Nga Dritan Hila
Hyrja triumfale e Sali Berishës në kongresin e PD, nuk është asgjë më pak se kongresi i 9-të i PPSH, ku vendi megjithëse ishte në kolaps të plotë, entuziazmi i fanatikëve të komunizmit nuk jepte shpresë për hapje.
PD nuk iu afrua aspak asaj që pritej por dëshmoi me analogji se historia përsëritet dhe njerëzve por sidomos shqiptarëve nuk ju shërben as për të nxjerrë mësime.
Me pritjen triumfale të Berishës në sallë, me fare pak fytyra që e shprehnin haptas zhgënjimin për rrugën ku janë futur, PD ngjan se ka një kurs të pashpresë që mund ta çojë në pushtet.
Ata që nuk folën kundër kësaj pranie në sallë, nuk arritën të ngriheshin as në nivelin e Spiro Dedes pale pastaj të Dritëro Agollit.
Pas kësaj ne do vazhdojmë të shikojmë luftën e PD me mullinjtë e erës nën ditirambet patetike të Sali Berishës, por që në fund do sjellin një ripërsëritje të humbjeve radhazi që po ju shkakton Edi Rama jo vetëm për meritë të tij.
Madje këtë të fundit më shumë duket që e kanë shqetësuar disa plehra në tokë sesa kongresi i rivalëve të tij. Ndërsa vetë shqiptarët më shumë shijonin bypassin e Vlorës sesa një parti që mund t’ju sillte shpresë.
Edi Ramën tashmë nuk mund ta rrëzojë asnjë parti që po shkon drejt dekompozimit dhe as kaqolë që sajojnë kauza me teatër, qen rrugaçë apo shitës pa leje. Këtyre ju bën zbor Erjon Veliajn që zbavitet me ta.
Nuk pritej që një parti e madhe mos ta ketë në memuaret e saj aksiomën që në një botë gjithmonë më shumë globale dhe të rreshtuar në kampe, ku Shqipëria është rreshtuar haptas me perëndimin, nuk mund të fitosh zgjedhje pa miratimin e tyre.
Këta të Berishës mendojnë se më një tufë kaçakësh mund të sfidojnë atë që nuk ja del dot Kina dhe Rusia së bashku, Shtetet e Bashkuara! Zoti ju shtoftë takatin.
Se do kemi gallatë në tetë vitet që vijnë dhe demokratët duhet të shpresojnë që Rama të mbajë fjalën që ka dhënë dhe të largohet nga politika në 2030-ën./dritare.net