Kjo do tí krijonte asaj vendin e vet në kohezionin politik shqiptar dhe në një të ardhme jo të largët, do të prodhonte një bllok solid në parlament. Siç thonë në Shkodër, “asht ma mirë me ditë se me pasë.”
Në konkluzion, hapësira politike në Shqipëri ka nevojë për të gjithë, por vendet e partive mund të pësojnë rotacion në varësi të mesazhit të “pse-së” që u japin njerëzve, votuesve. Pse duhet votuar Rama, Meta, Basha, Idrizi? Cfarë ofrojnë ndryshe këtë herë, çfarë fitojmë ne qytetarët, a do të ketë më shumë mirëqënie nëse cilido prej tyre vjen ose ikën nga pushteti? A do të jetë Shqipëria vend më i sigurtë, a do të kemi më shumë hapësirë dhe liri ekonomike? Zgjedhjet janë edhe larg edhe afër. I mençmi mendohet gjatë dhe shumë dhe vepron shpejt dhe me maturi në momentin dhe kohën e duhur. Koha e kujt ka ardhur ose po vjen në Shqipëri, a po përmbysen, a do të përmbysen elektoratet tradicionale? Ia vlen të presësh dhe ta shohësh. Në zhvillimet politike në një shoqëri, koha vjen dhe ikën për gjithkënd, askush nuk ka imunitet. Çfarë të mbjellësh, do të korrësh!