Gjykata e Tiranës ka pushuar procesin gjyqësor mes ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Ky i fundit u akuzua nga Beqaj për shpifje, në një deklaratë të nëntorit të vitit të kaluar, që kishte të bënte me një tender prej 31 milionë eurosh të Ministrisë së Shëndetësisë, tender që sipas kryetarit të opozitës, Basha, i është dhënë ish-firmës së ministrit dhe personave të tjerë të lidhur me pushtetarët raporton Tch.
Por, edhe pse Beqaj ishte nismëtari i këtij procesi, ai u bë edhe shkaku për pushimin e tij, pasi nuk u paraqit në seancë, në një kohë që kishte deklaruar se procesi do të zhvillohej në praninë e tij.
Në këto kushte, gjykata vendosi pushimin e çështjes ndaj kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Në lidhje me këtë vendim ka reaguar avokati i ministrit Beqaj, Ardian Visha, i cili ka deklaruar se, vendimi i gjykatës është marrë në një kohë, kur ministri Beqaj ishte pas derës së gjyqtarit me vetëm 2 minuta vonesë.