Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar me 11 vite burg biznesmenin e hidrokarbureve Rezart Taçi.
Taçi, i gjykuar në mungesë, u shpall fajtor për veprat penale të “pastrimit të parave” dhe “grupit të strukturuar kriminal”. Në të njëjtin vendim, gjykata vendosi edhe konfiskimin e shumës prej mbi 18 milionë eurosh të sekuestruara në kuadër të këtij hetimi.
Procesi ndaj tij është shtyrë në disa seanca për shkak të mosparaqitjes së konkluzioneve nga mbrojtja. Në seancën e fundit, gjykata konstatoi mungesë vullneti nga ana e avokatëve për t’i paraqitur ato.
Sipas një hetimi të përbashkët shqiptaro-italian, Taçi dyshohet se ishte pjesë e një skeme financiare të drejtuar nga dy shtetas italianë, njëri prej të cilëve ishte hetuar më herët për lidhje me organizatën mafioze “Cosa Nostra”.
Në qershor të vitit 2021, shtetasit italianë mbërritën në Shqipëri, ku u pritën nga Artur Balla dhe Bledar Lilo, persona të afërt me Taçin. Më pas, u hapën disa llogari bankare dhe në një bankë të nivelit të dytë u transferua shuma prej 18.3 milionë eurosh në një llogari të vetme.
Sipas SPAK, Taçi, ndonëse jashtë vendit, ka angazhuar bashkëpunëtorët e tij për të kryer transaksione drejt Hong Kongut dhe Singaporit, por operacioni u ndërpre pas ndërhyrjes së prokurorisë dhe sekuestrimit të shumës.











