Janë plot 19 mijë dosje në pritje për t’u gjykuar nga një trup gjyqësor e përbërë nga 14 anëtarë, shtatë prej të cilëve iu ka përfunduar mandati. Nga 34 ndihmës gjyqtarë në vitin 2013, sot me 15 të tillë në detyrë.
Në këtë gjendje zhvillon aktualisht funksionin e saj Gjykata e Lartë, në pamundësi për të shtuar kapacitete deri në ngritjen e organeve të reja të qeverisjes gjyqësore. Gjatë një interviste për gazetën “Panorama”, kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, shpjegon arsyet e shifrave, sipas tij, skandaloze. Kryegjyqtari thekson pafuqinë e Gjykatës së Lartë të merret me çështjet stok dhe vendimet unifikuese, në një kohë që ka mangësi të ndjeshme gjyqtarësh dhe ndihmë- sish ligjorë. Kreu i Gjykatës së Lartë shpjegon edhe rastet kur gjykimi i një dosjeje kalon në procedurë të përshpejtuar, duke sqaruar edhe rastin e dosjes “Fullani”.
Z. Zaganjori, cilat janë vështirësitë me të cilat po përballet aktualisht Gjykata e Lartë?
Angazhimi ynë kryesor aktualisht, është implementimi i Reformës ne Drejtësi, i standardeve të reja kushtetuese e ligjore, që imponojnë një sërë risish dhe ndryshimesh të rëndë- sishme, të cilat synojnë rritjen e pavarësisë, efektivitetin dhe performancën e sistemit të drejtësisë. Jemi në një moment kur kanë ndryshuar mjaft ligje me natyrë procedurale e materiale.
Po ashtu, Gjykata e Lartë do të kthehet në një gjykatë që do të përqendrohet kryesisht në unifikimin, zhvillimin dhe ndryshimin e praktikës gjyqësore. Në fakt ne kemi identifikuar mjaft çështje për të cilat ka nevojë që gjykata të angazhohet për unifikimin apo ndryshimin e praktikës gjyqë- sore, por nga ana tjetër, përballemi me shumë vështirësi. Së pari për shkak të reformës dhe së dyti për shkak të përbërjes aktuale të Gjykatës së Lartë. Përbërja në dy këndvështrime, në këndvështrimin e anëtarësisë, dhe në këndvështrim të ndihmësve ligjorë, që unë i konsideroj si “motori” i gjykatës. Ata përpunojnë fillimisht dosjet dhe i bëjnë gati për të ndihmuar gjyqtarët respektivë në marrjen e vendimit, qoftë në dhomë këshillimi, qoftë në seancë gjyqësore. Për sa u përket këtyre dy drejtimeve, problemi është i tillë: Ne jemi praktikisht 14 gjyqtarë dhe për një kohë të gjatë kemi qenë 13, nga 19 që duhet të jemi sipas ligjit. Gjashtë nga anëtarët e trupës aktuale të Gjykatës së Lartë janë me mandat të përfunduar, ndërsa dy të tjerë janë në kushtet ku, njërit i ka mbaruar mandati prej kohësh, ndërsa tjetri është në procedurë shkarkimi. Me ndryshimet ligjore ata mund të qëndrojnë në detyrë deri në ardhjen e gjyqtarit zëvendësues, por nuk e di se ç’do të ndodhë. Me ardhjen time në gjykatë jemi përpjekur në uljen e numrit të administratës që nuk ka qenë e angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me vendimmarrjen gjyqësore, në mënyrë që njerëzit t’i përqendroj te dosjet. Unë nuk kam mbajtur në staf as sekretar të përgjithshëm, as shef kabineti e as këshilltarë. Jam me një këshilltar që në fillim, thjesht për të krijuar hapësira për këshilltarë (ndihmës ligjorë), për të gjithë gjyqtarët në mënyrë të barabartë. Në këtë mënyrë, në vitin 2013 nga 21 arritëm të bëjmë 34 këshilltarë, për të gjithë trupën gjyqësore prej 17 gjyqtarësh.
Sa ndihmës ligjorë ushtrojnë detyrën në këto momente në Gjykatën e Lartë?
Sikurse e theksova në vitin 2013 arritëm të bëjmë 34 të tillë, ndërsa tani kemi 15 ndihmës ligjorë dhe ky është problemi. Unë nuk mund t’ua imponoj gjyqtarëve se sa dosje duhet të gjykojnë, në një periudhë të caktuar kohe. Mund të krijosh mekanizma për mënyrën e funksionimit të kolegjeve, por jo t’u imponohesh, pasi nuk mund të punohet me normë, për shkak se çdo dosje kërkon vëmendjen dhe kohën e duhur. Unë krijova një mekanizëm tjetër, duke u vënë një “normë” këshilltarëve, secili minimalisht 20 dosje në muaj.
Për këshilltarët e marrë në vitin 2013 nga Gjykata e Lartë, u zbatuan kritere objektive si: eksperiencë mbi 5 vite punë, rezultate të larta të studimit me mesatare mbi notën 8.5 dhe një gjuhë e huaj, të cilën duhet ta njohin shumë mirë, etj. Mbi këtë bazë arritëm të rekrutojmë një numër këshilltarësh mjaft cilësorë.
Pra, tani po operoni me 15 ndihmës gjyqtarë. Pse është ulur numri?
Një pjesë e ndihmësve ligjorë kanë dhënë dorëheqjen për shkak të reformës, apo janë larguar për shkak të përfundimit të mandatit të ndonjë gjyqtari. Puna e ndihmësit ligjor lidhet me gjyqtarin, kështu që me t’u larguar gjyqtari në një nga format që njeh ligji, ikën edhe ndihmësi. Disa kanë dhënë dorëheqjen, pasi nuk kanë dashur t’i nënshtrohen vetingut, apo për arsye të tjera që nuk mund t’i paragjykoj. Praktikisht nga 34 ndihmës ligjorë kanë mbetur 15 të tillë dhe jemi keq. Kemi bërë një rishpërndarje dhe kemi tentuar që backlog-u të përballohet duke pasur në radhë të parë, edhe si numër, edhe si cilësi këshilltarë të mirë. Meqë kuadri i ri ligjor ka hyrë në fuqi, unë nuk kam më mundësi që të organizoj një konkurrim si katër vite më parë, pasi nuk e kam më këtë kompetencë. E ka Këshilli i Lartë Gjyqësor. Në këtë periudhë transitore unë mund të merrja magjistratë në detyrë, vetëm përmes lejes së dhënë nga KLD-ja dhe këtë mundësi e kemi shfrytëzuar në disa raste, pavarësisht se nuk ka qenë e lehtë. Për shkak të reformës nuk është e lehtë të bindësh magjistratët të lënë punën dhe të vijnë këtu, në këtë moment.
Në gjuhën e shifrave, sa dosje janë në pritje për gjykim në Gjykatën e Lartë?
Shifrat janë skandaloze dhe kjo për një sërë arsyesh, pavarësisht se të paktën çështjet janë të sistemuara dhe jo të shpërndara nëpër shumë vite si më parë. Në vitin 2013 vendosa rregullin e gjykimit me radhë të çështjeve dhe jo në bazë të përzgjedhjes selektive nga gjyqtarët, por sipas numrit të regjistrimit. Mbi këtë bazë në vitin 2015 Trupa Gjyqë- sore arriti të mbyllë mbi 8 mijë dosje, një shifër kjo rekord, krahasuar me vitet e mëparshme.
Me një llogari të thjeshtë, po flasim për gati 30 vendime në ditë? Ka qenë e mundur kjo?
Po, por janë disa lloj vendimesh, edhe dhoma këshillimi, edhe pezullime. Kjo shifër i përfshin të gjitha, pasi për një dosje shqyrtohet edhe konflikti i kompetencave, apo masat pezulluese. Si dosje të mbyllura janë rreth 8 mijë në vit. Më parë numri nuk i kalonte 3500. Me masat e marra isha optimist për uljen e shpejtë të backlog-ut. Në vitin 2016 jemi në shifrat e gati 7500, për disa arsye si: largimi i gjyqtarëve, largimi i ndihmësve ligjorë. Arsyet e përmendura më sipër bën që ky optimizëm në një farë mase të bjerë. Megjithatë duhet të theksojë se vetëm në 6 mujorin e parë të këtij viti Kolegji Administrativ i përbërë nga 5 gjyqtarë ka arritur të gjykojë rreth 1400 dosje, pjesa më e madhe konflikte pune, pensione dhe trajtime financiare të ushtarakëve. Prurjet aktuale të dosjeve janë tepër të mëdha. Aktualisht në pritje për gjykim janë rreth 19 mijë dosje, nga të cilat rreth 12 mijë vetëm civile; rreth 5 mijë janë administrative dhe rreth 2 mijë ose më pak penale. Ka një të mirë, në kuptimin që tani nuk kemi dosje të viteve të shkuara, që prisnin nga 5-6 vjet. Koha e pritjes është përgjysmuar. Për shembull: te penalet nuk mund të themi se kemi backlog, sepse tashmë të gjitha janë çështje që presin gjykimin, në më pak se një vit. Janë çështje të mesit të vitit 2016.
Si mund të përmirësohet situata?
Gjykoj se është e rëndësishme vendosja e filtrave. Në Gjykatën e Lartë deri para pak kohësh vinte gjithçka, edhe një konflikt i rëndomtë. Por gjithçka do kohën e saj, pasi do të bëhet shpallja, njoftimet, seancat shpesh shtyhen, etj. Kështu që, vendosja e filtrave do ta shëndoshë sistemin. Por sikurse e theksova edhe më sipër, Gjykata e Lartë duhet të përqendrohet më tepër tek unifikimi. Por si probleme që paraqiten në këtë drejtim mund të identifikoja këto. E para, duhet të ecet paralelisht me një lloj kontrolli të cilësisë së vendimmarrjes në gjykatat e Apelit. Nëse nuk përmirësohet ajo, nëse vijnë vendime jo cilësore, atëherë si do të bëhet? Deri tani është konsideruar filtri i Gjykatës së Lartë, por tani Gjykata e Lartë, do të përqendrohet vetëm tek unifikimi, zhvillimi apo ndryshimi i praktikës gjyqësore. Alternativa e kthimit masiv të çështjeve për rishqyrtim në gjykatat e niveleve më të ulëta, jo vetë që nuk është e drejtë, por sjell edhe mjaft probleme e vonesa për qytetarët. Nuk mund të luhet pingpong me drejtësinë. Së dyti, aktualisht, pengesë që Gjykata e Lartë të përqendrohej te vendimet unifikuese, ritheksoj se është numri i madh i çështjeve. Duke pasur një numër kaq të madh çështjesh, vetë gjyqtarët, janë të interesuar të kalojnë sa më shumë dosje. Të merresh me një vendim unifikues do të thotë minimalisht të mos merresh me asgjë tjetër të paktën 1 deri 2 muaj. Duhen bërë kërkime për të parë jurisprudencën e rasteve analoge, duhet konsultuar jurisprudenca e gjykatave ndërkombëtare dhe aspektet teorike relevante, duhet të shkruhet vendimi unifikues, etj. Në fakt, në vitin 2014 me ndihmën e fondacionit gjerman “Hens Seidel” bëmë një botim me vendimet unifikuese të Gjykatës së lartë në 15 vitet e fundit, në mënyrë që gjyqtarët, prokurorët, avokatët të ndihmohen për t’u përqendruar te problemi. E dyta, ajo na ndihmoi për të identifikuar problemet që kanë nevojë për unifikim në të ardhmen si dhe mundësitë për përmirësimin e kuadrit ligjor ekzistues. Problemi është i pafuqisë që të merresh me backlog-un dhe vendimet unifikuese, në një kohë që ke mangësi të ndjeshme gjyqtarësh dhe ndihmësish ligjorë. Nga tre konferenca që organizuam për të identifikuar problemet që lidhen me unifikimin e praktikës gjyqësore në gjykimin civil, penal e administrativ, identifikuam rreth 80 çështje që kanë nevojë për unifikim. Në një kohë, që me vështirësi plotë- sojmë numrin për t’u mbledhur në Kolegjet e Bashkuara. Në Kolegjet e Bashkuara duhet të jemi në çdo rast të paktën 13 gjyqtarë, që nuk është e lehtë të arrihet në kushtet aktuale.
Nuk plotësohet kuorumi i nevojshëm për Kolegjet e Bashkuara?
Kuorumi i nevojshëm nuk plotësohet pasi për një arsye apo tjetër, ka mungesa, si dhe numri është i vogël, apo ka papajtueshmëri në çështje të caktuara, etj. Me vështirësi i mblodha Kolegjet e Bashkuara javën e kaluar, ku trajtuam shtatë çështje, por jo për të gjithë bëmë unifikim praktike. Në disa prej tyre dolën vështirësi për plotësimin e kuorumit ndaj nuk arritëm rezultatin e dëshiruar. Por ama përsëris edhe njëherë, që heqja e ngarkesës për qëllime unifikimi kërkon vendimmarrje shumë më ndryshe në gjykimin në Apel. Edhe specializimi i Apelit në dhoma gjykimi për grup çështjesh specifike do t’i shërbente shume mirë këtij qëllimi.
Ju përmendët që çështjet në Gjykatën e Lartë janë shqyrtuar sipas radhës së datës së regjistrimit. Pak ditë më parë deputeti Erion Brace, përmes një statusi në Facebook, iu drejtohej juve në emër ku kërkonte të dinte se përse gjyqi i ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka qenë në dhomë këshillimi pak kohë pas regjistrimit, ndryshe nga çështje që presin me vite?
Duhet të dimë diçka. Unë kam vënë një rregull për radhën e shqyrtimit të çështjeve, siç është normale në çdo gjykatë, por që nuk ka qenë e tillë në Gjykatën e Lartë. Në fillim kishte rezistencë, por më pas trupa gjyqësore ka zbatuar përgjithë- sisht me korrektesë urdhrin respektiv. Por si kudo, ka një kategori të caktuar çështjesh, të cilat trajtohen në mënyrë të përshpejtuar. Për shembull, ato që kanë prioritet për t’u trajtuar me procedurat janë konfliktet e punës, pensionet ushqimore, çështjet që vijnë nga Gjykata Kushtetuese, etj.. Pra, janë vendosur kritere objektive. Kërkesat e shumta që vijnë në Gjykatën e Lartë, për përshpejtim, unë ia përcjell për vlerësim gjyqtarit relator, pra, nuk vendos unë. Gjyqtari relator, pasi vlerëson ose jo kërkesën më paraqet mua me shkrim argumentet dhe propozimin, për përshpejtimin e një çështje të caktuar. Mund të ketë edhe subjektivizëm, por nuk mund ta kem unë këtë kompetencë për të përshpejtuar çështjet. Pra, edhe një herë, propozimin e bën dhe e argumenton gjyqtari relator. Unë bëj vetëm një shënim që jam dakord nëse konstatoj se ky përshpejtim është në përputhje me kriteret e vendosura.
Rasti i Fullanit ishte një prej tyre?
Në rastin në fjalë, gjyqtari relator ka vlerësuar kërkesën dhe ka bërë propozimin. Pra ka pasur kërkesë nga pala, e cila i është përcjellë relatorit. Unë thjesht kam shënuar që jam dakord, siç veproj edhe në raste të tjera. Nuk e kam përshpejtuar unë. Atë e përshpejton gjyqtari relator e më pas kolegji respektiv.
Në një qasje personale tuajën, a besoni se vetingu do të realizojë filtrimin e pritshëm të gjyqtarëve?
Duhet të shohim. Është diçka e panjohur. Unë nuk e di. Uroj dhe dua të besoj se reforma është e rëndësishme, e domosdoshme dhe qëllimin e ka të mirë. Se si do të implementohet, është çështje tjetër. Nuk mund ta paragjykoj.
Po në lidhje me verifikimin e pasurisë së gjyqtarëve, bazuar në mënyrën se si është formësuar në ligj, mund të jetë efektiv, apo do të jetë vetëm një “rrjetë” që pengon vetëm “mëkatarët e vegjël”?
Ne kemi zbatuar kërkesat ligjore që na janë bërë nga ana e ILDKPI-së. Unë i kam ngarkuar anëtarët e trupës gjyqësore t’i përgjigjen të gjitha kërkesave. Nuk mund ta paragjykoj si proces, derisa nuk ka filluar ende.
Në lidhje me tri ligjet kryesore të reformës, si kryetar i Gjykatës së Lartë dhe si gjyqtar karriere, a keni rezerva në mënyrën e formulimit? Do të theksoja një nga elementet e kundërshtuar në Kushtetuese nga Unioni i Gjyqtarëve, në lidhje me dëshmitë konfidenciale dhe anonime?
Nuk i kam ndjekur dhe nuk mund të shprehem në këtë moment. Edhe vendimin e Gjykatës Kushtuese dhe kërkesat apo pretendimet e bëra deri tani i di në përgjithësi. Kërkesat janë bërë kryesisht nga shoqatat e gjyqtarëve dhe besoj se përgjithësisht kanë bërë mirë. Vetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese e konfirmon këtë gjë. KLD-së, për shembull, i është thënë që të vazhdojë t’i ushtrojë funksionet në raste të caktuara, në mënyrë që të garantohet vazhdimësia e punës. Një problem është krijuar, që nuk e përmenda, lidhur me hyrjen në fuqi të Kodit të Procedurës Civile. Në dispozitat tranzitore thuhet që rekurset që janë bërë tashmë në Gjykatën e Lartë duhet të gjykohen në bazën e rregullimeve ligjore të mëparshme. Kjo do të thotë që 19 mijë çështje duhet të shqyrtohen me kuadrin ligjor të mëparshëm. 19 mijë çështje, përkthehet në rreth 3 vjet punë për Gjykatën e Lartë. Do të jetë një problem që do të kërkojë vëmendje, ose njëlloj angazhimi për gjetjen e mundësive apo rrugëve për të përballuar këtë backlog të krijuar, në mënyrë që hyrja në fuqi e ndryshimeve ligjore të jetë efektive, dhe jo vetëm formale. Nga ana tjetër, problemet që mund të ngrejë kuadri i ri ligjor, do t’i provojë praktika. Ne jemi përpjekur të japim kontributin tonë.
Gjatë viteve të fundit, në deklarata të shpeshta të aktorëve të politikës ka pasur sulme verbale ndaj gjyqtarëve. Sa e dëmtojnë këto sulme pjesën e shëndoshë të sistemit?
Unë flas lidhur punën e Gjykatës së Lartë. Politika ka punën e saj. Reforma duhet të bëhet dhe çështjet që paraqet realiteti shqiptar kanë të bëjnë kryesisht me rritjen e pavarësisë së pushtetit gjyqësor, rritjen e efektivitetit dhe eficiencës. Sigurisht nuk më pëlqen denigrimi publik dhe në grup i të gjithë gjyqtarëve, pavarësisht problemeve që ka gjyqësori. Kështu, për shembull, dua të theksoj kontributin që ka dhënë në sistemin e drejtësisë Shkolla e Magjistraturës. Dua të besoj se pjesa më e madhe e gjyqësorit është e shëndoshë. Tani do t’i nënshtrohemi një procesi. Të shohim ç’rezultate do të vijnë. Dua të besoj gjithashtu që shumica e gjyqtarëve janë gjyqtarë, të përgjegjshëm, që punojnë me seriozitet, profesionalizëm dhe përkushtim. Por, nga ana tjetër, dua të theksoj se ka probleme me cilësinë e gjykimeve, me korrupsionin, me efektivitetin. Ndaj edhe synohet të përmirësohet si sistem në përgjithësi.
Ju, apo anëtarë të tjerë të trupës së Gjykatës së Lartë, a jeni ndierë ndonjëherë i intimiduar, i ndikuar nga politika? Ka pasur tentativë ndikimi? Ne jemi përpjekur të bëjmë punën tonë. Ndodh rëndom, veçanërisht me shtypin e ditës apo me portalet, që të përmendin dhe emra. Kjo besoj se nuk është problem shumë shqetësues, pasi e kuptojmë që njerëzit kanë halle dhe probleme dhe që u duhet të përballen me vite nëpër dyert e gjykatave. Gjermanët kanë një shprehje që në shqip do të përkthehej “kush vendos të merret me punë publike, nuk mund të presë që publiku apo media t’i bëjë lëvdata dhe të mos kërkojë më shumë prej tyre”.